Kulturë

Lahuta shqiptare në UNESCO, triumf pas disfatës me “guslen” serbe

Lahuta

“Lahuta është një instrument prej druri me një tel të vetëm, me një trup rezonues të mbuluar me lëkurë dhe një qafë të gdhendur, i cili prodhohet, luhet dhe shoqërohet me këngë nga komunitetet rurale të Shqipërisë së veriut dhe veriperëndimit”, është përshkrimi me të cilin UNESCO-ja nis arsyetimin e futjes së këtij fenomeni kulturor shqiptar në Listën e trashëgimisë shpirtërore apo jomateriale

“Arti i të luajturit, kënduarit dhe punuarit të lahutës” zyrtarisht tashmë është në Listën e trashëgimisë kulturore jomateriale në nevojë për mbrojtje të menjëhershme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO. Tash shqiptarët e kanë të njohur botërisht dhe të regjistruar si të vetin një trinom, si arti i të luajturit, kënduarit dhe punimit të lahutës, që shkon përtej “Të kënduarit nën shoqërimin e gusles”, rasti i 2018-s, kur e regjistroi Serbia dhe u konsiderua si një lloj disfate për lahutën shqiptare

Shqipëria ia ka dalë që të kapitalizojë ndërkombëtarisht disa prej aseteve më peshërënda të trashëgimisë ndër shqiptarë. Prej të martës “Arti i të luajturit, kënduarit dhe punuarit të lahutës” është shpallur trashëgimi botërore në Listën e trashëgimisë shpirtërore të UNESCO-s. Lajmet sikurse ky janë festë për kulturën e një populli. I tillë është konsideruar edhe pranimi i artit të luajtjes, këndimit e punimit të lahutës në regjistrin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë e Kulturë. Kjo arritje e Shqipërisë është kurorëzuar pas një pune të gjatë të ekspertëve që kanë hulumtuar e dëshmuar se në veri të shtetit shqiptar përdorimi i këtij instrumenti, rrëfimit nëpërmjet tij bashkë me punimin që i bëhet ndër breza, është trashëgimi shpirtërore ndër shekuj. 
“Arti i të luajturit, kënduarit dhe punuarit të lahutës” zyrtarisht tashmë është në Listën e trashëgimisë kulturore jomateriale në nevojë për mbrojtje të menjëhershme. Vendimi është marrë në kuadër të Sesionit të 20-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale që po mbahet këtë javë në Paris.

Fenomen kulturor që ruan kujtesën kolektive

“Lahuta është një instrument prej druri me një tel të vetëm, me një trup rezonues të mbuluar me lëkurë dhe një qafë të gdhendur, i cili prodhohet, luhet dhe shoqërohet me këngë nga komunitetet rurale të Shqipërisë së veriut dhe veriperëndimit”, është përshkrimi me të cilin UNESCO-ja nis arsyetimin e futjes së këtij fenomeni kulturor shqiptar në Listën e trashëgimisë shpirtërore apo jomateriale. Aty sqarohet se instrumenti punohet me dorë nga dru paje ose arre, ndërsa teli dikur bëhej nga qimet e kalit dhe sot shpesh bëhet nga najloni. 

“Ajo luhet në rrethe familjare e komunitare dhe në raste të veçanta si dasma dhe festa. Interpretuesi zakonisht luan duke kënduar, duke treguar histori që pasqyrojnë legjenda të rëndësishme, ngjarje historike ose përvoja personale. Edhe pse tradicionalisht luhej nga burrat, sot ajo interpretohet gjithashtu edhe nga gratë”, shkruhet në arsyetim. Bëhet e ditur se praktika transmetohet kryesisht nëpërmjet vëzhgimit dhe pjesëmarrjes në mjediset familjare ose komunitare. Tregohet se mësimet individuale dhe kurset sezonale ndihmojnë gjithashtu të rinjtë në zonat urbane të përfshihen në këtë traditë. Përmendet se festivalet kombëtare dhe lokale e mbështesin dukshmërinë e saj, ndërsa rrjetet sociale tashmë luajnë një rol në frymëzimin e interpretuesve të rinj. 

“Lahuta kontribuon në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe vlerave shoqërore. Ndërsa dikur fokusohej në legjenda lokale, praktika sot përfshin edhe rrëfime personale, duke i lejuar traditës të evoluojë. Kjo ndërthurje e së vjetrës me të renë e mban traditën të rëndësishme dhe të gjallë”, shkruhet në arsyetimin zyrtar. 

Në një dokumentar prej dhjetë minutash të publikuar krahas arsyetimit sqarohet se si ky instrument shërben ndër shekuj për të bërë art e për të rrëfyer histori. 

