Kulturë

Kullashi: Franca “zbuloi” praninë e shqiptarëve në Kosovë në vitet ‘90

Akademik Muhamedin Kullashi ka thënë se ishin pikërisht vitet ’90 kur çështja e Kosovës nisi të marrë frymë në kryeqytetin francez. Themelimi i Komitetit të Kosovës në Paris, nga ai bashkë miqtë e tij, do të hapte një tjetër epokë. “Është dashur të ketë arrestime e dënime dhe të merret vesh se ka shqiptarë në Kosovë. Gradualisht u rritën shtresat e hapësirës publike që nisën të interesohen për Kosovën... Zbulimi i pranisë së shqiptarëve në Kosovë ka shkuar paralelisht me zbulimin e krimeve të Serbisë në Kosovë”, ka thënë ai

Për një pjesë të elitës franceze, Jugosllavia ishte thjesht njëfarë Serbie e zgjeruar. Madje, deri në fillim të viteve ’90, pak e fare dihej se në Kosovë, që ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, jetonin shqiptarë. Marrëdhëniet e mira të kultivuara me dekada midis Serbisë dhe Francës kishin bërë që në sytë e atyre që kishin ndikim publik në Francë, Serbia të ishte një vend i zhvilluar e Jugosllavia një Federatë që kishte hequr dorë nga të shkuarit në rrugën e Bashkimit Sovjetik. Përshtypjet e politikanëve, diplomatëve e intelektualëve francezë krijoheshin në bazë të vizitave që bënin në Beograd, Zagreb a Lubjanë. Aty përfundonte njohja e realitetit në Federatën që kishte 6 republika e dy krahina.

Në shpjegimet e akademik Muhamedin Kullashit për këtë perceptim francez, situata, sipas tij, ishte përmbysur në vitet ’90.

Nën organizimin e organizatës “ETEA” në qendrën “Libart” në Prishtinë, të martën është mbajtur diskutimi “Takim me akademik Muhamedin Kullashin”.

Nën moderimin e Zjarr Bujarit, Kullashi ka folur për librin e tij “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës”, i promovuar në qershor të këtij vitit, botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Akademiku, i lindur në Pejë më 1949, ka studiuar për filozofi dhe letërsi franceze në Fakultetin Filozofik të Zagrebit. Prej vitit 1974 deri më 1991 ligjëroi në Degën e Filozofisë dhe të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Më 1983, në Fakultetin Filozofik të Zagrebit mbrojti disertacionin e doktoratës kushtuar koncepcionit të metafilozofisë së Henri Lefebvreit. Në vitin 1991 u dëbua nga Universiteti i Prishtinës, bashkë me kolegët e tjerë shqiptarë, nga regjimi i atëhershëm serb. E prej atij viti do të zhvendosej në Paris, ku prej 1992 deri në vitin 2017 ligjëroi në Departamentin e Filozofisë në Universitetin “Paris 8”.

Kullashi ka thënë se ishin pikërisht vitet ’90 kur çështja e Kosovës nisi të marrë frymë në kryeqytetin francez. Themelimi i Komitetit të Kosovës në Paris, nga ai bashkë miqtë e tij, do të hapte një tjetër epokë.

“Është dashur të ketë arrestime e dënime dhe të merret vesh se ka shqiptarë në Kosovë. Gradualisht u rritën shtresat e hapësirës publike që nisën të interesohen për Kosovën”, ka thënë ai.

Sipas Kullashit, përshtypjet e Francës lëvizin nga qarqe të ndryshme. Ka thënë se duhet marrë parasysh lidhjet e forta të Francës me Serbinë.

“Serbia ka ditur të jetë në anën e aleateve në dy luftërat botërore. Pastaj me decenie nga Serbia kanë studiuar në Francë. Janë lidhje të forta. Përshtypja e francezëve për Jugosllavinë ka qenë se është njëfarë Serbie e zgjeruar”, ka thënë ai.

Fat të madh në fatkeqësi e ka përshkruar faktin se agresioni serb kishte marrë jehonë në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë para Kosovës.

