Kulturë

Kultura e trashëgimia kulturore në Kosovë edhe sivjet me ligje të vjetra

Prishtinë, 20 gusht – Të paktën edhe këtë vit teatrot e Kosovës, institucionet e trashëgimisë kulturore, Filarmonia dhe Baleti Kombëtar i Kosovës do të vazhdojnë të funksionojnë me ligjet aktuale. Projektligji për teatro, ai për trashëgiminë kulturore dhe ai për filarmoninë, operën dhe baletin sipas planit legjislativ është dashur të dorëzohen në Qeveri më 28 qershor.

Por një gjë e tillë nuk është bërë. Më 19 qershor, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të vendit duke bërë që bashkë me të, të bjerë edhe Qeveria. Sipas Ministrisë së Kulturës, projektligjet janë të gatshme, por aktualisht nuk mund të procedohen në Qeveri. Në anën tjetër, 6 tetori është caktuar si dita kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Si pasojë e kësaj, edhe nëse projektligjet i përcillen Qeverisë së re, ato nuk do të mundë të shkojnë në Kuvend të paktën deri në fillimin e vitit tjetër. Kësisoj do të veprohej nëse Qeveria e re do të ishte e pajtimit që ligjet aktuale që rregullojnë këto fusha kanë nevojë të plotësohen.

Ministri i Kulturës në detyrë, Kujtim Gashi, ka thënë se projektligjet janë të gatshme dhe se do të procedohen në Qeverinë e re. Por sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi ka thënë se deri në mot projektligjet nuk mund të shkojnë në Kuvend. Ai ka përmendur edhe mundësinë që Qeveria e ardhshme të ketë tjetër agjendë.

“Qeveria e ardhshme mund t’i procedojë si të tilla, natyrisht nëse ministri i ri nuk kërkon plotësim eventual”, ka thënë ai.

Ligji aktual për teatrot është në plotësim me qëllimin që të rregullohet statusi juridik dhe financiar i teatrove publike të qyteteve dhe të ndahen përgjegjësitë dhe obligimet ndaj tyre. Ligji aktual për teatro kishte hyrë në fuqi në fillim të vitit 2012. Çështja më e diskutueshme mbetet nëse teatrot e qyteteve duhet të jenë nën vartësi të MKRS-së sikurse para vitit 2012 apo të vazhdojnë të jenë nën varësi të komunave.

Në korrik të vitit të kaluar, Ministria e Kulturës i ishte rikthyer hartimit të Projektligjit për trashëgimi kulturore. Brenda gjashtë vjetëve për herë të tretë ky institucion kishte nisur tentimin të hartojë një dokument, i cili do të vinte edhe rregulla të reja sa u përket ruajtjes e menaxhimit të trashëgimisë kulturore.

Projektligji për filarmoninë, operën dhe baletin do të zëvendësonte atë të vitit 2006.

(Gjerësisht, sot në Kohën Ditore")