Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kritika muzikore e fasadës

Lidhjet mes miqsh dhe lidhjet mes personave që ndajnë interesa të përbashkëta e dërrmojnë skenën edhe ashtu të brishtë dhe kollaj të thyeshme. Në rastin konkret, pa meritë dhe në mënyrë tejet tendencioze atakohet orkestra simfonike e Kosovës, e vetmja në vend. Një perspektivë patetike mjeshtërore e tillë mund të vijë “kaq bukur” vetëm nga qarqet akademike të Tiranës

1.

Se niveli i interpretimeve dhe koncerteve klasike, respektivisht realizimeve të veprave emblematike dhe jo vetëm të literaturës muzikore botërore në Prishtinë nuk është në majat e interpretimeve referente në këtë fushë, është fakt që s’do koment. Kjo mund të dallohet edhe nga një vesh joprofesionist por i kultivuar dhe ndjekës i aktiviteteve të tilla, sidomos tani kur incizimet e tilla janë kollaj të qasshme.

Në përpëlitjet për të ngritur një portal të kritikës muzikore shqiptare, absolutisht i nevojshëm për skenën muzikore, së fundi lexova një kritikë po aq të “fasaduar” sa edhe konstatimi se institucioni më i lartë muzikor në vend, Filarmonia e Kosovës, fshihet prapa “fasadës” mes dështimit dhe triumfit në paraqitjen e saj të fundit (23.10.2018).

Ky artikull (“Fitoret dhe humbjet e një fasade” - i botuar në opusalb.com më 24.10.2018 me autor: Nestor Krajën) i shkruar mbi koncertin e Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës me solistin mysafir Rudens Turku (violinist) dhe dirigjentin Gregory Charette, qe pjesë e kalendarit të rregullt të sezonit 2018/19 e njëherësh edhe koncert i realizuar në bashkëpunim me “Kosova Kamerfest 2019”. Në program u interpretua koncerti për violinë i romantikut gjerman Max Bruch, suita simfonike "Shehrezadja" nga Nikolai Rimski - Korsakov dhe premiera e “Uverturë shqiptare” e kompozitorit të ri Hajrullah Syla.

Edhe Filharmonia historike në Varshavë me mesazh identiteti e tradite Shtojca për Kulturë 4 muaj më parë Filharmonia historike në Varshavë me mesazh identiteti e tradite

2.

Dhjetorin e shkuar po ky portal i kritikës muzikore (po me të njëjtin autor), i cili paralelisht nxjerr në publik edhe lajme nga muzika “dëfryese”, lartësoi paraqitjen e Korit dhe interpretimin e veprës "Missa in tempore belli" nga Haydn nën drejtimin e dirigjentit Rafet Rudi. Glorifikimi kishte shkuar deri aty sa mund të zgjonte edhe kureshtjen e vet Haydnit në botën e përtejme.

Natyrisht sërish ndonjë problem të vogël që qe shfaqur rrugës në koncert iu adresua orkestrës. Koncerti pa dyshim qe arritje për Filarmoninë e Kosovës, megjithatë hiperbolizimi qe i panevojshëm. Kjo sepse, për të arritur në perfeksion, skenës muzikore shqiptare (Kosovë e Shqipëri) i duhen shekuj të tërë. Edhe atëbotë kisha shprehur qëndrimin, glorifikimi është i panevojshëm po aq sa edhe konstatimi se gjoja interpretimi qe një dështim. Madje konstatimi i fundit ishte absolutisht i pabazë. Çështja është se kritika në rrethanat e Kosovës, por edhe të Shqipërisë, duhet të jetë e sinqertë dhe e zhveshur nga interesat, çfarëdo qofshin ato. Në Kosovë dhe Shqipëri çdo mysafir është yll skene, çdo koncert është i suksesshëm, çdo aktivitet është i mirorganizuar, ani pse e vërteta mund të jetë ndryshe. Edhe kjo nuk është e shëndetshme për skenën dhe zhvillimin e ecjen përpara.

Në llafet e tavolinave, aty ku ne si shoqëri “rrahim” problemet e përditshme deri tek politikat shtetërore, thuhet e vërteta mes thashethemeve, por jo rrallëherë ato bëhen në baza njohjesh e interesash dhe prandaj me kalimin e viteve bëjmë xhiro në vend dhe vështirë ecim para.

