Gjuha, letërsia dhe kultura arbëreshe luajnë një rol të rëndësishëm në gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Nisur nga rëndësia e saj, Seminari Ndërkombëtarë për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare i ka kushtuar një kujdes të veçantë kësaj çështjeje, ku në dy javët e organizimit të tij, janë mbajtur disa tryeza dhe ligjërata ku është folur për gjuhën dhe kulturën e arbëreshëve të Italisë.
Në kuadër të kësaj, në ditën e nëntë të Seminarit është mbajtur një tryezë me temën “Perspektiva e studimeve arbëreshe”, ku është folur për studimet arbëreshe, autorët dhe studiuesit arbëreshë, si dhe ekspeditat që studiuesit e sotëm të Shqipërisë i kanë bërë në Kalabri.
Diana Kastrati, profesoreshë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, foli për librin e Jup Kastratit, “Jeronim de Rada: Vepra historiko– filologjike”. Fillimisht ajo tregoi për periudhën kur Kastrati nisi të interesohej për shkrimet dhe studimet e arbëreshëve.
“Profesor Kastrati ka filluar të interesohet për Jeronim de Radën dhe studimet arbëreshe qysh kur ka qenë vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç, atëherë kur ka mbajtur shënimet e para për interesat që kishte për letërsinë arbëreshe dhe figurat kryesore të kësaj letërsie”, ka treguar Diana Kastrati, e cila po ashtu ishte edhe e bija e Jup Kastratit.
Edhe
Arbëreshët midis kohëve përballë narrativës së re
Pas kësaj, Kastrati foli edhe për përmbajtjen e këtij libri, i cili ngërthente brenda vetes dokumentet të shumta dhe të rëndësishme të De Radës.
“Në këtë libër kemi të bëjmë me një profil gati 360 gradësh të profileve të formimit të De Radës. Lidhja e tij me emrat më të spikatur të fushës së kulturës jo thjesht në Itali midis arbëreshëve, jo thjesht midis albanologëve, por edhe midis figurave më të spikatura të kohës, na jep një profil shumë të qartë dhe jo vetëm”, ka thënë ajo para të pranishmëve në sallë.
Sipas saj, deri tani ka pasur shumë e shumë libra e studime kushtuar De Radës, por në “Jeronim de Rada: Vepra historiko– filologjike”, ai vjen më i plotë se kurrë.
“Mbi De Radën dhe për De Radën janë botuar dhe janë bërë studime të pafundme, jo thjesht vetëm nga shqiptarët, por edhe nga vetë arbëreshët dhe albanologët e huaj. Në këtë rast De Rada na vjen i plotë ku përfshihen veprat gjuhësore ose artikujt e shkruar me fokus gjuhësor, të dhënat e tij për shkollën shqipe, për historinë e kolonive shqiptare, si dhe mbi identitetin dhe identitetet e përftuara nga ana e arbëreshëve”, shpjegoi Kastrati.
Lidhur me çështjen e arbëresheve, Silavana Nini, e cila ka të studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe e cila merret me studimin e veshjeve tradicionale, ka mbajtur një fjalim me temën “Një rrugëtim etnografik mbi veshjet e arbëreshëve të Italisë së jugut”.
Edhe
Studiuesit bashkohen për t’i “peshuar” hulumtimet për arbëreshët
Krahas vizatimeve të këtyre kostumeve të vizatuar nga vetë ajo, Nini foli për llojet e ndryshme të këtyre veshjeve.
“Ndarja në tipa e kostumit të grave mbështet në elementet përbërëse të pjesës së sipërme nga mesi i poshtë i veshjes. Këto tipa paraqiten me variante të larmishme, duke krijuar grupime të bazuara në ngjashmërinë stilistike dhe formale të tyre në lidhje edhe më zonat gjeografike, ku janë të vendosura komunitetet arbëreshe”, ka bërë të ditur Nini.
Sipas saj, pavarësisht se veshja tradicionale ka dalë nga përditshmëria dhe faktit se ajo ka humbur kontekstin tradicional të përdorimit, dëshira për ta përdorur atë është ende e fortë edhe sot.
Tutje ajo ka folur edhe për ndikimet e jashtme të cilat kanë ndikuar në zhvillimin e kësaj veshjeje.
Edhe
Abrneshët e Zarës – tre shekuj në mbrojtje të identitetit
“Ndër faktorët kryesorë që ndikuan në zhvillimin e kostumit të nuses/festës së gruas arbëreshe do të rendisim: pozitën gjeografike të ngulimeve arbëreshe; marrëdhënien midis komuniteteve arbëreshe të afërta; elementin e përbashkët gjuhësor dhe kulturor; krijimin e shtresave më në gjendje ekonomike dhe ndikimin e formave të veshjes vendase”.
Në këtë seancë ishte paraparë që të fliste edhe Genc Lafe, por në mungesë të tij, studimi i tij i titulluar “Studimet arbëreshe të Maximilian Lambertzit dhe vlera e tyre” u lexua nga Edmond Cane.