Politikania e historiania, Latinka Peroviq, ishte një prej intelektualeve serbe që ngriti zërin qysh në kohët e hershme të ish-Jugosllavisë. Kundërshtoi edhe publikisht regjimet serbe e nuk u ndal së foluri për padrejtësitë ndaj shqiptarëve. Peroviq si historiane e tha troç: “Serbët synimet e veta politike i kanë nxjerrë prej miteve”. Peroviqi vdiq të hënën në Beograd. Ajo ishte 89 vjeçe
Serbia ka mbetur pa një prej zërave publikë më racionalë me krejt margjinalizimin që i është bërë. Politikania e historiania, Latinka Peroviq, ka vdekur të hënën në Beograd. Ajo ishte 89 vjeçe. Peroviqi ishte një prej politikaneve serbe që ngriti zërin qysh në kohët e hershme të ish-Jugosllavisë. Kundërshtoi edhe publikisht regjimet serbe e nuk u ndal së foluri për padrejtësitë ndaj shqiptarëve. Peroviqi si historiane e tha troç: “Serbët synimet e veta politike i kanë nxjerrë prej miteve”.
Latinka Peroviq u lind në Kragujevc më 4 tetor 1933. Ajo studioi për histori dhe doktoroi në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Beogradit në vitin 1975. Qysh si e re do të angazhohej ne strukturat e Partisë Komuniste të ish-Jugosllavisë. Në moshën 27-vjeçare do të zgjidhej kryetare e Frontit të Grave Antifashiste të Serbisë. Prej vitit 1968 deri më 1972, ishte sekretare e Lidhjes së Komunistëve të Serbisë dhe me kryetarin e LKS, Marko Nikeziq, synon liberalizimin politik dhe ekonomik të Serbisë. Por ky tentim bashkë me atë që njihet si “shtypja e pranverës kroate” do të merrnin fund me urdhrin e mareshalit, Josip Broz Tito.
Pas kësaj ajo nuk u kthye më në politikë. Nisi të merrej me historinë e ideve shoqërore në Serbi, ideologjinë e nacionalizmit rus, lidhjet revolucionare ruso-serbe dhe proceset e modernizimit të Serbisë në gjysmën e dytë të shekullit XIX.
“Nga centralizmi te federalizmi: PKJ mbi çështjen nacionale” (Zagreb 1984), “Socialistet serbë të shekullit XIX” në tri vëllime (Beograd, 1985 dhe 1995), “Revolucioni i planifikuar: Blankizmi dhe jakobinizmi rus” (Beograd 1988), “Mbyllja e rrethit: Konsekuencat e përçarjes 1971-1972” (Sarajevë 1991), “Lidhjet revolucionare serbo-ruse: Kontribute historisë së popullizmit në Serbi” (Beograd 1994), Mes anarkisë dhe autokratisë: shoqëria serbe në kapërcyellin e shekujve XIX-XXI” (Beograd 2006), “Elita dominante dhe e padëshiruar: Shënime mbi elitën intelektuale dhe politike në Serbi nga shek.. XIX deri në shek. XX” (Beograd 2015), janë disa prej botimeve studimore të Peroviqit.
Në vitin 2021, Qendra “Multimedia” në Prishtinë ka botuar librin “Ashtu ka qenë”. Është një intervistë e gjatë e Skënder Latifit me Peroviqin.
Në parathënie të librit, filozofi Shkëlzen Maliqi shkruan se karriera e saj politike ishte e pasur derisa u rrënua nga kupola e prirë prej Titos. Sipas tij, studimet e Latinka Peroviq shquhen me qasje kritike ndaj kahes së zhvillimeve politike në Serbi. Ka shkruar se ajo vazhdoi traditën e mendimit socialist serb të shekujve XIX dhe XX si Svetozar Markoviqi e Dimitrije Tucoviqi që janë distancuar hapur nga politikat ekspansioniste dhe hegjemoniste të elitave serbe dhe të Kishës ortodokse serbe, që në të gjitha fazat e zhvillimeve, shkaktonin konfrontimet e shtetit dhe të popullit serb me fqinjët.
“Qasja kritike e së majtës politike kundër politikave hegjemoniste nuk ka arritur që të mbisundojë në Serbi, andaj edhe ka pasur pasoja dhe ka shkaktuar dështimet e njëpasnjëshme të Serbisë që të bëhet fuqia hegjemone e rajonit. Në këtë kontekst, ndonëse nuk është marrë më specifikisht me marrëdhëniet serbo-shqiptare, duhet cekur qëndrimin konsekuent të Latinka Peroviqit ndaj çështjes së Kosovës edhe kur ka qenë politikane, e edhe në rrafshin studimor”, ka shkruar Maliqi.
