Si qasje regjisoriale, “Lela & Co.” vjen me frakturë dokumentare – dhe kjo duket e natyrshme – pasi filmi dokumentar është specialitet i regjisorit Eki Rrahmani. Në thelb hyn në zanafillën e teatrit si katarsis, por nuk ndalet me kaq tek bëhet denoncim. Është kohë lirie kolektive, por në antagonizëm është robëria individuale. Një grua përballet me abuzim nga i shoqi, por historia e saj nuk ndalet me kaq. Ngjarja mund të lexohet sikur ndodh këtu apo kudo. Peshë ka thyerja e heshtjes, e shfaqja është vetëm thirrje
Lela ka vendosur të flasë. Të paktën rrëfimin e saj ua ka thënë rreth 50 vetave përballë skenës së vogël të Teatri Kombëtar të Kosovës, të hënën mbrëma, në premierën e shfaqjes “Lela & Co.” nën regji të Eki Rrahmanit. Lela e di se vetëm rrëfimet e disa njerëzve arrijnë të dëgjohen e të disa të tjerëve shpesh ndryshohen për interesa të caktuara. E di, po ashtu, se shumë rrëfime mbesin kurrë pa u thënë për shkak të frikës, dhunës a turpit. Një kapitull i jetës së saj ishte heshtur në mënyrë të tillë. Mirëpo dokumentaristi Eki Rrahmani nëpërmjet shfaqjes “Lela & Co.”, që ia dha “titullin” e regjisorit të teatrit, nuk do që njerëzit të heshtin. Ai jo vetëm që kërkon të nxisë diskutim, por kërkon edhe që njerëzit të veprojnë. E gjithë shfaqja sillet rreth jetës së Lelës që luhet nga Gentë Rotkoceri dhe përpjekjeve të saj për të pasur mundësi që vetë ta tregojë jetën e saj, rrëfimin jetësor.
Që në fillim bëhet e ditur se shfaqja nuk është e tillë që do ta lërë publikun të lumtur. Nuk është as një shfaqje përmes së cilës regjisori e kasta e aktorëve mundohen që të mësojnë se çka është morale e çka jo, duke ecur nëpër teh paragjykimesh. Fuqia e shfaqjes qëndron te fakti se është krejtësisht realiste. I ngjan shikimit të një dokumentari, ku personazhi del nga ekrani për t’i thënë të padëgjuarat e jetës së saj. Ani pse vendi se ku po zhvillohet e gjithë ngjarja nuk caktohet, kushdo mund të lidhet në një formë a tjetrën me Lelën dhe jetën e saj.
Rekuizitat janë minimaliste – titulli i shfaqjes me drita neoni rozë, kafazi në fillim i hapur e që mbyllet deri në fund të shfaqjes si kontrapunkt i mesazhit – por në funksion të plotë të linjës dramaturgjike ashtu si elementet e kostumografisë që mundësojnë kapërcimin e personazheve.
Regjisori Eki Rrahmani ka thënë se është i lumtur që ka vënë në skenë një rrëfim goxha të guximshëm, gjersa ka falënderuar publikun që përkundër vapës së madhe ka qëndruar në skenën e vogël të Teatrit.
“Po besoj që në përgjithësi kemi vënë në pah ato për të cilat kemi punuar gjashtë javë. Normalisht, me kufizimet e skenës së vogël pasi që besoj se po të kishte pasur mundësi më shumë për projektime, do gjëra do të dukeshin vizualisht më mirë”, ka thënë ai, duke shtuar se ana e mirë e skenës së vogël ishte intimiteti më i madh. Rrahmani ka thënë se shpreson që shfaqja ta bëjë shoqërinë që të reagojë karshi fenomeneve të tilla pasi nuk bën vetëm të heshtët ose të shikohet anash kur përreth ndodhin ngjarje të tilla.
“Shpresoj që gjatë këtyre 20 reprizave të arrijmë të bëjmë një dialog, një ballafaqim në lidhje me këto fenomene, një dialog në mes të gazetarëve, artistëve, kujtdo që e sheh këtë shfaqje”, ka thënë ai.

Lela është rritur në mes të maleve, ku fryjnë erëra të fuqishme. Një familje ku jetojnë tri gjenerata. Ajo dhe dy motrat e saj kanë karaktere të ndryshme. Të rritura në një shoqëri patriarkale i kanë mësuar që në fëmijëri rolet e detyrat e tyre si gra. Lidhja me familjarët nuk është për t’u lakmuar, mirëpo 16-vjeçarja e cila më pas do ta varrosë me duart e saj vajzën që i vdes pa pasur bukë për t’i dhënë, gjatë gjithë kohës ëndërron të kthehet pikërisht në fshatin e saj.
