Në hap me tezat e filozofit francez Michel Foucault, që epokën e tanishme e cilësonte si “epoka e hapësirës”, konferenca 12-të ndërkombëtare, që shënoi Ditën Botërore të Filozofisë, këtë vit pati në fokus elaborimin e problemeve që lidhen me “Kthesën hapësinore në filozofi” nga perspektivat e ndryshme, qoftë nga ato teorike apo ato praktike, qoftë mikset që janë transt/inter-disiplinare. Konferenca gjithëditore, e mbajtur në ambientet e Fakultetit Filozofik në Prishtinë, këtë vit bëri bashkë njohësit e filozofisë dhe të arkitekturës, por jo vetëm.
Konferenca e organizuar nga Fakulteti Filozofik në bashkëpunim me Shoqatën e Filozofëve të Kosovës, e mbajtur në format të kombinuar, online dhe fizik, nisi me kumtesën e Jeff Malpas, filozof nga Australia, aktualisht profesor në Universitetin e Tasmanisë, në Hobart dhe po ashtu profesor në Universitetin Latrobe, në Melburn. Malpas i përket traditës së mendimit post-Kantian, veçanërisht traditës hermeneutike dhe fenomenologjike, por gjithashtu është marrë edhe me problematikat e filozofisë analitike, që kanë të bëjnë me gjuhën dhe mendjen. Në këtë konferencë ai erdhi me temën “’The Antropology’ of the World: Heidegger, Char, Camus”.
Kryetari i Shoqatës së Filozofëve të Kosovës, Astrit Salihu, ka thënë se Malpas, por edhe të tjerët që ishin të përfshirë në organizim dhe mbarëvajtje të kësaj konference, kanë tematizuar një teme shumë aktuale.
“Se ajo është e rëndësishme tregon edhe përgjigjja që kemi marrë pasi që kësaj konference i janë përgjigjur Jeff Maipas, Graham Harman, Jonathan Hale, Luka Janes, pra kemi emrat të themi më respektabil, që merren me problematikën e hapësirës dhe të tipologjisë së qenies, e këtu preken edhe aspektet ontologjike po natyrisht edhe çështjet që lidhen me arkitekturën. Pra kemi pasur edhe prezantues nga Fakulteti i Arkitekturës”, ka thënë ai.
Sipas tij, tema si e tillë i ka dhënë konferencës një karakter multidisiplinar. “Besojmë që kjo ka qenë njëra ndër konferencat me të suksesshme që kemi pasur dhe shpresojmë ta vazhdojmë në këtë frymë”, ka thënë ai.
Salihu, i cili njëherësh është edhe profesor i filozofisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, u prezantua edhe vetë në konferencë. “Peter Sloterdijke: spacializimi i ekzistencës”, ka qenë tema e tij.
Pas tij u paraqit Jonathan Hale me temën “The Tectonic Sensibility in Architecture: From the Pre-human to the Post-human”. Ai është arkitekt dhe profesor i teorisë së arkitekturës, në departamentin e Arkitekturës dhe Ndërtimit të Mjedisit, në Universitetin e Nottinghamit, drejtues i grupit për kërkim në arkitekturë, kulturë dhe tektonikë (ACT). Kurse interesat e tij hulumtuese përfshijnë: teorinë dhe kritikën arkitekturore; fenomenologjinë dhe filozofinë e teknologjisë; marrëdhënia midis arkitekturës dhe trupit; muzetë dhe ekspozitat arkitekturore. Pas tij me kumtesë u paraqit profesoresha e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, Ardita Byci-Jakupi. Ajo u fokusua te “Dimensioni mendor dhe shpirtëror i vendit – një qasje fenomenologjike në arkitekturë dhe urbanizëm”.
Byci-Jakupi ka thënë se konferencat çdo herë kanë rëndësi të madhe për studiuesit në vend. Mirëpo ka theksuar se këtë konferencë e veçon fakti se për herë të parë kjo konferencë mund të konsiderohet më interdisiplinare.
“Pra është futur edhe arkitektura. Nëse bazohemi në temën e konferencës – ‘Kthesa hapësinore në filozofi’, ajo na përcjell edhe neve në arkitekturë sepse, e ceka edhe në fillim të prezantimit, zakonisht filozofët janë ata që neve arkitektëve na ushqejnë me idetë botëkuptimet e tyre dhe ne në një farë formë tentojmë t’u japim përgjigje atyre ideve, përmes formësimeve tona arkitektonike”, ka thënë ajo.
Konferenca vazhdoi me kumtesën “Spatial Character of the Body in Merleau-Ponty’s Reflection Psychopathological Enderavor” të Luka Janes nga Universiteti i Zagrebit e me “Space and Architecture in Object-Orientes Ontology” nga Graham Harman. Graham Harman është profesor eminent i Filozofisë dhe Koordinator i Programit të Arteve Liberale në Institutin e Arkitekturës në Kaliforninë Jugore në Los Angeles. Puna e tij në fushën e metafizikës së objekteve dërgoi në zhvillimin e një mënyre të re në disiplinën e ontologjisë, e cila njihet me emrin “Ontologji e Orientuar nga Objekti”.
Ai është gjithashtu është njëri ndër figurat kryesore të lëvizjes së re në filozofinë bashkëkohore, që njihet si “realizmi spekulativ”. Graham Harman është fituesi i çmimit “AUC Excellence in Research Award” për vitin 2009. Në vitin 2015 nga “ArtReview” ai u cilësua si njëri ndër zërat më të fuqishëm në botën e artit. Ndërsa nga The Best Schools, në listën e tyre alfabetike, ai u listua ndër 50-të filozofët e gjallë më me ndikim.
Në konferencën me kumtesë u paraqit edhe studentja Gjiltinë Isufi nga Universiteti “KU Leuven” në Belgjikë. Studentja e arkitekturës u paraqit me temën me titull “Hapësira e brendshme dhe vetja: Në kërkim të Foucault te Rue de Vaugirard”.
“Ka qenë një nder i madh që në mesin e profesorëve të filozofisë kam pasur ftesë nga Shoqata e Filozofëve të Kosovës që të marr pjesë. Për mua është një mundësi jashtëzakonisht e mirë, mirëpo mendoj që edhe hulumtimi, të cilin e kam bërë në fushën e arkitekturës, ka qenë i rëndësishëm të prezantohet këtu, pasi që prek edhe fushën e filozofisë”, ka thënë ajo. Sipas saj kjo temë që ka sjellë është një rrëfim interesant që edhe audiencës ka mundur t’i sjellë një perspektivë tjetër, atë prej fushës së arkitekturës. “Po ashtu mendoj se të gjithë folësit e tjerë, si ata ndërkombëtar, por edhe ata nga Kosova, kanë pasur tema jashtëzakonisht interesante dhe përgjatë gjithë ditës më është pasuruar edhe imazhi që kam mbi filozofinë”, ka thënë ajo.
Dita Botërore e Filozofisë e shpallur nga UNESCO ka për qëllim promovimin e shkëmbimeve akademike në lidhje me filozofinë. Shënohet çdo vit në të enjten e parë të nëntorit. Për herë të parë u shënua më 21 nëntor të 2002-s.