Dhjetëra vepra të artistëve rusë, janë bllokuar në Korenë e Jugut, për shkak të anulimit të fluturimeve pas invadimit të Rusisë në Ukrainë. Bëhet fjalë për disa prej atyre që konsiderohen edhe kryevepra si ato të Kandinskit, Kazimir Malevichit, Alexander Rodchenkos, të cilat prej dhjetorit të vitit të kaluar kanë qenë të ekspozuar në Muzeun e Artit “Sejong” në Seul.
Pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë më 24 shkurt, shumë vende perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anëtarët e Bashkimit Evropian, kanë vënë sanksione ndaj Rusisë.
Ekspozita në Seul përfundoi të dielën, por pikturat u bllokuan në kryeqytetin e Koresë së Jugut, pas anulimit të fluturimeve, ka thënë për agjencinë e lajmeve AFP, njëri prej organizatorëve të ekspozitës. Ka shtuar se megjithatë veprat janë bërë gati që të kthehen.
Në mesin e pikturave të bllokuara janë edhe “Improvizimi 4” i Kandinskit e vitit 1909 sikurse edhe “Suprematizmi” i Malevichit që daton prej viteve 1915 – 1916.
Këto vepra ishin huazuar për ekspozitën në Seul nga katër institucione shtetërore ruse, si Muzeu Shtetëror në Nizhny Novgorod dhe Muzeu i Artit Pamor në Ekaterinburg.