Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kosova ngjyros përditshmërinë në Venecia

Është njëfarë rrëmuje urbane dhe jo vetëm, e nxjerrë në stilin e artistit Jakup Ferri. Njerëz që ecin, luajnë, sodisin e kafshë të ndryshme që përbëjnë mozaikun e jetesës zënë vend te veprat e Ferrit të cilat mbi të gjitha paraqesin shpresë. Titullohet “Monumentaliteti i përditshmërisë”, që ka zënë vend në Pavijonin e Kosovës i hapur zyrtarisht të enjten, në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Është prezantimi i pestë i Kosovës në këtë ngjarje

Duken vizatime të thjeshta në shikim të parë. Të paraqitura në piktura e tapiceri kanë veshur krejt hapësirën e ndarë për Kosovën. Shpërndarja duket jo pak kaotike. Kësaj radhe shteti më i ri i Evropës, nëpërmjet artistit Jakup Ferri, ka dërguar “gjithçka” në edicionin e sivjetmë të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Të enjten pasdite, kur “Monumentaliteti i përditshmërisë” ka hapur dyert zyrtarisht, vizitorëve u është krijuar mundësia që të shohin detaje të jetesës së njerëzve e të kafshëve.

Është njëfarë rrëmuje urbane dhe jo vetëm, e nxjerrë në stilin e artistit Jakup Ferri. Njerëz që ecin, luajnë, sodisin e kafshë të ndryshme që përbëjnë mozaikun e jetesës zënë vend te veprat e Ferrit të cilat mbi të gjitha paraqesin shpresë. Harmonia që shfaqet në Pavijonin e Kosovës, të kuruar nga gjermania Inke Arns është në kontrast me pavijonin fqinj, atë të Ukrainës. Aty vjen fryma e ngecjes dhe e zymtësisë.

Shumëngjyrëshmëria e Ferrit

Deri më 27 nëntor të këtij viti vizitorët e ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë mund t’i shohin veprat që në Bienale nëpërmjet thjeshtësisë ndërlidhin jetën njerëzore dhe në mënyrë të hollë bëjnë thirrje për paqe. Kombinimi i pikturave me tapiceri dhe mbulimi i dyshemesë me qilima e bëjnë Pavijonin e Kosovës në “Sale d’armi” të Arsenales vibrant, siç është përshkruar qysh para hapjes.

“Monumentaliteti i përditshmërisë” i shkon fort për shtati edhe temës qendrore të sivjetme, “The milk of dreams” (Qumështi i ëndrrave). Veprat shumëngjyrëshe të Ferrit pos të tjerash prekin edhe ëndrrat. Në hapje, Ferri i cili jeton midis Holandës e Kosovës, siç edhe e ka zakon nuk ka folur fare. Ju takon atyre artistëve që nuk e luajnë modestin, por është i tillë. As në një komunikim me KOHËN, disa orë pas hapjes, nuk ka pranuar të flasë.

Edhe Pavijoni i Kosovës në Venecia merr vëmendje nga politikanë evropianë Kulturë 4 v. më parë Pavijoni i Kosovës në Venecia merr vëmendje nga politikanë evropianë

E ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në fjalën e hapjes ka thënë se institucioni që ai udhëheq është i kënaqur që Kosova sivjet përfaqësohet nga Ferri.

“Në këtë strukturë gjigante, puna e tij e mrekullueshme dhe shumëngjyrëshe, e përhapur në një përzierje të mediumeve të arteve, si qëndisja në tapiceri dhe piktura e bën Pavijonin tonë një nga më shumëngjyrëshit në Bienalen e Venecias”, ka thënë Çeku. Por, sipas tij, e veçanta e punës së Ferrit është monumentaliteti i paraqitjes. Sipas tij, bëhet fjalë për momente të thjeshta të jetës që paraqiten në mënyrë kreative.

“Këto vepra artistike që na përcjellin nëpër skena të ndryshme të jetës sonë të përditshme, na kujtojnë gjithashtu se sa të rëndësishme për ekzistencën tonë dhe për qenien tonë janë këto momente përcaktuese e njëkohësisht të thjeshta”, ka thënë Çeku.

