Në Programin e Qeverisë kultura dhe trashëgimia kulturore zënë më pak se dy faqe. Shkruhet për përmirësim të gjendjes së institucioneve, por asnjëherë nuk jepet ndonjë plan i detajuar se si do të veprohet. Krejt çfarë mund të konsiderohet risi është themelimi i institutit kulturor. Por për ata që janë akterë në kulturë, Qeveria ka folur vetëm për gjëra të përgjithshme. “Kanë thënë diçka për të mos thënë asgjë”, ka thënë një prej personave kryesorë të kulturës së pavarur në vend
Tejet sipërfaqësore dalin të jenë planet e Qeverisë për kulturën dhe trashëgiminë kulturore për katër vjetët që vijnë. Në Programin e Qeverisë kultura dhe trashëgimia kulturore zënë më pak se dy faqe. Shkruhet për përmirësim të gjendjes së institucioneve, por asnjëherë nuk jepet ndonjë plan i detajuar se si do të veprohet. Krejt çfarë mund të konsiderohet risi është themelimi i institutit kulturor. Por për ata që janë akterë në kulturë e trashëgimi kulturore, Qeveria ka folur vetëm për gjëra të përgjithshme.
Në Programin e miratuar nga Qeveria të premten, kultura zë vend në faqe 48, nga 56 sa janë gjithsej.
Te kapitulli “Arti dhe kultura si kontribuues qenësorë në mirëqenien sociale e ekonomike” tregohet se Qeveria do të mbështesë artin dhe kulturën duke investuar në infrastrukturën fizike, në veçanti sa i përket Teatrit Kombëtar, Baletit Kombëtar, Bibliotekës Kombëtare, Galerisë Kombëtare, galerisë “Qafa”, Filharmonisë së Kosovës, ansamblit “Shota”, “KosovaFilmit”, si dhe ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit.
“Gjithashtu, do të bëhet edhe rishikimi dhe plotësimi i kornizës ligjore. Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë me të gjithë hisedarët në fushën e artit dhe kulturës për të finalizuar dhe miratuar Strategjinë për Kulturë. Do të themelojmë institucionet si Teatrin e Operës dhe Baletit dhe Institutin Kulturor”, shkruhet aty. Nuk jepet kurrfarë afati e as nuk tregohet se çfarë funksioni do të ketë instituti kulturor. Më pas tregohet se Qeveria do të angazhohet për zhvillimin e kapaciteteve institucionale për qëndrueshmëri financiare dhe administrative të institucioneve shtetërore të kulturës, për rishikimin e politikës për skenën e pavarur, përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional dhe zhvillimin e diplomacisë kulturore për promovim të identitetit shtetëror. Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti nuk ka përfshirë në Program zotimet e shkruara të fushatës zgjedhore. Në Programin elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje, pari kjo së cilës i takon edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, parashihte “ideim të Teatrit të ri Kombëtar” e po ashtu edhe “Muze Arkeologjik”. Ideimi i Teatrit të ri Kombëtar ishte përmendur edhe në fjalën e kryeministrit Kurti kur kërkonte votat e deputetëve për kabinetin qeveritar, më 22 mars. Por në Programin e ri nuk zënë vend këto zotime elektorale. Te zotimet gjatë fushatës elektorale, VV-ja pretendonte se do të formonte kinema në komuna. As kinematë nuk zënë vend në Programin e Qeverisë.
Për pjesën e kulturës në këtë program, dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se krejt çka është shkruar në këtë copë teksti, me pak përjashtime “duket një lloj nebuloze”. “Janë aq gjëra të përgjithshme, saqë vërtet s’lënë hapësirë për komentim. Kanë thënë diçka për të mos thënë asgjë!”, ka thënë Neziraj, i cili drejton qendrën “Multimedia”.
