Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“La Scala” paralajmëron sezonin me operën ruse

Stafi drejtues i shtëpisë së njohur operistike “La Scala” të Milanos planifikon që sezonin 2022/2023 ta hapë me operën “Boris Godunov” të kompozitorit rus Modest Mussorgskyt, në të cilën do të interpretojnë artistët rusë dhe me këtë qartazi ky institucion bën me dije se nuk e ka ndërmend të bojkotojë kulturën ruse a po ashtu as interpretuesit rusë, pavarësisht invazionit të Rusisë në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Nuk jam as për gjueti shtrigash, as për bojkot a heqje nga repertori të veprave ruse”, ka deklaruar për gazetarët Dominique Meyer, drejtor artistik i “La Scala”. “Nuk fshihem kur lexoj veprat e Pushkinit”, ka thënë ai, duke shtuar se vendimi për futjen e veprave ruse në repertor është marrë disa vjet më parë.

Rolet kryesore në vepër u janë besuar basit rus Ildar Abdrazakov dhe sopranos Anni Denisova.

Libreti në rusisht dhe muzika e operës janë shkruar nga Modest Petrovich Mussorgsky (1839 – 1881) bazuar në veprën më të njëjtin titull të Alexandr Pushkinit të vitit 1825.

Hapja e sezonit të ri të “La Scala” në fillim të dhjetorit është njëra prej ngjarjeve kulmore në kalendarit kulturor italian.

Pak kohë pas invazionit rus në Ukrainë nga “La Scala” kishin njoftuar se dirigjenti rus Valerij Gergijev nuk do të performojë në këtë shtëpi të njohur operistike meqë nuk e ka dënuar haptazi luftën dhe invazionin në Ukrainë. Në pyetjen e gazetarëve se cili është dallimi midis inskenimit të “Boris Godunov” dhe qasjes së Valerij Gergijev, Meyer është përgjigjur se “La Scala” e konsideron dirigjentin rus sikurse të jetë një politikan.

Edhe Opera e Kosovës harron kushtet, synon tri projekte të mëdha Kulturë Opera e Kosovës harron kushtet, synon tri projekte të mëdha

“Ai është si një ministër kulture i llojit të vet. Artistët e tjerë janë në një tjetër pozitë: marrin çmime e mirënjohje, por kjo nuk i bën mbështetës të luftës”, ka thënë Meyer.

Në sezonin 2022/2023, që në “La Scala” nis më 7 dhjetor, janë planifikuar të luhen më shumë se 200 shfaqje.