Sipas tij, veprat e Ferrit u përgjigjen shumë qartë tri temave kryesore që shtron Bienalja e 59-të e Venecias: paraqitjen e trupave dhe metamorfozat e tyre, marrëdhëniet midis individëve dhe teknologjive dhe lidhjen midis trupave dhe Tokës.

“Kur do të ecni nëpër këtë hapësirë, do të gjeni secilën nga këto tema duke u zbërthyer deri në thelb...”, ka thënë Çeku.

Image
Kombinimi i pikturave me tapiceri dhe mbulimi i dyshemesë me qilima e bëjnë Pavijonin e Kosovës në “Sale d’armi” të Arsenales vibrant, siç është përshkruar qysh para hapjes

Dialogu me surealitetin

Në herën e pestë me radhë kur Kosova inauguroi Pavijonin në ngjarjen më të madhe të artit bashkëkohor në botë, hapësira ishte e mbushur plot. Kryesisht me vizitorë nga Kosova, por edhe të huaj. I pranishëm qe edhe presidenti i Bienales, Roberto Cicutto. Hapësira ku shtrihen veprat e Ferrit është përgatitur nga studioja “Nitsche” dhe ka marrë pak a shumë formën e një nëndetëseje. Koordinatori për marrëdhënie me publikun, Engjëll Berisha, ka thënë se koncepti është ndërtuar duke u bazuar në veprat e Ferrit.

“I gjithë ekipi ishim jashtëzakonisht të kënaqur me prezantimin që e kemi realizuar pas një pune shumë të gjatë”, ka thënë Berisha. Sipas tij, edhe presidenti i Bienales, Cicutto, është befasuar nga paraqitja vibrante e Pavijonit.

Siç ka shpjeguar kuratorja Inke Arns në një tekst të saj kuratorial, Ferri i prezanton pikturat, qëndisjet dhe qilimat në një instalacion të madh specifik për lokacionin. Sipas saj, shumë prej vizatimeve të Ferrit, në të cilat janë të vendosura qëndisjet dhe pikturat, tregojnë skena të përditshmërisë që përfshijnë kafshë, fëmijë, akrobatë, muzikantë dhe aktivitete sportive, si noti, zhytja dhe çiklizmi.

Edhe Kosova me ngjyra vibrante afër zymtësisë së Ukrainës në Venecie Kulturë 4 v. më parë Kosova me ngjyra vibrante afër zymtësisë së Ukrainës në Venecie

“Dhe pastaj është ky aspekt i gjuhës popullore që kthehet në surealitet ose magji, si kafshët që flasin ose bëjnë muzikë, njerëzit që kthehen në zogj, njerëzit që bëjnë muzikë për kafshët apo edhe bëhen kafshë ose krijesa hibride. Shumë shpesh ka ndërlidhje poetike ndërmjet njerëzve, kafshëve dhe objekteve, të cilët e shikojnë njëri-tjetrin dhe kështu krijojnë vija të shikimit – si dialogë të heshtur – duke sugjeruar mënyra të reja potenciale të bashkëpunimit dhe komunikimit”, ka shkruar kuratorja gjermane. Tapiceritë e punuara me dorë nga seria e punimeve “Tintirinti” (2021) janë rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë midis artistit dhe djalit të tij Jipit. Është pak a shumë paraqitja që Ferri kishte pasur edhe në ekspozitën e tij personale në gusht të vitit 2020 në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Paralele me Ukrainën “fqinje”

Të pranishëm në hapjen e Pavijonit me komisioneren Alisa Gojani-Berisha, midis të tjerësh kanë qenë edhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, deputeti dhe kryetari i Komisionit parlamentar për kulturë, Ardian Gola, e deputetet Eliza Hoxha e Vlora Dumoshi. Ambasadorja Haxhitasim ka përshëndetur në pranishmit gjatë hapjes, përderisa deputeti Gola ka thënë se paraqitja e Kosovës në Bienale tregon edhe për potencialin kreativ të shtetit. Po të enjten nëpërmjet Facebookut kryeministri Albin Kurti ka përmendur sukseset e Kosovës në art dhe kulturë midis të cilave edhe pjesëmarrjen në Bienale. Sipas Kurtit, “arti është ura lidhëse me botën”, përderisa këtë vit e ka përshkruar si vit të promovimit ndërkombëtar të Kosovës.