“Mua më duket si me ken’ zani i perenisë, zani i lahutës”, është fjalia e parë me të cilën hapet dokumentari ku flet një prej lahutarëve shqiptarë. Përdorimi i saj nis në Lezhë dhe përfshin veriun e Shqipërisë, për të vazhduar ndër shqiptarë të Malit të Zi, Kosovës e Maqedonisë. “Ky instrument është identiteti i Malësisë”, thotë një tjetër praktikues i instrumentit.

“Lahutari, rapsodia dhe lahuta janë të pandashme”

Është grupi i studiuesve i përbërë nga Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge që kanë kompletuar hulumtimin dhe dosjen që “Arti i të luajturit, kënduarit dhe punuarit të lahutës” të njihet në botë si fenomen kulturor i Shqipërisë. 

“Lahutari, rapsodia dhe lahuta janë të pandashme. Lahuta dhe eposi janë të njëkohshme. Janë të njëkohshme mes tyre, janë të njëkohshme edhe me epopetë e popujve të Evropës. Është një instrument që ka lindur për të rrëfyer trimëri të heronj kulturorë. Aq nota sa mund të këndohen me lahutë janë të mjaftueshme për të përcjellë Eposin e Kreshnikëve”, thotë akademik Shaban Sinani në dokumentar. Jepen të dhëna se si instrumenti prodhohet nga zanatlinjtë, si luhet në të e këndohen këngë kreshnikësh si ato për Mujin, Halilin e Gjergj Elez Alinë. Petrash Nilaj, lahutar nga Malësia e Madhe rrëfen se si ka themeluar shoqatën “Logu i bjeshkëve” dhe paraqiten pamje të lojës me lahutë në ndejat maje bjeshkëve ku mblidhen qindra veta. 

Por, në anën tjetër, tregohet edhe se si të rinjtë kanë interesim të beftë për instrumentin e epikën popullore. Kjo është prej arsyeve se përse UNESCO-ja konsideron se “Arti i të luajturit, kënduarit dhe punuarit të lahutës” ka nevojë për mbrojtje të menjëhershme dhe këtë e kërkojnë vetë ata që luajnë, rrëfejnë me të dhe e punojnë instrumentin me një tel. 

Të rrëfyerit e legjendave e bëmave nëpërmjet këndimit me lahutë në Ballkan është një trashëgimi më e gjerë.

”Arti i të luajturit, kënduarit dhe punuarit të lahutës” njihet në botë si fenomen kulturor i Shqipërisë

Rasti i “gusles” më 2018

Paraprakisht më 2018 në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë e Kulturë qe regjistruar “Të kënduarit në shoqërimin e gusles” në emër të Serbisë. “Gusle” është fjala serbe për lahutën. Asokohe reagimet e studiuesve dhe institucioneve shqiptare qenë të shumta. Por tash shqiptarët e kanë të njohur botërisht dhe të regjistruar si të vetin një trinom si arti i të luajturit, kënduarit dhe punimit të lahutës. Kjo shkon përtej të kënduarit nën shoqërimin e lahutës. Në UNESCO regjistrohet një fenomen kulturor për të cilin dëshmohet se ekziston ndër shekuj dhe ende gjen përdorim te një komunitet i caktuar që ka edhe specifikat e veta.

Neziri: Një ditë e veçantë për kulturën shqiptare

Për interpretimin me lahutë si trashëgimi kulturore ka pasur nisma të hershme. Saktësisht për eposin e kreshnikëve janë mbledhur materiale në krye të herës. 

Studiuesi Zymer Neziri e ka nisur këtë punë para disa dekadash. Më 2008 me nismën e tij edhe do të formohej një komision midis dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë. Përbërja e këtij komisioni ka bërë mbledhjen e materialeve nëpër lahutarë gjithandej në botë janë regjistruar mbi 5 mijë 500 minuta interpretim që shoqërohen me 15 vëllime e rreth 11 mijë e 4000 mijë vargje. Neziri këtë projekt thotë ta ketë financuar me buxhet familjar. 

“Ne si Kosovë nuk jemi pjesë e UNESCO-s dhe më pas puna shkoi pak më larg deri te Qeveria shqiptare. Mua m’u tha se nuk jam shtetas i Republikës së Shqipërisë. Shtetet janë të ndara po epika nuk është ndarë pasi nuk ka mundësi të ndahet. Më pas më kanë ftuar dhe unë s’kam shkuar për të bërë edhe një tjetër projekt”, ka thënë ai të martën. Ka rrëfyer se s’di të ketë pasur ditë më të lumtur sesa kjo kur mori lajmin se tashmë kjo pjesë e trashëgimisë shqiptare njihet e regjistrohet nga UNESCO-ja. 

