Kulturë

Kultura dhe rinia – të përjashtuara nga fuqia për imazhin e Prishtinës

Ftesa për ta imagjinuar “një qytet ku kaosi bëhet inspirim për inovacion dhe rrugët jehojnë me ritmet e një kulture dinamike të drejtuar nga të rinjtë”, është zgjeruar në identifikim problemesh. Njëri prej tyre, se kultura e rinia – si potencial për dinamizim të qytetit – janë të përjashtuara kur merren vendime. Ka shembuj konkretë ku arti dhe të rinjtë, pikërisht te kaosi i Prishtinës diktojnë ndryshime, por kur vjen puna te vendimmarrja, potenciali i tyre zbehet

Në kohën kur nevojat dhe kërkesat e të rinjve po përshpejtohen dhe qasja ndaj tyre duhet të jetë më inovative duke filluar nga proceset e ndërtimit të qyteteve dhe përfshirja e të rinjve, “Architech”, kërkon përgjigje përballë sfidave. Ose së paku e hap temën për to. Kaosi i Prishtinës është pikënisja. “Prishtina – qyteti ku rinia, teknologjia dhe arti përplasen në kaosin urban”, ka qenë tema e diskutimit me të cilin të enjten mbrëma është përmbyllur i katërti edicion i festivalit, organizuar nga Youth Are the Real Leaders – YARL. Ka qenë një seri punëtorish e panelesh diskutimi që sivjet, qysh në prill ka sjellë “Architech”.

Eliza Hoxha, arkitekte dhe deputete në Kuvendin e Kosovës, e ka hapur diskutimin duke ofruar njohjen me procesin e ndërtimeve të qyteteve si për ta adresuar fillimisht vetë problematikën e cila ka rezultuar në një kaos urban në kryeqytet.

“Në shumë procese që kam qenë dikur e përfshirë, si në hartimin e planeve për qytete të ndryshme, ka qenë një gjë që gjithmonë më ka brengosur: E para, që jo gjithmonë procesi është gjithëpërfshirës sidomos të rinjtë dhe sektori i kulturës si software të qytetit i cili e dinamizon atë, zakonisht janë arkitektët gjeologët, sociologet, ekonomiste, inxhinierë, por asnjëherë të rinjtë dhe spektri kulturor”, ka thënë Hoxha duke shtuar se të rinjtë janë potencial që nuk voton dhe si të tillë, nuk përbëjnë interes për politikëbërësit.

Në fakt një temë si kjo – siç ishte paralajmëruar në ftesë – ka qenë ftesë për ta imagjinuar “një qytet ku kaosi bëhet inspirim për inovacion dhe rrugët jehojnë me ritmet e një kulture dinamike të drejtuar nga të rinjtë”. “Zbuloni se si të rinjtë e Prishtinës po riformësojnë peizazhin e qytetit, duke përdorur zhvillimin e teknologjisë dhe kreativitetin artistik në çdo cep të qytetit”, shkruhej në ftesë.

Gjatë diskutimit është trajtuar edhe roli i teknologjisë e cila ushtron një ndikim thelbësor dhe transformues në rini, duke formuar mënyrën se si ata perceptojnë aspekte të ndryshme dhe se si ndërveprojnë. Pavarësisht se u vlerësua roli i saj si një mjet i fuqishëm për komunikim, shprehje të lirë dhe qasje në informacion, duke ua mundësuar të rinjve të lidhen me perspektiva të ndryshme dhe komunitete globale, megjithatë ka edhe anën negative. Një prej tyre: çakordimi midis botës virtuale dhe asaj reale. Teknologjia vazhdon të zhvillohet me hov dhe ndikimi i saj te rinia bëhet gjithnjë e më evident, duke kërkuar kështu biseda të vazhdueshme rreth përdorimit të përgjegjshëm dhe dimensioneve etike të hapësirës digjitale.

E një gjë të tillë është komentuar edhe nga Rron Beqiri, arkitekt dhe asistent në Fakultetin e Arkitekturës, duke theksuar pasivizimin e të rinjve si rezultat i udhëve të shkurtra nëpërmjet teknologjisë.

“Ana negative e teknologjisë është se po e minimizon kontributin direkt të të rinjve, sepse një pjesë e madhe e këtij kontribut po i shkon virtualisht, por në fakt ne jemi qenie sociale që i kryejmë punët fizikisht dhe si të tillë duhet të gjejmë mënyra të duhura që na mundësojnë kontributin maksimal, por duke i përqafuar zhvillimet e reja”, ka thënë ai.

Sa u përket strategjive të planifikimit urban të cilat përmbushin nevojat dhe kërkesat e të rinjve në Prishtinë në këtë diskutim u trajtua dhe diagnoza urbane si hap në të cilin duhen përfshirë të rinjtë.

“Roli një arkitekti apo planifikuesi urban prek një vijë jetësorë edhe të një gjenerate që nuk ka lindur ende, duke filluar nga spitalet, aty ku lind jeta e deri te varrezat prandaj, çdo vijë, çdo ngjyrë që ne vendosim është e rëndësishme”, ka thënë Eliza Hoxha, duke potencuar rëndësinë e projektimit urban të qytetit, procese këto për të cilat sipas saj flitet shumë pak në diskursin publik.

Për kompleksitetin e planifikimit urban, duke marrë për shembull rastin kritik të gjendjes në kryeqytet, Hoxha ka veçuar për rëndësinë që bartë planifikimi urban i bërë në mënyrë të duhur e gjithëpërfshirëse.

“Metrat katrorë nuk vlejnë për cilësinë e banimit. Një banor në tokë, në qytet është banor edhe në hapësirat e punës, në parqe në çdo hapësirë ku jetojmë, andaj ky koncept duhet të ndryshohet, sepse banimi nënkupton edhe parkingjet, hapësirat e lojës e çdo ambient që na rrethon”, ka thënë Hoxha. Për ta ndryshuar situatën, Hoxha ka nënvizuar rëndësinë e iniciativës nga vetë qytetarët me aksione të ndryshme nëpërmjet artit apo iniciativave të ndryshme individuale e kolektive

“Mendoj që krejt rrëfimin për Prishtinën mund ta ndërrojmë bashkë, sidomos nga të rinjtë prej të cilëve pres energjinë dhe vlimin për ndryshim”, ka thënë Hoxha.

Rron Beqiri ka thënë se diskutime si këto ndihmojnë rreth përfshirjes së të rinjve dhe mbi të gjitha, debatit për hapësirat banuese si elemente vitale për qytetarët.

Në mes të këtij diskursi të pasur dhe sfidues mbi kaosin urban dhe rolin thelbësor të rinisë, është bërë e qartë se vetë biseda është një katalizator për ndryshim. Derisa diskutohet rreth kompleksitetit të peizazheve urbane që zhvillohen me shpejtësi, zërat e rinisë dalin si arkitektë të transformimit, duke mbështetur zgjidhjet inovative dhe të ardhme të qëndrueshme.