Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kur Serbia i korrigjonte kufijtë në Kazanë e Preshevës

Nexhibe Hydaverdi (1937) është e lindur në Preshevë. Ajo këtu e ka kaluar rininë dhe është martuar në njërën nga familjet e shumta që në dimrin e vitit 1878 ishin dëbuar nga Vraja dhe kishin gjetur strehim në Preshevë.

Përveç rrëfimeve rrëqethëse që Nexhibja si nuse e re i kishte dëgjuar nga pleqtë e familjes së burrit, deri në këtë moshë ajo e ka pasur rastin që sa herë e ka vizituar Vrajën ta shohë shtëpinë e familjes së burrit, e cila akoma qëndron në qendrën e këtij qyteti.

Familja Hydaverdi edhe sot e kësaj dite e posedon tapinë e shtëpisë dhe pronave që dikur i ka pasur në Vrajë, por shpresat që ato t’i kthehen atyre janë shuar moti, shkruan Skënder Latifi në një artikull të tij botuar sot në Koha Ditore.

Qarku i Vrajës dhe Kazaja e Preshevës në dimrin e vitit 1878

“Myslimanët që kanë prona në territoret e aneksuara nga Serbia dhe dëshirojnë të jetojnë jashtë Principatës së Serbisë mund t’i mbajnë pronat e tyre, mund t’i mbyllin dyqanet apo ato mund t’ia japin në administrim palës së tretë“, thuhet në njërin nga paragrafët e Kongresit të Berlinit. Madje në po të njëjtin paragraf potencohet se një komision turko-serb do të ngarkohet që brenda afatit trevjeçar përveç tjerash ta rregullojë edhe çështjen e pronave. Por, ja që kanë kaluar 140 vjet dhe Nexhibja mund të afrohet vetëm përreth mureve të shtëpisë së dikurshme të vjehrrit të njohur ndër preshevarët si Halil aga. Rrëfimet për vuajtjet e familjeve shqiptare që me dhunë u dëbuan nga vise poshtë Nishit, Leskocit dhe Vrajës, thuajse argumentohen në tërësi në ditarët që komandantët e ushtrisë serbe i kanë botuar në vitet e para të përcaktimit të vijës kufitare midis Vilajetit të Kosovës dhe Principatës së Serbisë.

Në dimrin e vitit 1878 komanda ushtarake serbe i dha urdhër Korpusit të Shumadisë që të fusë nën kontroll Vrajën. Në fakt ofensiva e ushtrisë serbe paraqiste operacionalizmin faktik të programit të Naçertanijes së Garashaninit, me çka synohej bashkimi i tokave sllave. Edhe pse ushtria serbe mbështetur në vendimet e Kongresit të Berlinit duhej të përqendrohej në rrethinat e Vrajës, pjesëtarë të njësive pararendëse depërtuan deri në rrethinat e Bujanocit. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)