Kulturë

Kultura në 12 pikat e Qeverisë së re, prej teatrit e muzeve deri te diplomacia

Prishtinë, 4 shkurt – Janë gjithsej 12 pika për të cilat partnerët e koalicionit qeveritar janë marrë vesh për të qeverisur me kulturën për mandatin që Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti e ka marrë të martën.

Me Vlora Dumoshin ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qeveria e re synon që t’i realizojë disa projekte kapitale, që në fakt janë gjysma e atyre që kanë dështuar e janë premtuar ndër vite.

Katër prej projekteve kapitale janë bërë të ditura nga kryeministri Albin Kurti në ekspozenë e tij në Kuvendin e Kosovës, të martën. Ai ka përmendur ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, një projekt i dështuar tash një dekadë, e të shpenzuara kot mbi 1 milion euro.

“Do të themelojmë muzeun e krimeve gjatë luftës, muzeun e historisë dhe atë të arteve bashkëkohore. Do të rrisim subvencionet dhe do të avancojmë diplomacinë kulturore”, ka thënë kryeministri Kurti, disa orë para se ta merrte pozitën e re, duke shpalosur krejt pak nga programi bazë i Qeverisë.

Sipas marrëveshjes së partnerëve të koalicionit qeveritar VV dhe LDK, Qeveria do të bëjë rishikimin e skemës së funksionimit të institucioneve të kulturës qendrore e asaj lokale, përfshirë skemën e financimit të qëndrueshëm të tyre.

“Trashëgimia kulturore do të përfshijë ndryshimin e Ligjit për trashëgimi kulturore për të themeluar qendrën nacionale për trashëgimi kulturore, që do të shërbejë si ombrellë e të gjitha institucioneve të trashëgimisë kulturore”, shkruhet në marrëveshje. Themelimi i fondit për hulumtime në fushën e trashëgimisë për financimin e kuadrove deficitare në fushën e trashëgimisë dhe për restaurim të objekteve të trashëgimisë kulturore, është një tjetër pikë e marrëveshjes.

Digjitalizimi i materialit të arkivave shtetërore e materialeve arkeologjike, rishikimi i skemave të subvencionimit të institucioneve kulturore bazuar në kritere të qarta dhe mbi bazën e orientimeve programore të Qeverisë e integrimi i arsimimit kulturor dhe artistik në arsimin parauniversitar, janë tri pika të tjera të marrëveshjes për qeverisje. Sipas marrëveshjes, diplomacia kulturore do të avancohet duke emëruar më shumë atashe kulturorë në ambasada dhe duke u përgatitur për aplikim e anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Rritja e subvencionimit për artistë të pavarur dhe ngjarje kulturore, mbështetja për zgjerimin e rrjetit të kinemave publike, e reformimi i politikave për librin, si dhe mbështetja për bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” janë po ashtu pikat e marrëveshjes sa i përket kulturës.

Por ende pa u votuar Qeveria partitë opozitare kanë nisur ta kritikojnë atë edhe për fushën e kulturës.

(Gjerësisht,sot në “Kohën Ditore”)