Afër hapësirës vibrante në Kosovës është edhe Pavijoni i Ukrainës. Përfaqësohet nga artisti Pavlo Makov, i cili vjen nga një prej qyteteve më të goditura nga lufta, qyteti i dytë për nga madhësia në Ukrainë, Kharkiv.

Image
Në herën e pestë me radhë kur Kosova inauguroi Pavijonin në ngjarjen më të madhe të artit bashkëkohor në botë, hapësira ishte e mbushur plot. Kryesisht me vizitorë nga Kosova, por edhe të huaj. I pranishëm qe edhe presidenti i Bienales, Roberto Cicutto

Është titulluar “Fountain of Exhaustion. Acqua Alta” (Shatërvani i lodhjes. Ujë i lartë) nën kurim të Lizaveta German, Maria lanko e Borys Filonneko.

Historia e “Shatërvanit të lodhjes” ose rraskapitjes daton nga vitet ‘90 në Kharkiv. Infrastruktura e tij e rrënuar, tipike për qytetin post-sovjetik, ndërprerjet e vazhdueshme të furnizimit me ujë dhe hapësirat publike të neglizhuara kontribuuan në një atmosferë që ambienti të shndërrohej në rrëmujë. Asnjë nga shatërvanët publikë në Kharkiv nuk funksiononte. Sipas përshkrimit të Pavijonit, njëherë një aksident shkaktoi një ndërprerje katërjavore të furnizimit me ujë dhe përmbytje të mëvonshme. Ato ngjarje u bënë mjediset e zhvillimit të artistit Makov. Ai u fokusua në temën e lumenjve, shatërvanëve e liqeneve. Rrëmuja që do të paraqitet nga artisti ukrainas tash mund të shërbejë veç si një siluetë të asaj që është shndërruar qyteti i tij prej fundit të shkurtit e deri tash si një prej qendrave më të goditura nga lufta midis Rusisë dhe Ukrainës. Tash është një tjetër stuhi, ajo e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Përfaqësuesit rusë në Bienale sivjet kanë hequr dorë nga pjesëmarrja duke e lënë bosh alamet hapësire në Giardini.

Ukrainën e ka përmendur edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në fjalën e tij gjatë ceremonisë së hapjes së Pavijonit.

“Është shumë emocionuese të jesh fqinj me pavijonin e Ukrainës, pasi të dyja vendet tona kaluan dhe po kalojnë përvoja të ngjashme të tmerrshme. Pavijoni ynë është gjithashtu një shenjë e rilindjes dhe e elasticitetit, dhe ne shpresojmë që fqinjët tanë të kalojnë këtë përvojë të tmerrshme që po jetojnë dhe të ngrihen përsëri më të fortë se kurrë”, ka thënë Çeku, derisa ka falënderuar krejt ekipin kosovar në Venecia.

Edhe “Monumentaliteti i përditshmërisë” nga Venecia në Prishtinë Shtojca për Kulturë 4 v. më parë “Monumentaliteti i përditshmërisë” nga Venecia në Prishtinë

Janë 80 shtete që përfaqësohen me pavijone në edicionin e sivjetmë krahas ekspozitës kolektive që ka mbledhur 213 artistë. Ukrainës i është krijuar edhe një hapësirë e veçantë në Giardini. Në “Piazza Ukraina” artistët e vendit që po përballet me agresion rus kanë paraqitur veprat e tyre. E Pavijoni shtetëror i Ukrainës padyshim që sivjet do të ketë vëmendje të madhe. I gjendur krahas Kosovës, vizitorët do të mund të shohin zymtësinë e po ashtu edhe ngjyrat vibrante të dërguara nga Ballkani bashkë me harmoninë e kaosin e përditshmërisë.

Sa i përket përfaqësimit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, gjithçka kishte filluar më 2013. Asokohe Petrit Halilaj kishte paraqitur instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019 nga Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar).