Kulturë

“La Morteana” midis jetës e vdekjes në oborrin e Lidhjes së Prizrenit

Në kuadër të edicionit të dytë të festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur, “PrizrenFest”, në oborrin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është dhënë shfaqja “La Morteana” nën regji të Massimo Somaglinos. Sjell një histori midis jetës dhe vdekjes tek rikthen veprën e zhdukur të Pier Paolo Pasolinit

Ka jo pak vepra artistike që u flasin jetës dhe vdekjes. Por të rralla janë ato që u qasen këtyre temave si shfaqja “La Morteana”. Me tekst të shkrimtarit të njohur italian, Pier Paolo Pasolini, kjo shfaqje është dhënë edhe para publikut në Kosovë në kuadër të festivalit të teatrove në ambient të hapur “PrizrenFest”. Oborri i Lidhjes së Prizrenit të hënën mbrëma qe hapësira më e përshtatshme ku do të mund të inskenohej kjo shfaqje nga Italia.

Rrëfimi nis me djaloshin nga fshati i cili kthehet natën vonë i dehur në shtëpi. Pas shumë përpjekjesh mezi futet në shtrat vetëm, për t’u zgjuar nga zhurmat të cilat fillimisht i bën djalli e më pas engjëlli dhe në fund vdekja. Edhe pa tekst, kjo dallohet nga kostumet ku djalli shfaqet i veshur në të kuqe, engjëlli në të bardha dhe vdekja në të zeza.

Në vitin 1945 shkrimtari i njohur italian e kishte shkruar tekstin “La Morteana”. Por kjo pjesë e krijimtarisë së Pasolinit ishte zhdukur për një kohë. Disa vjet më vonë, në një sirtar të shtëpisë së tij u gjet një teksti që ishte pikërisht “pjesa e djaloshit”.

Regjisori i shfaqjes, Massimo Somaglino, ka folur edhe për atë se përse personazhet e tjera nuk flasin, por vetëm vallëzojnë dhe këndojnë duke rezultuar në një dialog sa interesant aq absurd.

“Pasolini ka shkruar qysh në moshë shumë të re dhe pas një kohe shumë të gjatë e kanë gjetur një kopje prej një videokasete, meqenëse në atë kohë nuk është se ka pasur kopje të tjera dhe kjo pjesë është shkruar vetëm për një personazh dhe ka qenë edhe e jetës së Pasolinit prej vitit 1943 deri në vitin 1947. Duke pasur parasysh respektin për Pasolinin, sepse është një poet shumë i madh, nuk kam mundur që t’i marr fjalitë e tij dhe t’i shkruaj e përshtati, sepse është një autor shumë i madh dhe kështu, pjesëtar të tjerë të kastës përveç personazhit kryesor nuk flasin, por kërcejnë dhe këndojnë dhe e formojnë bashkë shfaqjen ‘La Morteana’”, ka thënë Somaglino.

Në rolin kryesor vjen Klaus Martini. Ai ka thënë se roli i djaloshit në shfaqjen “La Morteana” vjen në shumë dimensione edhe për nga historia edhe mënyra se si shpaloset para publikut.

“Është rol që më pëlqen jashtëzakonisht shumë edhe kjo ana e historisë , vetë personazhi i djaloshit është një gjë e veçantë. Dhe e veçanta është se regjisori ka vendosur afër meje muzikantë dhe tre balerinë, dhe aktori e forcon shumë atë pak tekst që e kam unë dhe kjo e bën rolin tim rol shumë fizik dhe shumë mimik. Kam nevojë ta bëj të madh rolin dhe na bën ta kuptojmë edhe atë që s’e dimë që ka shkruar Pasolini. Kështu që roli dhe pika e rolit kanë qenë të hapur sa ma shumë për njerëzit dhe kontaktet me muzikantët dhe të tjerët”, ka thënë Martini.

Martini është me prejardhje shqiptare, dhe të luajë në Prizren e ka cilësuar nder dhe privilegj.

“Është një emocion shumë i madh për mua, është si me qenë në shtëpi për arsye që unë jetoj në Itali qysh në moshën trevjeçare, dhe kam shkruar edhe një tekst e ka emrin ‘Pipipi prezent to Albania’ në italisht dhe e kam përkthyer vetë këtu, kam ardhur në Prizren në të cilin unë flas pak a shumë për origjinën time dhe pikëpamjen që kam unë si një fëmijë i emigrantëve dhe gjëja kryesore është se unë i ndiej Shqipërinë dhe Kosovën shtëpi dhe me luajt këtu është emocion i madh për mua, shumë i madh”, ka thënë Martini.

Përpos Martinit – i cili ishte pjesë e Festivalit edhe vitin e kaluar – në shfaqje luajnë edhe Valentina Saggin në rolin e djallit, Anna Savanelli në rolin e engjëllit, Andrea Rizzo në rolin e vdekjes dhe muzikantët Mirko Cisilino, Giorgio Parsi dhe Laura Giavon.

Drejtori artistik i “PrizrenFestit”, Adrian Morina, ka thënë se mënyra se si kjo shfaqje është e ndërtuar dhe gërshetimi midis teatrit, baletit dhe muzikës është ajo që i ka shtyrë ta bëjnë shfaqjen italiane pjesë të programit.

“Prej shfaqjeve të cilat kanë aplikuar të jenë pjesë e ‘PrizrenFestit’ në thirrjen që ne e kemi hapur, por natyrisht edhe prej shfaqjeve që kam pasur mundësi t’i shoh edhe të kolegëve nëpër festivale në Evropë e kemi përzgjedhur shfaqjen ‘La Morteana’. Një histori shumë e bukur e Pasolinit. Është një pjesë e këtij teksti që ka mbijetuar, ndërsa regjisori ka mbindërtuar në këtë tekst dhe për neve kjo pjesa e vdekjes së bukur është ajo tema qendrore që neve na ka tërheqë”, ka thënë Morina, duke shtuar se kënaqësia dhe magjia që shfaqja u ka ofruar të pranishmëve do të ngelin për shumë gjatë në memorien e secilit që e ka parë atë.