Kulturë

Kosova në kontekstin e lëvizjeve gjeopolitike

SHBA

Shumica e madhe e partive politike dhe pjesa dërrmuese e shqip­ta­rëve të Kosovës e kishte kuptuar domethënien dhe rëndësinë e interve­ni­mit të NATO-s dhe kishte shfaqur mirënjohje ndaj vendeve perën­dimore për çlirimin e Kosovës, rindërtimin e saj, pavarësinë dhe krijimin e lidh­jeve të shumëfishta me shumë vende të tjera në botë. Nuk ishte dukuri e rrallë kur shqiptarët e Kosovës, me rastin e rindërtimit të shtëpive që ua kishin djegur trupat serbe, mbi kulmin e shtëpisë së re vinin flamujt e SHBA-së dhe të BE-së

Rrethanat e reja gjeopolitike që u krijuan nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës cilësohen me një përmbysje të madhe në raportet midis vendeve perëndimore (BE-së dhe SHBA-së, në veçanti) dhe Rusisë: u krijua një distancë e thellë ndaj Rusisë; risia e kësaj situate u shfaq me definimin e Rusisë jo më si kundërshtar apo rival, por si armik i vendeve perëndimore; madje jo vetëm në rrafshin ushtarak, por edhe në atë politik. Ligjërimet politike të pushtetit të Kremlinit, në anën tjetër, u bënë gjithnjë e më agresive, të ngarkuara me urrejtje e mëri ndaj vendeve perëndimore. Ato ligjërime zyrtare u shoqëruan me propagandën e me­die­ve në diabolizimin e botës perëndimore, të kulturës dhe mënyrës së jetesës së saj. Vlen të theksohet këtu se një dallim i rëndësishëm midis Ru­sisë dhe vendeve perëndimore shfaqet te këto me diversitetin e vlera­ve, me hapjen ndaj kulturave joperëndimore, e që bëhen pjesë e traditës së kulturës evropiane. Ndryshe nga hapësira politike e kulturore e për­cak­tuar me traditën e regjimeve komuniste, brenda diturive dhe kulturave pe­rë­n­­dimore u zhvilluan qëndrime e analiza kritike mbi shoqëritë pe­rë­ndimore, e njëherësh edhe shqyrtime kritike të politikës koloniale ndaj Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine. Këto kritika u zhvilluan në qarqet intelektuale, në kërkimet shkencore, në botime, por edhe në krijimtarinë artistike, në veçanti në fushën e teatrit dhe filmit.

Në anën tjetër regjimet komuniste në Evropë patën kultivuar gjatë decenieve ligjërime e përfytyrime të ngarkuara jo vetëm me paragjykime, por edhe me urrejtje e cila gjente shprehje në denigrimin e kulturës dhe politikës së vendeve perëndimore. Një version radikal i ligjërimeve të ti­lla u zhvillua nga makineria e propagandës së regjimit të Enver Hoxhës. Pas rënies së këtij regjimi filluan të shpalosen në shkrimet gazetareske, politike e letrare kritikat e para të ideologjisë së atij regjimi dhe të prakti­kave të dhunës së policisë së saj politike.

Mëria dhe urrejtja ndaj shteteve e shoqërive demokratike perën­dimore u artikulua në hapësirën publike të këtyre vendeve edhe si mëri e urrejtje ndaj kulturës dhe dijes europerëndimore. Njëra nga rrymat më agresive të këtyre orientimeve politike u artikulua më vonë, në ligjërimet e qarqeve majtiste « “antiimperialiste” në Evropë e SHBA.

Në Francë këto konotacione ideologjike gjetën shprehje, fjala vjen, në mujoren “Le monde diplomatique”. Në njërën anë kjo gazetë kriti­konte disa forma të përsundimit ekonomik të vendeve perëndimore në ish-kolonitë e tyre. Mirëpo, sa i takon çështjes së Kosovës “Le Monde diplomatique” për 20-vjetorin e intervenimit të NATO-s kundër regjimit serb, kishte për kryeartikull të titulluar: “Gënjeshtra më e madhe e she­ku­llit XX”. Ky artikull “shpjegon” se qarqet imperialiste të botës perëndimore bombarduan Serbinë e Milosheviqit, ngase ky i kundërvihej “rendit imperialist botëror”. Ky pohim shoqërohej me pohimin tjetër se “krimet e regjimit të Milosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës” ishin “gënje­shtër dhe shpifje e madhe”. Këtu shpërfaqet fryma dhe orientimi i kë­saj politike “antiimperialiste”: shumë e ndryshme kjo nga kritika e im­pe­rializmit te Jean-Paul Sartre (“Të mallkuarit e botës”, “Rilindja”, Pri­shtinë, parathënia) ose sot, bie fjala, në librat dhe artikujt e Olivier le Co­ur Grandmaison në Francë. E ndryshme po kështu edhe nga kritika e socialdemokracisë serbe nga fillimi i shekullit XX mbi “politikën kolo­niale të Serbisë”. Tucoviqi, Jovanoviqi, Popoviqi në studimet e tyre politike paralajmëruan para disa decenieve se ambicia koloniale e Serbisë “do të shkaktojë pasoja shkatërruese jo vetëm për Kosovën, por edhe për Evro­pën”. Këta autorë politikë dëshmuan një luciditet të thellë kur anti­cipuan agresionet ushtarake të Serbisë kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Ko­so­vës në decenien e fundit të shekullit XX. Kundër kësaj politike u mobi­lizuan pikërisht vendet perëndimore të BE-së dhe SHBA-ja. Intervenimi i tyre më i vendosur ushtarak u realizua më vitin 1999 kundër Serbisë dhe krimeve masive të saj kundër shqiptarëve.

