Qeveria britanike së fundmi ka miratuar ndërtimin e Memorialit të Holokaustit dhe Qendrës së Mësimit në Victoria Tower Gardens në rrethin e Westminsterit në Londër.
Qëllimi është të bëhet “një pikë fokale kombëtare që nderon 6 milionë burra, gra dhe fëmijë hebrenj që u vranë në Holokaust, dhe të tjera viktima të persekutimit nazist, përfshirë edhe romët, homoseksualët dhe njerëzit me aftësi të kufizuara”, ka bërë të ditur qeveria me anë të një deklarate.
Qendra e mësimit do të fokusohet edhe në gjenocidet e mëpastajme në Kamoxhia, Ruandë, Bosnjë dhe Darfur. Qeveria britanike ka njoftuar se hyrja do të jetë falas dhe do të mbetet e tillë “në vazhdimësi”. Ndonëse monumenti është “Memoriali i parë kombëtar i Holokaustit, ashtu sikurse edhe qendra e mësimit”, viktimave të Shoah u është dedikuar edhe Kopshti Memorial i Holakustit në Hyde Park të Londrës.
Planifikimi i monumentit ndërkall edhe disa kundërthënie. E nismuar nga kryeministri konservativ David Cameron më 2014, lokacioni i propozuar në zonën e Westminsterit në Londrën Qendrore fillimisht është hedhur poshtë nga autoritetet lokale më 2018, për shkak të afërsisë me monumente të tjera ashtu sikurse edhe për shkak të hapësirës së kufizuar në park.
Britania: shpëtimtarja e hebrenjve?
Qeveria konservative e kryeministrit aktual Boris Johnson ka zhvleftësuar vendimin e autoriteteve lokale më 2019, por lokacioni është kritikuar edhe nga akademikët. Në një letër drejtuar qeverisë në tetor të vitit të kaluar, 42 intelektualë nga universitete të ndryshme britanike kanë shprehur shqetësim se afërsia e strukturës me Parlamentin britanik si dhe me ngrehinat qeveritare në Westminster mund të përzmadhojë rolin që Britania ka luajtur në shpëtimin dhe mbrojtjen e viktimave të Shoah.
Ata brengosen që Mbretëria e Bashkuar mund ta portretojë veten si kombi heroik shpëtimtar i Evropës, që nuk do t’u bënte nder dekadave të tëra të kërkimit historik mbi Holokaustin.
Jean-Marc Dreyfus, profesor në Universitetin e Manchesterit, nuk e ndan të njëjtin shqetëism: “Memorial është tejet i vagullt për ta paraqitur kombin britanik si shpëtimtar”. Sidoqoftë, kjo vagulli është pikërisht çka trazon historianin dhe specialistin e studimeve mbi Holokaustin: “Memoriali nuk përfshin simbole të Shoah, ai duket skajshmërisht neutral. Ai mund të komemorojë diçka krejt të ndryshme”.
Dreyfus mendon se memoriali ka nevojë të lexohet në kontekstin e referendumit të Brexitit: “Memoriali funksionon për qeveritë konservative që nismuan dhe propozuan realizimin e saj si një lloj përligje për Brexitin: Shikoni, thotë ai, çfarë ngjau asokohe në Evropë – një Evropë në të cilën Britania nuk është pjesë”.
Përkujtimi global i Shoah
Andrea Löw, profesoreshë në Qendrën për Studime të Holokaustit në Munich, thotë se Shoah përkujtohet në mbarë botën: ka muze, qendra edukative dhe monumente në Cape Town dhe Sydney, në Amerikën Jugore dhe Budapest, në Izrael dhe Washington. “Ka diçka të tillë si përkujtimi global i Holokaustit”. Tani, historianët janë të brengosur sa i përket kalimit nga përkujtimi i ritualizuar në përkujtim të individualizuar, shpjegon ajo: “Unë tregoj rrëfimet e individëve, njerëzve të vërtetë që jetuan gjatë asaj kohe dhe iu desh të reagonin ndaj Holokaustit. Unë tregoj historitë e jetës që ata kishin më parë, ëndrrat që ata kishin për të ardhmen. Kurdo që e bëj këtë, askujt nuk i duket e mërzitshme. Secili është i interesuar”.
Kjo është arsyeja pse historianët gjithnjë e më shumë po punojnë me ditarë dhe njoftime nga periudha në fjalë, duke kronikuar jetët e atyre që jetuan gjatë periudhës naziste. Një shembull më i ri është historiania amerikano-hebreje Judy Batalion, që ka botuar një libër mbi luftëtaret hebrenje të rezistencës në getot gjermane në Poloninë e pushtuar. Të drejtat e filmit janë kërkuar nga legjenda e Hollywoodit, Steven Spielberg.
“Si historianë, ne konsiderojmë se është detyra jonë për të bartur mesazhin që dëshmitarët na kanë dhënë, tani kur të mbijetuarit po ndërrojnë jetë”, ka shpjeguar Andrea Löw. “Kjo është arsyeja pse të mbijetuarit na flisnin, kjo është arsyeja pse kaq shumë njerëz në getot gjermane nën okupimin nazist mbanin ditarë dhe shkruanin njoftime. Ishte dëshira e tyre që Shoah të mos harrohej”.
“Regjimi i urrejtjes”
Edhe Jean-Marc Dreyfus nga Universiteti i Manchesterit nënvizon rëndësinë e madhe të Qendrës së Mësimit që do të ndërtohet në Victoria Tower Gardens: “Ky është lajm i mirë. Përkujtimi i Shoah duhet të vazhdojë”.
Ai shpreson që kjo do të çojë drejt diskutimeve të ndryshme publike për Shoah në Britani, të tilla që të jenë të mbështetura në kërkime dhe fakte historike.
“Përkujtimi britanik i Holokaustit nisi shumë më vonë sesa në vendet e tjera perëndimore si Gjermania, Franca apo Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai. “Jo deri në vitet ’90 apo 2000. Dhe gjithnjë ka mbetur e turbullt”.
E kjo mund të ndryshojë tash. Ndërtimi i memorialit dhe qendrës edukative do të fillojë kah fundi i këtij viti dhe pritet të kushtojë 118 milionë euro, kurse do të hapen për publikun më 2025. Që të dyja janë të dizajnuara nga arkitekti David Adjaye me Ron Arad Associates dhe Gustafson Porter+Bowman. I mbijetuari britanik i Holokaustit, Ben Helfgott është shprehur krenar që memoriali i ri do të ndërtohet në zemër të kryeqytetit britanik: “E di që shumë kohë pasi unë dhe të mbijetuarit e tjerë të kemi ikur nga kjo botë, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të kujtojë Holokaustin dhe të mësohet se çfarë ngjau kur urrejtja sundonte”.