Latifi në intervistën e tij, në librin me 185 faqe, e kishte pyetur Peroviqin për karrierën e saj politike, kujtimet, studimet e deri te përfundimet që ajo kishte nxjerrë gjatë veprimtarisë jetësore.
E pyetur për marrëdhëniet serbo – shqiptare, Peroviq ishte përgjigjur qartë: “Serbët synimet e veta politike i kanë nxjerrë prej miteve”, kishte thënë ajo. Sipas saj, inteligjenca e paktë serbe e shekullit XIX i kishte formuar paradigmat e veta dhe me ndihmën e tyre, ajo kishte rezonancë në popull, kishte ndikim në masë dhe se prezenca e një mentaliteti të tillë politik të cilin kjo inteligjencë arriti ta mbjellë, për fat të keq është akoma prezent në opinion serb.
“Kështu që thënë realisht, shteti i Serbisë edhe sot i sheh shqiptarët me dioptrinë e shekullit XIX. Prandaj, marrëdhëniet serbo-shqiptare i sheh si raporte midis dy kombeve, që gjithnjë qëndrojnë të robëruara për shkak të një mentaliteti nacionalist dhe megaloman, dhe që në mënyrë të vazhdueshme mbështetet dhe përkrahet nga qarqet intelektuale serbe dhe politika shtetërore e Serbisë”, kishte thënë ajo.
Sipas saj, Serbia gjithmonë është e gatshme për luftë. Kishte thënë se për Serbinë nuk është i rëndësishëm as armatimi e as ushtria. “Ajo gjithmonë e ka resursin njerëzor të cilit ia ka shtuar edhe fenomenin e të përjetuarit thellë të kultit të viktimës”, kishte thënë Peroviq. Bile kishte komentuar edhe dialogun e Brukselit midis Kosovës e Serbisë.
Kishte thënë se për fat të keq, edhe bisedimet e deritanishme të Serbisë “me shqiptarët në Bruksel nuk e japin pamjen sikur bisedojnë dy partnerë të barabartë, të cilët duhet të shpien deri te zgjidhja e problemit të përbashkët”.
“Ftesat e Serbisë për dialog me shqiptarët përgjatë shekullit XX, por edhe më vonë, kurrë nuk kanë qenë të sinqerta dhe së këndejmi, edhe gjuha e shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve edhe më tej mbetet gjuhë armiqësore, gjë që është një papërgjegjësi shumë e madhe. Mbajtja e pikëpamjes koloniale ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, është e paarsyeshme nga pikëpamja e Evropës dhe e politikës botërore”, kishte thënë ajo. Kishte shtuar se elita politike serbe si dhe shoqëria serbe përfundimisht duhet ta kuptojnë se raportet në botë kanë ndryshuar.
Vdekja e Peroviqit ka bërë që të reagojnë shumë njerëz. Redaktori i politikës së jashtme në gazetën zvicerane, “Tagesanzeiger”, Enver Robelli e ka cilësuar politikanen e historianen serbe “të papërsëritshme dhe të paharrueshme”. Kështu e ka titulluar një shkrim të tijin në mbrëmjen e së hënës. Ka cituar se në njërën nga intervistat e fundit në qershor të këtij viti ajo bëri thirrje që Serbia sa më parë ta heqë nga qafa konfliktin e ngrirë në Kosovë. “Në pyetjen se çfarë do të bënte me Kosovën, ajo u përgjigj: ‘Prejse mendoj politikisht, konsideroj se Serbia duhet të koncentrohet te vetvetja, te zhvillimi ekonomik, arsimimi, te ngritja e kulturës shëndetësore, te hapja ndaj botës. Është me rëndësi që Serbia të vendosë marrëdhënie normale me fqinjët, edhe me Kosovën. Prandaj janë aq të rëndësishme të drejtat e njeriut’”, ka shkruar Robelli. Sipas tij, ajo renditet në mesin e humanistëve serbë si Dimitrije Tucoviqi e Kosta Novakoviqi, të cilët jo vetëm kritikuan krimet e llahtarshme të Serbisë ndaj shqiptarëve para më shumë se një shekulli, por u angazhuan edhe për fqinjësi të mirë mes serbëve dhe shqiptarëve. “Pak është nëse një rrugë do ta bartë emrin e saj në Prishtinë apo Prizren. Sidomos në kohët e zymta, personalitetet si Latinka Peroviqi na kujtojnë se në Ballkan urrejtja nuk është e thënë të jetë ushqim i përhershëm ditor që servohet nga politikanët primitivë dhe me ambicie megalomane”, ka shkruar midis të tjerash Robelli.