Ky është titulli i intervistës së filozofit gjerman Jürgen Habermas mbi krizën aktuale të koronavirusit, dhënë këto ditë gazetës “Frankfurter Rundschau” , pjesë të së cilës në shtypin tonë solli gazetari i mirënjohur Enver Robelli.
Pa kaluar shumë orë nga publikimi, miqtë dhe studentët më kërkuan një koment mbi atë se si mund të zbërthehet kjo ide e Habermasit dhe nëse kjo ishte diçka e re në filozofinë e Habermasit? Apo edhe në epistemologji në përgjithësi? Për lexuesit me kënaqësi do të provoj të shpjegoj dimensionet e shumta filozofike të këtij konstatimi, i cili nuk është thjesht një thënie, por që lidhet me projektin e modernitetit, i cili sipas Habermasit është një projekt i pakryer, përkatësisht i lënë përgjysmë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSa për fillim më duhet të konstatoj se nuk kemi të bëjmë me një ide të re, sepse në formën e saj më iniciale atë e gjejmë qysh në filozofinë antike te Sokrati, i cili pohonte se “unë di se nuk di”. Në fakt dija për mangësitë e dijes që posedojmë apo për karakterin linear të dijes përbën presupozimin themelor të dijes jodogmatike, e cila mbetet e hapur për dije dhe sfida të reja e të pafundme. Jo rrallë nëpër librat e filozofisë, konstatimin e Sokratit e gjejmë të deformuar dhe të keqkuptuar.
Më ka ndodhur shumë herë në provime të dëgjoj nga studentët të më thonë se “Sokrati kishte pohuar se di se nuk di asgjë”. Dhe këtë përpiqeshin të ma argumentonin me këtë apo atë libër nga ky apo ai autor dhe e vërteta ishte se interpretime të tilla nuk është se nuk ekzistojnë. Në fakt, ky është keqkuptimi më elementar i maksimës epistemologjike të Sokratit, i cili Sokratin e përkthen krejt gabimisht, në vend të njeriut të mençur dhe filozof, në budalla i cili vetë paska pohuar se nuk di asgjë. Ky është leximi më i gabuar dhe joprofesional i filozofisë së Sokratit, pasi ai në fakt dëshironte të na thoshte se unë di disa gjëra apo se zotëroj një vëllim të caktuar të dijes, por se jam i vetëdijshëm se ajo çka unë di, është e kufizuar dhe e pamjaftueshme dhe se dija dhe raporti i njeriut me dijen është raport absurd, pasi sa më shumë që dimë, aq më shumë kuptojmë se dija që zotërojmë është e pjesshme dhe e paplotë.
Shtrirja e maksimës së Sokratit në kohën e sotme
Pohimi i filozofit gjerman JürgenHabermas: “Kurrë nuk ka pasur më shumë dituri për paditurinë tonë” është plotësisht në përputhje me maksimën e Sokratit, por për dallim nga antikiteti sokratik, Habermasi këtë maksimë e zhvillon dhe e shtrin në kohën tonë, përkatësisht në modernitet. Është i famshëm, mbase një nga librat më të mirë në fushën e filozofisë, libri i Habermasit me titull “Diskursi filozofik i modernes”, i botuar rreth tridhjetë vjet më parë e që është një manual bazik për ta kuptuar kohën tonë.
Për dallim nga disa mendimtarë francezë, si Lyotar, Deleuze e të tjerë – të cilët shkruan shumë libra për të treguar se moderniteti është një projekt i kryer dhe i tejkaluar dhe se ne ka kohë që jetojmë në epokën postmoderne – Habermasi insiston në shpjegimin se moderniteti është një projekt i pakryer dhe paradoksalisht, këtë në mënyrën më lapidare e provon në intervistën e tij në lidhje me koronavirusin.
Të gjithë ne njerëzit e rëndomtë, por edhe shkencëtarët e fushave të ndryshme dhe madje edhe liderët politikë botërorë kemi shprehur habinë se si një virus mikroskopik e ka sfiduar kaq seriozisht civilizimin apo modernitetin tonë, madje deri në ato përmasa, sa me të drejtë po thuhet se ky virus ka shkaktuar krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se botën, apo modernitetin tonë e ka sfiduar seriozisht, duke e vënë në dyshim aftësinë apo kapacitetin tonë për t’u përballur me këtë sfidë.
Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.