Çlirimin e Kosovës nga Serbia Putini do ta paraqesë si lojë politike “djallëzore” kundër Serbisë dhe botës sllave në përgjithësi. Roli i ven­deve perëndimore ishte vendimtar jo vetëm për çlirimin e Kosovës, por edhe për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik, sikurse edhe në mbë­shtetjen e shtetndërtimit dhe institucioneve të saj. Vendet e BE-së dhe SHBA-ja i bënë të mundur Kosovës ta realizojë pavarësinë e saj, të arrijë njo­h­jen nga më se 100 shtete nga disa kontinente e njëherësh edhe anëta­rësimin në një numër të konsiderueshëm të organizatave ndërkombëtare dhe në thurjen e bashkëpunimit ekonomik e kulturor me shumë vende në botë.

Shumica e madhe e partive politike dhe pjesa dërrmuese e shqip­ta­rëve të Kosovës e kishte kuptuar domethënien dhe rëndësinë e interve­ni­mit të NATO-s dhe kishte shfaqur mirënjohje ndaj vendeve perën­dimore për çlirimin e Kosovës, rindërtimin e saj, pavarësinë dhe krijimin e lidh­jeve të shumëfishta me shumë vende të tjera në botë. Nuk ishte dukuri e rrallë kur shqiptarët e Kosovës, me rastin e rindërtimit të shtëpive që ua kishin djegur trupat serbe, mbi kulmin e shtëpisë së re vinin flamujt e SHBA-së dhe të BE-së. Këta shqiptarë nuk mendonin se me shprehjen e mirë­njohjes ndaj vendeve aleate e humbnin “dinjitetin” e tyre. Përkun­drazi, ata ishin të bindur se intervenimi i NATO-s kundër kundër Serbisë së Milosheviqit, si ngjarje e rrallë jo vetëm në historinë e shqiptarëve, me­ri­tonte mirënjohjen dhe respektin e nga ana e shqiptarëve.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje shfaqi edhe në dokumentet partiake publike (online), gjatë viteve një qëndrim kundërshtues, të pakup­tue­shëm, ndaj këtij intervenimit të vendeve perëndimore. Disa vrojtues e analistë e kanë shpjeguar kundërvënien e saj ndaj intervenimit me ndi­ki­min që ushtronin skemat ideologjike marksiste-leniniste të enverizmit dhe ato majtiste « antiimperialiste”.

Brenda tensioneve që i krijoi Serbia e Vuçiqit muajve të fundit në veri të Kosovës, kryeministri Kurti ndonjëherë ishte i prirë që qëndrimet e veta, jo çdoherë bashkëpunuese me zyrtarët amerikanë e evropianë, t’i paraqesë si shprehje e brengës së tij për “sovranitetin” e Kosovës. Mirëpo, nuk mund të injorojmë faktin se rol vendimtar për arritjen dhe mbro­j­tjen e sovranitetit të Kosovës, përveç sakrificave të shqiptarëve të Kosovës pati NATO-ja, përkatësisht aleanca veriatlantike, pra vendet perëndimore. Është e qartë qëmoti se ajo që i pengon ambiciet pushtuese të Serbisë ndaj Kosovës tani e 23 vjet është pikërisht kjo aleancë. Kjo u dëshmua së voni edhe me testimin që presidenti i Serbisë Vuçiq ia bëri NATO-s, tash së voni, kur u krijua një situatë e tensionuar lidhur me tar­gat e veturave: ai e bëri publik mesazhin e tij se ushtria e Serbisë është në gjendje gatishmërie për të intervenuar në Kosovë me qëllim që “t’i mbrojë serbët e rrezikuar në Kosovë”. Mirëpo, përgjigjja e qartë e NATO-s nuk vonoi: në një mesazh zyrtar kjo e njoftoi Shtatmadhorinë e ushtrisë së Serbisë për planin dhe orarin operativ të ndërhyrjes së NATO-s, së pari ndaj vetë kreut të ushtrisë serbe nëse ai ndërmerr çfarëdo aksioni që do ta rrezi­konte sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës. E përditshmja beogradase “Danas” botoi disa fragmente të mesazhit të NATO-s që shtatmadhoria e ushtrisë serbe ia dërgoi Vuçiqit.

Së këndejmi, domosdoja e kultivimit të marrëdhënieve të frytshme me këto vende ka qenë evidente qëmoti për popullin e Kosovës dhe për zyrtarët e saj politikë. Kjo u bë aq më e qartë ngase shpresa dhe preo­kupimi kryesor i Serbisë është, që nga viti 1999, si të dëmtohen raportet e Kosovës me këto vende perëndimore.

