Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Kundërbota e Branko Merxhanit” si shteg për njohjen e figurës së shquar të botës shqiptare

“Kundërbota e Branko Merxhanit”, titullohet ekspozita që ka hapur Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë kushtuar njërës prej figurave më interesante, e në shumë aspekte më aktuale të mendimit dhe të publicistikës shqiptare. Në hapje të ekspozitës ishte e pranishme ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, akademikë, studiues e të tjerë.

“Fatkeqësisht Merxhani mbetet një figurë jo fort e njohur ndër ne, e aq më tepër për brezin e ri dhe ekspozita si kjo, e hapur në Bibliotekën Kombëtare, që përshkruajnë veprën e tij përmes shkrimesh në shtypin e kohës, dorëshkrimeve, debateve, materialeve të nxjerra nga fondi i BK-së dhe Arkivi Qendror i Shtetit, janë jo vetëm të mirëpritura, por edhe të domosdoshme për të njohur ideologët dhe mendimtarët tanë”, citohet të ketë thënë Margariti, raportojnë mediat shqiptare.

Ekspozita rindërton rrugëtimin e veprimtarisë 16-vjeçare të Merxhanit në Shqipëri, gjatë të cilit ai u bë një ndër figurat më ndikuese në botën kulturore shqiptare. Rrugëtimi fillon me shkrimet e tij të para në gazetën “Demokratia”, të botuar në Gjirokastër, duke filluar nga viti 1927.

Në këtë gazetë, Branko Merxhani botoi disa prej shkrimeve më të rëndësishme. Së bashku me mikun Vangjel Koça, kishin aty një faqe të veten, të titulluar “Lëvizja mendore”, në të cilën hodhën tezat e para të “Neoshqiptarizmës”, doktrinës së tyre për daljen e Shqipërisë nga varfëria dhe prapambetja e skajshme shekullore, nëpërmjet kulturës, arsimimit dhe emancipimit shoqëror.

Ekspozita pasqyron veprimtarinë e tij në disa prej organeve më të rëndësishme të shtypit të kohës, si te të përmuajshmet “Illyria” dhe “Minerva”, apo te “Koha e re”, e drejtuar nga Petro Marko. Por, emri i Branko Merxhanit lidhet, para së gjithash, me revistën e përmuajshme “Përpjekja Shqiptare”, të botuar prej tij nga viti 1936 deri në vitin 1939, vit ky kur ai largohet nga Shqipëria, pas pushtimit italian, për të mos u kthyer më kurrë. Kjo revistë ishte, pa dyshim, organi më me ndikim në botën intelektuale të asaj kohe. “E veçanta e kësaj ekspozite është përfshirja në të e një sërë materialesh arkivore origjinale, në saje të bashkëpunimit me Arkivin e Shtetit. Po ashtu, në të ekspozohet dorëshkrimi i një drame të tij të pabotuar”, raportojnë mediat në Shqipëri.

Gjatë ekspozitës u shfaq një dokumentar i shkurtër kushtuar figurës dhe veprës së Branko Merxhanit, i lindur në Turqi më 1894 e që vdiq më 1981 në New York. Ani pse konsiderohej si njëri ndër publicistët më të njohur të para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, për ironi, ka jetën më të mjegullt.