Kulturë

Kur Festivali i Filmit në Venecia ishte fashist

Ky vit shënon 90-vjetorin e Festivalit të parë të Filmit në Venecia, kur qyteti i lagunës italiane do të zhytet sërish në shkëlqimin dhe magjepsjen e industrisë së filmit.

Megjithatë, hijet e errëta varen mbi lindjen e festivalit, i cili filloi në vitin 1932. Presidenti i parë ishte Giuseppe Volpi, ish-ministri i Financave i diktatorit italian, Benito Musolini.

Qëllimi i tij i deklaruar ishte ta paraqiste festivalin si produkt të fashizmit dhe të theksonte fuqinë e tij kulturore novatore dhe rolin e tij si katalizator për eksperimente. “Një spektakël me pjesëmarrjen e Hollywoodit dhe një audiencë ndërkombëtare, festivali i filmit i dha regjimit një atmosferë shkëlqimi, moderniteti dhe stili,” shkruan studiuesja e filmit, Marla Stone.

Kur festivali u hap për herë të parë në 1932, ai u zhvillua nga 6-21 gusht në tarracën e hotelit “Excelsior” në ishullin Lido të Venecias. Megjithatë, vendi u bë shumë i vogël dhe “Palazzo del Cinema” (Pallati i Kinemasë) u ndërtua në afërsi. Që në vitin 1937, morën pjesë 60 mijë spektatorë.

Prania e shumë yjeve të Hollywoodit tërhoqi një audiencë të madhe që jo vetëm shikoi filmat, por edhe admiroi yjet në sfondin spektakolar të natës të Venecias.

Vala kozmopolite nuk do t'i mbijetonte shpërthimit të luftës. Duke filluar nga viti 1938, çmimet për filmin më të mirë të huaj shkuan vetëm për prodhime nga Gjermania naziste, aleatët fashistë të Italisë në atë kohë.

Juritë nuk ishin më të pavarura dhe festivali u bë një skenë propagande. Filmi famëkeq propagandistik antisemitik “Jud Süss” i Veit Harlan u shfaq premierë këtu në vitin 1940 dhe Joseph Goebbels, ministri i Propagandës së regjimit nazist, hapi festivalin personalisht.

I tronditur nga ky zhvillim, diplomati dhe historiani francez Philippe Erlanger themeloi festivalin e Cannes në Francë.

Në vitin 1942 do të zhvillohej një edicion i përkohshëm i Festivalit të Filmit të Venecias, i cili deri atëherë u quajt Festivali i Filmit Gjermano-Italian. “Nuk kishte të bënte me festivalin origjinal”, shtjellon ekspertja i filmit Stone. U lejuan të shfaqeshin vetëm filma nga Gjermania, Italia dhe aleatët e tyre.

Në revistat italiane të filmit, gazetarët vlerësuan faktin se nuk kishte më asnjë kinema të huaj “sipërfaqësore” që vinte nga Hollywoodi, por vetëm nga “kreativët tanë të kultivuar”. SHBA-ja kishte bojkotuar Festivalin e Filmit në Venecia, ku çmimi kryesor ishte “Coppa Mussolini” në atë kohë.

Sot festivali i filmit e ka shkrirë këtë të shkuar. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, festivali i famshëm i filmit rifilloi në vitin 1946. Që atëherë ai ka tërhequr kineast nga e gjithë bota.

Edicioni i 79-të i këtij viti do të hapet me një film nga Hollywoodi “Zhurma e Bardhë” e regjisorit amerikan Noah Baumbach, me yjet Adam Driver dhe Greta Gerwig.

Juria do të kryesohet nga aktorja amerikane, Julianne Moore. Së bashku me anëtarët e jurisë, ajo do të vendosë se kush do të marrë çmimin kryesor të lakmuar, i riemëruar prej kohësh, Luani i Artë.

Të ftuar të tjerë të famshëm që pritet të marrin pjesë janë: Timothee Chalamet, Sadie Sink, Olivia Wilde, Harry Styles, Ana de Armas, Hugh Jackman dhe Sigourney Weaver.