Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Lefter Çipa – bardi i fundit i polifonisë

Për botën e polifonëve shqiptarë, të enjten është ulur flamuri në gjysmështizë me rastin e ndarjes nga jeta të “princit të polifonisë”. I cilësuar figurativisht nga dikush edhe si Pan i Kaonisë antike, e bardi i fundit i polifonisë, Lefter Çipa është vlerësuar si një nga emrat më të shquar të këndimit shumëzërësh në krahinat bregdetare të Jonit shqiptar. Ai që mbushi 79 vjeç mu në Ditën e të dashuruarve, gjatë gjithë jetës së tij krijuese lartësoi izopolifoninë shqiptare, krijoi në këtë frymë dhe e ngriti lart emrin e saj

Prishtinë, 18 shkurt – Si një jeh këngësh shumëzërëshe në gëzime e gjëma, frymëzimet e epërme i kishin dhënë prej kohësh cilësimin e “princit të polifonisë”. E kush ishte ky burrë që lindi në Ditën e të dashuruarve, më 14 shkurt, në majë të Pilurit e që “jetonte përballë detit e mbi supe të maleve”.

Si një bard që e ruajti gjer në fund dinjitetin e vet, artisti, poeti e krijuesi Lefter Çipa është ndarë të enjten nga jeta në moshën 79-vjeçare. Një sëmundje e gjatë, prej të cilës vuante prej kohësh, u bë shkak që të jepte të mbramën frymë krijuesi i 1.250 këngëve të interpretuara polifonike.

I lindur më 1941 në Pilur të Himarës, Lefter Çipa ishte bërë asocimi i parë për muzikën e lashtë shumëzërëshe që këndohet prej vjetërsisë në brigjet e Kaonisë që përkon me viset e sotme të Jonit shqiptar.

Bashkë me interpretuesin e lindur, te himarioti atdhetar jetonte edhe poeti e etnofolkloristi. Në vargje janë plot tetëmbëdhjetë vëllime poetike më të njohurat prej të cilave janë “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, “Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit” e të tjera.

Identiteti i bregdetit

Mëngjesi i së enjtes është gdhirë me kumtin e dhënë nga Komisioni i Artit dhe Trashëgiminë pranë Akademisë së Shkencave për ndarjen nga jeta të poetit, Lefter Çipa.

Për komunitetin e akademikëve shqiptarë, me ndarjen nga jeta të rapsodit të njohur “bota shqiptare e artit, poezia lirike, trashëgimia popullore, humbën një personalitet të rrallë, një njeri me karakter të fortë dhe me qartësi qytetare në të gjitha kohërat”.

Në afishimin e bërë në faqen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Çipa është cilësuar si identitet i Bregdetit me fuqinë dhe ndikimin shpirtëror që pati.

“Lefter Çipa erdhi në rrethin e vështirë të poezisë përmes një tradite të shkëlqyer të artit popullor të Bregdetit, të lartësuar prej vjershëtorësh e këngëtarësh të denjë, që nga Nestor Muka Himarioti, që i dha njohje e nder krahinës së tij dhe gjithë Shqipërisë, përmes regjistrimeve të para diskografike të këngës popullore bregdetase. Lefter Çipa shumë prej krijimeve të tij të bukura bujarisht ia la emrit të popullit”, thuhet në njoftim.

Sipas ASH-së, duke qenë njohës i rrallë i vjershërimit popullor dhe shpirtit të popullit, ai lartësoi vetveten duke përsosur artin e krijimit “herë sipas gjurmëve të poezisë arbëreshe, herë në stilin e Naimit, herë-herë duke e konkurruar me të njëjtat mjete mikun e tij të zemrës Dritëro Agolli, herë sipas poezisë klasike greke e herë sipas modeleve dhe kodeve të vjershërimit klasik pers”.

“Lefter Çipa arriti të shkëputet nga rapsodia dhe të krijojë profilin e vet origjinal si poet lirik, me shkëndijime figurash befasuese. Në një histori të ardhshme të letërsisë shqipe, emra të tillë si Lefter Çipa, Dhori Qiriazi, Gjok Beci, Hamit Aliaj dhe shumë të tjerë, që krijuan me frymëzim të vetvetishëm pa e vrarë shumë mendjen nëse arti i tyre do t’u shfaqej me emrin vetjak apo me atë të popullit, do të kenë një vend të veçantë”.

“Poeti që këndoi nën zhurmën e valëve të jugut”

Image

Kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta, e ka cilësuar vdekjen e Çipës si një lajm që sjell dhembje e trishtim.

“Krijuesi brilant i Bregut, me frymëzim thellësisht kombëtar, iku në përjetësi, për të na lënë të gjithëve një trashëgimi të vyer artistike e kulturore, ku spikatin perlat e polifonisë shqiptare të krijuara mjeshtërisht prej tij dhe që do të këndohen në jetë të jetëve, sa të ketë shqiptarë”, është thënë në telegramin ngushëllues të kryetarit Meta.

Duke shprehur ngushëllime për familjen Çipa, Pilurin dhe poetët e polifonët, telegrami presidencial ka përfunduar me vlerësimin se “Lefter Çipës i jeton poezia, i jeton kënga, i jeton shpirti kuqezi!”

Me një fotografi bardhezi, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se polifoni i shquar ishte “zëri gurgullues i bregut shqiptar, që i dha jetë një thesari perlash polifonike dhe sot iku nga kjo botë, duke lënë pas jehonën e pashuajtshme të perlave të tij”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në dedikimin e bërë në faqen e saj në “Facebook”, është shprehur se i linduri në ditën e dashurisë, poeti që i këndoi shpirtit nën zhurmën e valëve të jugut, “iu bashkua yjësisë”.

“Lamtumirë Lefter Çipa! Këngët e tua u këndofshin sa të ketë jetë!”, ka shkruar Margariti.

Në një dedikim tjetër, këngëtarja Aurela Gaçe ka thënë se ajo çfarë krijoi e la pas Çipa, është thesar për të gjithë. Me këtë rast, ajo ka shkëputur një poezi të të ndjerit në të cilën ai evokonte ndjesinë e njeriut që i është afruar muzgu i jetës.

“Paska qenë kjo jetë, një erë e shpejtuar/ gjumërehatin humba, gëzim pakësuar/ pa mundime s’ngelem, unë mundim-rënduar/ dot tek vetja s’mbeta, lundron dëshpëruar/.

“Polifonia shqiptare – një botë madhore”

I lindur në Pilur të Himarës, që bashkë me Vunoin, Qeparoin e Kudhësin është një fshatrat ku flitet shqipja, Çipa mbaroi shkollimin e mesëm në gjimnazin “Halim Xhelo” në Vlorë. Pas kësaj mbaroi edhe shkollën dyvjeçare për arkitekturë.

Siç e thoshte në një nga rrëfimet e tij, artin do ta ndjente si 14-15 vjeçar. I dhënë me mish e me shpirt pas krijimtarisë dhe botës pikante të izopolifonisë jugore, këngët e tij janë interpretuar nga grupe të njohura si ai i Pilurit (në krye të të cilit ishte udhëheqës artistik për dyzet vjet), i Himarës, Bënçës, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhës.

Vulën e tij autoriale e mbajnë këngë të papërsëritshme e me cilësi të lartë si “Bejkë e bardhë”, “Vijnë djemtë nëpër vapë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Naim Shqipëria”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Zoga kaçake në male”, “Këngë kurbeti”, “Vito Pëllumbesha”, “Hënëz e qiellit të gjerë”, “Moj unaza gur jeshile”, “N’sokat të ngushtë”, “O shokë vdekça nga kënga”, “Lundroj në ludrën e këngës”, “Kënga e manushaqes”, “Zonjë e bukurisë”, e të tjera.

Çipa ishte pjesëmarrës në gjashtë edicione të Festivalit Folklorit Kombëtar të mbajtura në Gjirokastër, Berat dhe Lezhë, e dy herë u laureua. U dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” i klasit të parë, të dytë e të tretë.

Në një intervistë të bërë vitin e kaluar me gazetarin Ben Andoni, “bardi i fundit i polifonisë” kishte folur gjer e gjatë edhe për vlerat e polifonisë së jugut, teksa kishte veçuar himarioten me një “botë më madhore” sesa ajo e trevave të tjera.

“Se polifonia, universi i parë është te vjershërimi, bregasi ka një natyrë vargëzimi vjershërim; as poet, as bejtexhi. Vjershërimi, është mendimi. Mendimi ia shfaq shpirtit. Shpirti pastaj di ta transmetojë në mënyrë artistikisht”, kishte thënë Çipa.

Në po të njëjtën bisedë, rapsodi e poeti i talentuar kishte vlerësuar se polifonia shqiptare e Himarës, Bregut, Gjirokastrës, Kurveleshit, Vlorës e Mallakastrës është e ndërtuar njëlloj. Sipas tij, kjo polifoni “ka zëra qiellor, që pikasën e komunikojnë me natyrën”. Dhe cila ishte natyra në të kënduarit autokton të këtyre anëve?

“I ka të ndërlikuara, dritësimin e diellit; hënëzimin e veçuar; tallazat e detit; lulëzimin e dheut dhe me kupën qiellore të yjeve. Pra, i ka të ndërtuara në strukturën e saj polifonia. Bregasi himariot i ka të gjitha këto bukuri”.

Dhe me bukurinë hireplotë të Jonit shqiptar, Çipa në poezinë ku evokonte afrimin e jetës do të shkruante edhe këto vargje: “Hapësirë e ngushtë, deti një kazan/ errësirë e shumtë, nata veç më plak/ besimi i ngurtë jep e merr me xhan/ filli n'u këputtë, s’më vjen keq aspak".

Artikuj të ngjashëm