E re në moshë, Lela përjeton dhunë fizike nga babi i saj, burri i motrës e shfrytëzon dhe e jap nuse për një shok të vetin. Kështu Lela nga fshati i bukur malor nis të jetojë në një zonë lufte. Jeta e saj ashtu siç edhe thotë Retkoceri, shkon duke u lidhur nyjë-nyjë. Bota e saj e madhe zvogëlohet në një banesë, e nga një banesë në një dhomë me katër mure. Aty burri i saj e shet te të tjerë burra, mes tyre edhe për “ushtarin e saj të pashëm” që ka ardhur për të mbrojtur vendin e saj. Është pikërisht ushtari që tregon se Lela është vetëm një nga vajzat e shumta që janë në situatën e saj e që shiten me dhunë për prostitucion.
E gjithë jeta e Lelës rrëfehet nëpërmjet monologëve të Gentë Retkocerit që vazhdimisht ndërpriten nga zërat e burrave që u bënë pjesë e jetës së saj: babait, dhëndrit, burrit e një paqeruajtësi, që luhen nga aktori Kushtrim Sheremeti.
Teksti i kësaj shfaqjeje është shkruar nga anglezja Cordelia Lynn dhe është i bazuar në ngjarje të vërtetë.
Aktori Fisnik Ademi ka thënë se “Lela & Co.” u pa që është një tekst shumë i mirë e që sipas tij dramaturgjia në Kosovë është duke vuajtur për tekste të tilla. Prandaj ka shtuar se është i lumtur që ky tekst e kjo shfaqje erdhën në Teatër.
“Jam shumë i kënaqur që kemi parë një shfaqje shumë të mirë sonte, një performancë shumë të mirë prej Gentës dhe Kushtrimit, po ashtu komplimente edhe për punën e regjisorit, Eki Rrahmanit. E mira që shfaqja na la që të kuptojmë se këto rrethana mund të ndodhin kudo, në çdo shoqëri dhe më vjen mirë që përmes saj është përçuar një mesazh pasi edhe Eki ka dashur që përmes tij të tregojë edhe atë anën e errët që ka ndodhur edhe të ne”, ka thënë ai.
Lynn, e lindur në vitin 1989, e kishte shkruar tekstin në vitin 2015, kur ishte 26-vjeçare. Kjo dramë, por edhe të tjera si “Believers Anonymous” dhe “After the War”, janë inskenuar në Angli e në vende të ndryshme të botës. Për herë të parë “Lela & Co.” u inskenua në shtator të vitit 2015, në “Royal Court Theatre” në Londër. Për TKK-në drama është shqipëruar nga Jeton Kulingja. Muzikën e shfaqjes e ka bërë Armend Xhafa.
Tensioni brenda “Lela & Co.” vjen kryesisht falë dy aktorëve. Gentë Retkoceri arrin të shfaqë brenda minutave fëmijërinë, rininë dhe pjekurinë e personazhit të saj, që detyrohet t’i kalojë këto faza për një periudhë të shkurtër edhe në jetën reale. Retkoceri edhe atëherë kur fjalët e tradhtojnë arrin të mbajë gjendjen e saj emocionale.
“Me kohë dhe prova ia kemi dalë të arrijmë këtë prezantim pasi që më është dashur që ta përshtat se kur është duke biseduar për audiencën, kur për aktorin, e kur gjërat duhet të jenë më emocionale, kur më të komplikuara, dhe pastaj me prova vetëm kemi shkuar duke e perfeksionuar lojën”, ka thënë ajo.
Kushtrim Sheremeti, që luan katër personazhe të cilat ndërrohen brenda sekondave e disa brenda minutave, jep po ashtu një prezantim goxha bindës duke ndërruar edhe theksin e tij krahas personazhit, kapelës, a parukës. Ani pse ai luan karaktere të ndryshme, ato kanë edhe një tis linear, pasi që këta burra janë gdhendur nga një strukturë e njëjtë të patriarkalizmit, dhunës dhe të drejtave të burrave. Sigurisht, pas shfaqjes nuk kishte si të mos jetë i stërlodhur, por vetë Sheremeti ka thënë se është një punë që e kanë bërë me shumë dashuri.
“Çfarëdo që bëhet me dashuri të paktën nuk mund të dalë keq. Një shfaqje e mundimshme dhe e lodhshme, por jemi të lumtur që e kemi finalizuar. Jemi munduar që të japim më të mirën me kushtet që ofron skena e vogël po me duket që publiku e perceptoi mesazhin të paktën për nga mënyra sesi i patën reagimet”, ka thënë ai.
Repriza e parë do të jetë të martën mbrëma. Njëlloj si në premierë ashtu edhe në reprizat e radhës, “Lela & Co.” do t’ia bëjë publikut të qartë se posa të dilet nga teatri, duhet të jetë syhapur, të flasë, të reagojë e të mos rrijë në errësirë e i heshtur.