“Opinioni ishte i përgatitur me krimet në Kroaci e Bosnjë. Kemi pasur takime të rregullta me deputetë. Kemi njoftuar Parlamentin dhe Senatin për atë që ndodhte. Informatat i kishim nga KMDLNJ-ja”, ka sqaruar ai. Sipas tij, ndërhyrjet ushtarake të Serbisë kanë bërë që t'i ndërrojë imazhi.

“Ajo që ka ngjarë gjatë viteve ‘90 ka bërë që edhe perceptimi për Kosovën të ndërrojë. Zbulimi i pranisë së shqiptarëve në Kosovë ka shkuar paralelisht me zbulimin e krimeve të Serbisë në Kosovë”, ka thënë ai. Sipas Kullashit, gazetarët që ishin këtu kanë parë spastrim etnik. Ka përmendur faktin se në Kroaci nuk ka pasur ndërhyrje ndërkombëtare e në Bosnjë ka pasur dështim në intervenim.

“Këto dështime janë akumuluar në qarqe të ndryshme. Kosova shihej si një version i ri i krimeve serbe”, ka thënë ai.

Ka treguar se ish-presidenti i Francës, Jacques Chirac, kishte vendosur që të bashkëpunonte me NATO-n për të intervenuar në Kosovë, pavarësisht se Franca nuk ishte pjesë e kësaj aleance ushtarake. Sipas tij, Chirac në këtë rast kishte vepruar ndryshe nga François Mitterrandn, i cili kishte qëndrim proserb sa i përket luftës në Bosnjë-Hercegovinë.

Kullashi, i cili prej vitit 2008 deri në vitin 2016 ishte ambasador i Kosovës në Francë, ka folur edhe për rrethanat aktuale politike në Francë, Bashkimin Evropian e Kosovën. Ka thënë se në zgjedhjet e fundit presidenciale në Francë diskutimi për migrimin ka qenë ndër faktorët kyç. Sipas tij, pavarësisht rrethanave politike të shteteve të Kontinentit të Vjetër, një realizëm elementar politik nuk duhet t’i largojë ambiciet e Kosovës drejt Evropës.

“Ka qëndrim politik se Ballkani duhet të jetë në BE. Raportet e Progresit me sa kam parë unë janë relativisht objektive. Qarqet proserbe kanë për qëllim ta paraqesin Kosovën sa më zi. Raportet e Progresit kanë objektivitet”, ka thënë ai.

Forcën e qarqeve serbe dhe ruse në diplomaci e ka shpjeguar nëpërmjet një rasti. Më 2014 Kosova ishte pranuar si anëtare vëzhguese në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë e më pas më 2018 si anëtare e asocuar. Kullashi ka treguar se nuk ka qenë proces fare i lehtë.

“Në përgatitje të procesit, në seli të organizatës nuk ka pasur kundërshtime. Verës ka ndodhur diçka. Në Samit, dhjetë shtete kanë qenë kundër. Sekretari u befasua që kishte vende kundër, pasi ajo çështje ishte zierë prapa. U kuptua se ishte loja e Rusisë me vendet afrikane”, ka thënë ai. Ka sqaruar se ish-presidenti francez, François Hollande, e kishte kuptuar se ndikimi është i madh nga Rusia.

“Hollande u kishte dërguar mesazh shefave të dhjetë vendeve, duke iu treguar se Franca do që Kosova të jetë. Asnjë vend më pas nuk doli kundër”, ka thënë ai. Kullashi ka këshilluar që të kultivohen raportet ndërshtetërore midis Kosovës dhe aleatëve të saj. Ka thënë se Kosova ka pasur mbështetje nga vende të fuqishme në dy dekadat e fundit.

“Raportet nëse nuk kultivohen, dobësohen. Serbia e do këtë. Serbia punon për t'i prishur ato raporte”, ka thënë ai. Sipas Kullashit, Serbia është e vetëdijshme se nuk mund të intervenojë ushtarakisht në Kosovë, pasi nuk mund të luftojë me NATO-n. Sipas tij, lufta diplomatike është ajo që përdor tash fqinji verior i shtetit më të ri në Evropë.