“Jam gëzuar për të gjitha regjistrimet, por ky ishte një gëzim shumë më i madh pasi është meritë ndër breza e shekuj. Është një ditë e veçantë në historinë e kulturës sonë. Lahuta ka shërbyer për të bërë art, për të rrëfyer, pastaj ajo punohet me shumë simbolika që i lidh shqiptarët ndër shekuj deri tek ilirët”, ka thënë ai. Sipas Nezirit, i cili është punonjës shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, një traditë e tillë kulturore nuk është hasur në hartën e Mesdheut ku takohen tri kontinente. 
“Lahuta është instrument që jetoi ndër shekuj. Lahuta është ngritur në shkallën e kultit te shqiptarët. Është vendosur në ballë të oxhakut. Ajo bën që shekujt të lidhen”, ka thënë Neziri.

Thesari i pestë për dy dekada

Pas dhënies së lajmit për lahutën, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shkruar në rrjete sociale se trashëgimia kulturore jomateriale e UNESCO-s është edhe më e pasur. 

“Arti i të luajturit, të kënduarit dhe punimit të lahutës, një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor shqiptar, është bërë pjesë e saj”, ka shkruar Begaj. 

Kurse ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, ka shkruar se një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor, arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës është përfshirë zyrtarisht në pasurinë botërore të trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s. 

“Arti i të kënduarit, të luajturit dhe bërja e lahutës përfaqësojnë një element thelbësor të identitetit në hapësirën shqiptare rurale të kultivuar ndër shekuj në krahinat veriore dhe përtej që nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia e Gjakovës, Rugova, Drenica, Plava dhe Gucia”, ka shkruar ai. Sipas Gonxhes, eposi i kreshnikëve dhe balada të traditës shqiptare veriore, në duart e lahutarit kanë shprehur në shekuj virtytet e trimërisë, qëndresës, nderit, besës dhe mikpritjes. Ka bërë të ditur se procesi u mbështet nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në kuadër të marrëveshjes për përgatitjen e dosjeve të trashëgimisë jomateriale shqiptare. Ka shprehur edhe një gatishmëri. 

“Shqipëria mbetet e angazhuar për të ruajtur, promovuar dhe fuqizuar këtë pasuri të rrallë kulturore, duke mbajtur të hapur edhe bashkëpunimin e ardhshëm me Kosovën”, ka përfunduar ai. 
Në rastin e lahutës trashëgimi është lidhja që komuniteti ka me të dhe jo veç instrumenti. Tashmë Shqipëria në Listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s numëron pesë asete. Nisi më 2005 me “Isopolifoninë”, për të vazhduar me Xhubletën, Transhumancën në bashkëpunim me disa shtete, më pas K’cimin e Tropojës dhe së fundmi lahutën.

 


“Gusle” që trazoi publikun shqiptar


Më 2018, regjistrimi i “Të kënduarit nën shoqërimin e guslës” në Listën e UNESCO-s, në emër të Serbisë, kishte nxitur reagimin e palës shqiptare. Më i zëshëm qe komuniteti shkencor përderisa institucionet shtetërore nganjëherë e kanë “zbutur” këtë fakt. I tillë kishte qenë reagimi i Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë. Asokohe mediat serbe “guslen”, që është fjalë serbe për lahutën, e paraqisnin si trashëgimi që bota ua njeh atyre. 

Për ta kundërshtuar këtë qe lansuar edhe peticioni online: “Thuaji jo UNESCO-s për vlerësimin e instrumentit gusle si trashëgimi e Serbisë”. Me atë peticion mëtohej të reagohej kundër pranimit të instrumentit si trashëgimi e shtetit serb.

“Asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa media, se ‘lahuta nuk është shqiptare, por serbe’”, shkruhej në reagimin e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë. Sipas këtij institucioni, “në sesionin e 13-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale u bë regjistrimi i nominimit ‘Të kënduarit në shoqërimin e gusles’ (instrumenti që në shqip quhet lahutë) prezantuar nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit”.
Në Kosovë përbërja e Komisionit të atëhershëm parlamentar për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini, sport, inovacion dhe ndërmarrësi planifikonte t’ia dërgonte një letër UNESCO-s për këtë rast.  
Deputeti i asokohshëm Smajl Kurteshi, kryetar i Komisionit parlamentar, kishte qenë ai që e dha propozimin. Sipas tij, ishin angazhuar disa persona për këtë. Siç kishte thënë ai, për këtë letër qenë konsultuar ekspertë si Zymer Neziri e Vasil Tole. Sa u përket institucioneve të vendit, Komisioni kishte komunikuar edhe me Ministrinë e Kulturës dhe Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore. 
“Kam pasur një takim me ambasadorin e Shqipërisë që të dy Ministritë e Kulturës të aplikojnë me lahutën në UNESCO si instrument edhe shqiptar”, kishte thënë Kurteshi asokohe. Kjo letër mbeti veç një tentim.