Diadema e hollë prej ari, e zbukuruar nga mjeshtrit me gurë të çmuar, rreth 1500 vjet më parë, ishte një nga artefaktet më të vlefshme në botë nga sundimi gjakmarrës i Attila Hun, i cili kishte depërtuar thellë në Evropë me luftëtarët me kuaj në shekullin e 5-të.
Diadema Hun tashmë është zhdukur nga Muzeu në Ukrainë që ishte strehë për të - ndoshta, historianët do të frikësohen përgjithmonë. Trupat ruse kanë hequr kurorën e paçmueshme dhe një grumbull thesaresh të tjera pasi pushtuan qytetin ukrainas të Melitopolit në shkurt, thonë autoritetet e muzeut.
Muaji i tetë i pushtimit rus në Ukrainë po shoqërohet me shkatërrimin dhe plaçkitjen e vendeve historike dhe thesareve në shkallë industriale, kanë njoftuar autoritetet ukrainase.
Në një intervistë për Associated Press, ministri për Kulturë i Ukrainës, ka njoftuar se ushtarët rusë kanë bartur artefakte nga gati 40 muze në Ukrainë. Plaçkitja dhe shkatërrimi i objekteve kulturore kanë shkaktuar humbje që vlerësohet të jenë qindra miliona euro (dollarë), ka shtuar ministri Oleksandr Tkachenko.
"Qëndrimi i rusëve ndaj trashëgimisë kulturore ukrainase është një krim lufte”, ka thënë ai.
Edhe
Zyrtarët rusë përgjegjës për grabitjen e muzeve të Ukrainës
Qeveria e Ukrainës dhe mbështetësit e saj perëndimorë që furnizojnë me armatim, për momentin janë të fokusuar kryesisht në mposhtjen e Rusisë në fushën e betejës. Por kur të kthehet paqja, ruajtja e koleksioneve të artit, historisë dhe kulturës ukrainase do të jetë jetike, kështu që të mbijetuarit e luftës mund të fillojnë luftën tjetër: rindërtimin e jetës së tyre.
“Këto janë muze, ndërtesa historike, kisha. Gjithçka që është ndërtuar dhe krijuar nga gjeneratat në Ukrainë”, ka thënë zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, në shtator kur ka vizituar një muze ukrainas në Nju-Jork. “Kjo është një luftë kundër identitetit tonë”.
Punëtorët në Muzeun e Historisë Lokale në Melitopol fillimisht ishin përpjekur ta fshihnin diademën “Hun” dhe qindra thesare të tjera kur trupat ruse sulmuan qytetin jugor. Por pas kërkimeve të përsëritura me javë, ushtarët rusë më në fund kanë zbuluar bodrumin sekret të ndërtesës, ku ekipi kishte hequr objektet më të çmuara të muzeut – përfshirë edhe diademën “Hun”, sipas një punëtori në muze.
Punëtori që ka folur për AP-në në kushte anonimiteti pasi frikësohej nga ndëshkimi rus madje edhe për diskutimin e ngjarjes, ka thënë se ukrainasit nuk e dinë se ku e morën rusët gjithë materialin, përfshirë këtu kurorën dhe rreth 1700 objekte të tjera.
E gërmuar në vitin 1948 nga një dhomë varrimi, kurora ishte një nga vetëm disa të tilla në gjithë botën. Punëtori i muzeut ka thënë se thesaret e tjera që u zhdukën me ushtarët rusë përfshijnë 198 pjesë ari 2400-vjeçare nga epoka e “skithëve”, nomadë që migruan nga Azia Qendrore në Rusinë jugore dhe Ukrainë dhe themeluan një perandori në Krime.
“Këto janë të gjetura antike. Këto janë vepra arti. Ato nuk janë të çmuara”, ka thënë Oleksandr Symonenko, kryehulumtues në Institutin e Arkeologjisë në Ukrainë. “Nëse kultura zhduket, është një fatkeqësi që nuk riparohet”.