Kapitull i veçantë në Program është “Mbështetja për librin dhe veprimtarinë botuese”. Aty shkruhet se Qeveria do të lehtësojë qasjen ndaj librit dhe do të nxisë shprehitë e leximit në të gjitha nivelet e arsimimit. Por nuk tregohet se si do të nxitet shprehia e leximit. “Do të mbështesë librin nëpërmjet financimit të botimit të titujve të rinj, blerjes së librave nga botuesit, mbështetjes së përkthimeve, botimit të veprave me vlerë të veçantë kulturore, mësimore dhe shkencore, shpërndarjes së tyre në biblioteka dhe do të mbështesë botimin e revistave letrare”, shkruhet në këtë kapitull. Ministria e Kulturës tradicionalisht çdo vit mbështet botimet e reja, blen libra për biblioteka dhe përkrah revistat kulturore. Qeveria i bie të zotohet për vazhdim të punëve që bëhen ndër vite. Kur flitet për veprimtarinë botuese, Qeveria sqaron se do të fuqizohen zbatimi dhe respektimi i të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta duke përmirësuar kornizën ligjore, uljen e piratërisë fizike dhe asaj digjitale, si dhe nëpërmjet promovimit, edukimit dhe rritjes së respektit për të drejtën e autorit. “Qeveria gjithashtu do të rrisë bashkëpunimin rajonal, si dhe me Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale dhe me shtetet anëtare të saj me qëllim të përfitimit nga programet e saj të trajnimit dhe anëtarësimit”, shkruhet në Program.
Sa i përket trashëgimisë kulturore, planet e Qeverisë për këtë fushë përmblidhen në kapitullin “Mbrojtja dhe zhvillimi i trashëgimisë kulturore”. Aty shkruhet se me qëllim të fuqizimit të mbrojtjes dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore në përputhje me konventat evropiane dhe kartat ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës do të bëjë rishikimin dhe plotësimin e Kornizës ligjore.
“Për qëndrueshmëri të trashëgimisë kulturore do të funksionalizohen mekanizmat për menaxhimin dhe monitorimin sistematik të gjendjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore. Gjithashtu, Qeveria do të angazhohet në rregullimin e statusit të mbrojtjes së përhershme për të gjitha kategoritë e trashëgimisë kulturore dhe përmirësimin e gjendjes fizike të monumenteve të trashëgimisë kulturore në rrezik dhe funksionalizimit të tyre”, shkruhet në Program. Qeveria nuk ka treguar se cilët janë mekanizmat që nuk funksionojnë. E as se si do të bëhet funksionalizimi i tyre. Ekzekutivi pretendon se do të punojë në planifikimin e integruar të zonave të veçanta të mbrojtura dhe zonave të tjera me interes të veçantë në nivelin qendror dhe atë lokal, si dhe do të angazhohet në promovimin e trashëgimisë shpirtërore si komponent për ngritje të vetëdijes dhe edukim të gjeneratave të reja.
“Do të rriten kapacitetet duke përfshirë kapacitetet e muzeve të Kosovës dhe themelimi i muzeve të reja”, shkruhet aty. Por nuk tregohet se cilët do të jenë muzetë e rinj. MKRS-ja ka nisur punën për ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës tash dy vjet. Kur proceduralisht kanë nisur përgatitjet për shndërrim të ish-Burgut të Prishtinës në muze. “Për të arritur këto më lart, është e nevojshme të punohet në ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe profesionale, si dhe në efikasitetin e shërbyesve civilë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Do të angazhohemi në krijimin e programeve të edukimit formal dhe joformal rreth trashëgimisë dhe diversitetit kulturor, si dhe ngritjes së vetëdijes në fushën e trashëgimisë kulturore dhe natyrore”, shkruhet në Program.
Sali Shoshi, i cili udhëheq Fondacionin kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij “CHëB Kosova”, ka thënë se në Programin e Qeverisë gjenden prioritetet e duhura që duhet të trajtohen. Sipas tij, bëhet fjalë për problematika që ekzistojnë në këtë fushë dhe me planin e detajizuar duhet të ketë indikator[ në mënyrë që të shihet se çfarë arrihet nga viti në vit.
“Pas disa vjetësh me lista të përkohshme duhet të kemi listë të përhershme të trashëgimisë kulturore. Për herë të parë janë prioritete të duhura të një Qeverie. Janë prioritet që si shoqëri civile i kemi kërkuar”, ka thënë ai. Sipas tij, mbetet që ky program të shoqërohet me plan detal, pasi duhet edhe plani i veprimit. “Tash duhet të shohim a mund ta shoqërojmë planin me përgatitje të njerëzve për t’i përmbushur këto nevoja. Ne e kemi parë se institucionet ekzistuese nuk janë të afta t’i kryejnë këto punë. Duhet të ketë një risistemim”, ka thënë ai.