Kulturë

Kultura në betejë të përhershme për kapërcim në rajonin e fragmentarizuar

“A mund të krijojmë një kulturë të shëndoshë kritike në një rajon të fragmentuar” ka qenë titulli i diskutimit të së enjtes në kuadër të edicionit të katërt “Kosovo Theatre Showcase”. Me shembuj konkretë është ilustruar edhe fakti që në një rajon kësisoj, përjashtuar disa raste, kultura s’i ka shpëtuar shkëputjes a mungesës së komunikimit ndërkulturor

Regjion i fragmentuar vlerësohet jo rrallë Ballkani. Luftërat e viteve ’90 kanë bërë që t’i dalë tymi krejt akumulimit të pakënaqësive gjatë asaj që ishte Federata e Jugosllavisë. Arti e kultura shpesh mundohen që ta bëjnë veten urë komunikimi. Por nuk është e lehtë. Këtë e ka dëshmuar edhe fakti që regjisori boshnjak, Haris Pasoviq, të enjten nuk ka mundur të jetë i pranishëm fizikisht në panelin me titull “A mund të krijojmë një kulturë të shëndoshë kritike në një rajon të fragmentuar” të organizuar në kuadër të “Kosovo Theatre Showcase”. Është lidhur online, pasi që për të hyrë në Kosovë do t’i duhej të pajisej me vizë. Për këtë do të duhej të aplikonte në Tiranë a Shkup. E pasi të dorëzonte një mal dokumentesh, të shkonte prapë për ta parë nëse i është lejuar udhëtimi për një periudhë të caktuar.

që jemi në liri e demokraci nuk mund të lëvizim. Nuk është e lehtë të vihet në Kosovë nga Bosnja dhe anasjelltas”, ka thënë ai për të pranishmit në “Kino Armata” në Prishtinë, në një lidhje online nga Sarajeva. Në panelin e moderuar nga dramaturgu Jeton Neziraj, ku ka marrë pjesë edhe kritikja teatrore Natasha Tripney, që vepron në Mbretërinë e Bashkuar, e ka munguar dramaturgia e shkrimtarja Minja Bogavac nga Serbia.

Pasoviq ka treguar se është shumë e rëndë që të mohohet udhëtimi në kohën kur proklamohet demokracia e liria.

“Kam pasur kohë të mira në ish-Jugosllavi, por nuk jam nostalgjik. Para luftërave në ish-Jugosllavi nuk kishte probleme komunikimi dhe udhëtonim lirshëm. Në Sarajevë kemi pasur shfaqje nga krejt pjesët e ish-Jugosllavisë. Bile ka pasur emision në gjuhën shqipe çdo të hënë në Radio Sarajevë”, ka kujtuar ai.

Ai ka thënë se tash në Bosnjë e Hercegovinë nuk ka fonde për shkëmbime kulturore, as në nivel vendi e as nga ndërkombëtarët.

“Nëse je mik me politikën i merr financat, por nuk je fytyra jote. Nuk e kam ndërmend të komprometohem”, ka thënë ai.

Sipas tij, mediokriteti nuk është ekskluzivitet në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi apo Kosovë.

“Ju jeni vend ekologjik, pasi nuk shtypni asnjë gazetë. Shtypja e gazetave po ikën. Problemi është kush do të shkruajë për teatrin”, ka thënë ai me ironi, derisa ka folur për kritikën teatrore që, sipas tij, është zbehur shumë.

Por kur bëhet fjalë për kritikën e platformat ku shkruhet për teatër, Natasha Tripney ka promovuar platformën online “See Stage”. Sipas saj, kjo platformë do të shpërfaqë shkrime për jetën teatrore të Ballkanit.

“Mendoj se një platformë e tillë teatrore është shumë e nevojshme. Do të jetë në gjendje të nxjerrë në pah kontekste të ndryshme të vendeve të këtij regjioni. Do të jetë e hapur për shkrimtarë e artistë”, ka thënë ajo. Në këtë platformë tashmë ka tekste për shfaqje kosovare e aktorë shqiptarë. Po ashtu janë paralajmëruar edhe ngjarjet e “Kosovo Theatre Showcase”. Themeluesja është kritike e njohur në mediume të rëndësishme në Britani të Madhe dhe synon që përvojën e saj ta bartë në Ballkan. Platforma është parë si një nismë e mbarë e cila do të paraqesë botën teatrore të vendeve të ish-Jugosllavisë.