Ministria e Kulturës në Rusi nuk u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me koleksionin “Melitopol”.
Forcat ruse kanë plaçkitur muzetë edhe derisa kanë hedhur mbeturina në portin Mariupol të Detit të Zi, sipas zyrtarëve ukrainas që u dëbuan nga ky qytet jugor, i cili u godit pamëshirshëm nga bombardimet ruse. Ai ra nën kontrollin e plotë të Moskës në muajin maj, kur u dorëzuan mbrojtësit e Ukrainës, që ishin vendosur pas fabrikës së çelikut në qytet.
Këshilli i qytetit të Mariupolit, në ekzil ka thënë se forcat ruse kanë grabitur më shumë se 2000 artefakte nga muzetë e qytetit. Ndër më të çmuarat ishin ikonat e lashta fetare, një rrotë unike e Toras e shkruar me dorë, një bibël dhe mbi 200 medalje, ka thënë këshilli.
Edhe
Ukraina kërkon ndihmë për përvetësimin rus të Parkut Arkeologjik në Krime
Janë grabitur edhe vepra arti të piktorëve Arkhip Kuindzhi i lindur në Mariupol dhe Ivan Aivazovsky i lindur në Krime, të dy të njohur për peizazhet e plazhit, ka njoftuar këshilli në ekzil. Ata kanë thënë se trupat ruse kanë shpërndarë gjërat e vjedhura në rajonin e okupuar të Donetskut në Ukrainën lindore.
Pushtimi ka shkaktuar edhe dëme e shkatërrime të mëdha në trashëgiminë kulturore të Ukrainës. Agjencia kulturore e Kombeve të Bashkuara po mban një listë të vendeve të goditura nga raketa, bomba dhe granata. Me luftën tashmë prej tetë muajsh, agjencia ka thënë se janë verifikuar dëmtime në 199 vende në 12 regjione.
UNESCO ka bërë të ditur se në listë përfshihen 84 kisha dhe objekte të tjera fetare, 37 ndërtesa të rëndësishme historike, 37 ndërtesa të aktivitetit kulturor, 18 monumente, 13 muze dhe 10 biblioteka.
Lista e Qeverisë së Ukrainës është edhe më e gjatë, ku autoritetet thonë se numërimi vetëm për ndërtesat fetare të shkatërruara dhe të dëmtuara shkon deri të paktën 270 të tilla.
Derisa forcat pushtuese kërkonin thesare për t’i vjedhur, punëtorët në muzetë ukrainase bënë çfarë kanë mundur për t’i mbajtur ato larg nga duart e rusëve. Dhjetëra mijëra artefakte janë evakuuar larg vijave të frontit dhe rajoneve të goditura nga luftimet.
Në Kiev, drejtorja e Muzeut të Thesareve Historike në Ukrainë kishte qëndruar në objekt gjatë javëve të para të pushtimit për të ruajtur artefaktet, kur përpjekjet e rusëve për të rrethuar qytetin nuk kishin rezultuar me sukses.
“Ne ishim të frikësuar nga okupatorët rusë, sepse ata shkatërrojnë gjithçka që mund të identifikohet si ukrainase”, ka kujtuar drejtorja Natalia Panchenko.
Nga frika se trupat ruse do të sulmonin qytetin, ajo ishte përpjekur t’i konfuzonte ata duke hequr pllakën në hyrje të muzeut. Ajo gjithashtu kishte çmontuar ekspozitat dhe i kishte paketuar artefaktet me kujdes në kuti, për evakuim.
Edhe
Ukraina në kërkim të artit të plaçkitur pas pushtimit rus
Ajo shpreson se një ditë ata do të kthehen në vendin e tyre të drejtë. Për momentin, muzeu po ekspozon vetëm kopje.
“Këto gjëra ishin të ndjeshme, ato kanë mbijetuar për qindra vjet. Ne nuk mund të qëndronim me mendimin se ato mund të humbisnin”, ka thënë ajo.