3.

Kështu ndodh edhe me gazetarinë/kritikën për (jo) “dostat” dhe kjo është kollaj e dallueshme në kritikën shqiptare, sidomos për ata që njohin pak a shumë personalitetet e muzikës në Kosovë e Shqipëri.

Lidhjet mes miqsh dhe lidhjet mes personave që ndajnë interesa të përbashkëta e dërrmojnë skenën edhe ashtu të brishtë dhe kollaj të thyeshme. Në rastin konkret, pa meritë dhe në mënyrë tejet tendencioze atakohet orkestra simfonike e Kosovës, e vetmja në vend. Një perspektivë patetike mjeshtërore e tillë mund të vijë “kaq bukur” vetëm nga qarqet akademike të Tiranës.

Edhe Filharmonia merr pesë instrumentistë, tentimi i radhës për violonçelist Kulturë 3 j. më parë Filharmonia merr pesë instrumentistë, tentimi i radhës për violonçelist

Orkestra ka problemet e saj dhe ka hapësirë për përmirësime tek frymorët, tunxhi, perkusionet, harqet etj. “Në pjesën më të madhe harqet nuk përballonin teknikisht partiturën”, thuhej mes tjerësh në shkrim dhe pastaj koncert-mjeshtëri (apo spala) nuk paska qenë në nivelin e duhur dhe në perfeksionin që duhej të luhej parti solo i violinës te vepra kërkuese e Korsakovit. Po ashtu u komentua edhe vepra e kompozitorit te ri Hajrullah Syla, si e paarrirë dhe se në raste si këto duhet përzgjedhje më e kujdesshme nga ata që udhëheqin institucione të tilla.

Drejtuesit e këtij institucioni e kanë sjellë këtë orkestër në nivelin për të guxuar të vendoset një vepër e tillë në repertor. Puna për të ecur dhe çuar këtë institucion përpara nuk bëhet për mburrje, por është mision i kujtdo që merr përsipër një detyrë të tillë dhe në rastin konkret, kjo është dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme. Koncert-mjeshtri i kësaj orkestre, Visar Kuçi, është violinisti e muzikanti më i dalluar në shumë gjenerata ndër shqiptarë dhe për faktin se është i tillë, duke jetuar në Prishtinë, ftohet të paraqitet me orkestra evropiane përkrah instrumentistëve nga e gjithë bota.

Orkestra funksionon në hapësira të vogla dhe të papërshtatshme dhe në të tilla kushte rriten gjeneratat e reja të muzikantëve në Kosovë e megjithatë puna vazhdon dhe dëshira për të shkuar tutje është aty, si domosdoshmëri për zhvillimin e mëtutjeshëm të orkestrës.

Realizimi mund të mos jetë perfekt, por kjo është rruga drejt së ardhmes së ndritur të kësaj orkestre. Dhe ja pse ky nuk është dështim, sepse kjo orkestër ka guxuar dhe ka realizuar një interpretim korrekt të një vepre emblematike dhe duke guxuar do të ecë përpara.

Kur është fjala te kompozitorët e rinj, seleksionim veprash ka, por megjithatë ka pak krijimtari në Kosovë. Kjo sepse, nuk stimulohen krijuesit e rinj pothuaj nga askush, përveç Filarmonisë dhe disa iniciativave të vogla. Nuk duhet të harrohet fakti se Kosova ka një zbrazëti të madhe mes gjeneratave të krijuesve dhe me shumë vështirësi e ka kapërcyer mungesën e krijuesve të rinj për vite të tëra, andaj gjenerata e re duhet të stimulohet. Do t’u vijë koha edhe seleksionimeve strikte.

4.

Në fund, në kritikën shqiptare do të doja të shihja sinqeritetin të pranishëm mes rreshtash që thuren për të lartësuar ose jo ata që kanë guximin të ngjiten në skenë. Jo kritikën e cila mbron dhe fasadon miqtë, edhe kur nuk ka bazë dhe nxjerr vrer në etër për të tjerët.

Edhe “Okarina” e çon zërin e Kosovës në skenat më prestigjioze të Gjermanisë Kulturë 4 j. më parë “Okarina” e çon zërin e Kosovës në skenat më prestigjioze të Gjermanisë

Dardan Selimaj

Autori është menaxher i Filarmonisë së Kosovës