Mu për këtë arsye, Qeveria e Kosovës ka për obligim që të mos ndër­marrë qëndrime e veprime që mund të dëmtojnë raportet e Kosovës me vendet aleate dhe interesat e saj themelore. As kjo qeveri nuk është zgjedhur që ta dëmtojë mbështetjen e shumëfishtë të Kosovës nga vendet aleate. Në anën tjetër, vlen të ce­ket edhe rëndësia e përvetësimit të njohurive dhe praktikave të politikës ndër­kombëtare nga qeveritarët; këto janë të domosdoshme pikërisht për mbrojtjen e sovranitetit dhe interesave jetike të Kosovës. Zaten sovra­ni­teti më së paku mbrohet me poza e gjeste që mëtojnë të duken si shprehje të “dinjitetit” dhe të “vetëvendosjes” para militantëve të partisë.

Image
Këta shqiptarë nuk mendonin se me shprehjen e mirë­njohjes ndaj vendeve aleate e humbnin “dinjitetin” e tyre. Përkun­drazi, ata ishin të bindur se intervenimi i NATO-s kundër Serbisë së Milosheviqit, si ngjarje e rrallë jo vetëm në historinë e shqiptarëve, me­ri­tonte mirënjohjen dhe respektin e nga ana e shqiptarëve

Pavarësia pa negociata?

Kufizimi i pozicionit të “Vetëvendosjes” është shfaqur te parulla e cila doli në muret e Prishtinës, menjëherë pas çlirimit të Kosovës; e kam fjalën për parullën “Jo negociata, por vetëvendosje”. Parullë kjo që u formulua në kohën kur u bë e qartë se pavarësimi i Kosovës do të jetë, në vitet që po vinin, një proces kompleks i ndërveprimit me diplomacitë dhe qe­ve­ritarët e vendeve të rajonit të Ballkanit dhe atyre perëndimore, e njehësh i bar­tur me projektin politik të ndërtimit të institucioneve të reja, krahas rindërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta. Të rikujtojmë se Kosova u çlirua në vitin 1999, ndërkaq pavarësia u shpall në Kuvendin e Kosovës më 2008: pra ishte fjala për një rrugëtim politik të ndërlikuar prej 9 vje­tësh. Injorimi i kompleksitetit të këtij realiteti politik rajonal e ndër­kombëtar shpërfaqet në parullën e cila na çliron nga mundi shumë­vjeçar i negociatave.

Parulla “Jo negociata, por vetëvendosje” është frazë që përmban sa naivitetin politik, thjeshtëzimin e proceseve politike ndërkombëtare aq edhe patosin e afirmimit të një vullneti, i cili nuk është aq politik, ngase shpërfaq varfërinë politike; e kjo manifestohet edhe si një ekzaltim për një “pavarësi” enveriste e simbolizuar me bunkerin si model i izolimit të thellë të një shteti e një populli.

Do ta ilustroja kufizimin e kësaj parulle me një fragment të një arti­kulli, të cilin e kam botuar në të përditshmen franceze “Le Monde” në kohën kur zhvilloheshin debate e diskutime për opsione të ndryshme të statu­sit të ardhëm të Kosovës. Fragmenti zë në gojë njërën nga vështi­rë­sitë që lidhet me marrëdhëniet ndërkombëtare, më konkretisht me rapor­tet të disa rrymave të fuqishme politike në Francë dhe në disa vende të tjera të BE-së ndaj Rusisë së Putinit: “…Së fundit, krerët e BE-së do të duhej të jenë të kujdesshëm që të mos përvetësojnë prizmin e Kremlinit në vlerësimin e situatës në Ballkan, e veçanërisht atë në Kosovë. Gjatë dhjetë vjetëve të luftërave në ish-Jugosllavi, veçmas disa qarqe diplo­matike e politike franceze, me ngulm e ftonin Rusinë të jetë e pranishme në marrjen e vendimeve për ta dobësuar ndikimin e SHBA-së dhe Brita­nisë së Madhe në Ballkan. Kjo taktikë politike ishte e dëmshme edhe për Ballkanin edhe për BE-në. Mu për këtë, do të duhej evituar përsëritja e këtij gabimi. Putini, erdhi në pushtet, me rindezjen e luftës në Çeçeni, me shkatërrime të qyteteve dhe me masakra masive të popullsisë civile. Ai po mbahet në pushtet me vazhdimin e një politike të tillë. Këto fakte u rikujtuan në opinionin francez, edhe në manifestime protestuese, me rastin e ardhjes së fundit të Putinit në Paris. Pikërisht për të gjitha këto arsye, Putini nuk mund të jetë as këshilltar i mirë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Sidomos kur vetë Putini i tërhoqi nga Kosova trupat e veta, ngase e kuptoi se aty nuk ka më ndonjë leverdi. Droja është se të njëjtat qarqe politike mund të kenë tundimin ta bindin Rusinë se mund të nxjerrë ndonjë dobi, nëse kundërshton propozimin për pavarësinë, që po kris­talizohet në disa qarqe politike në Perëndim. Bashkësia Evropiane do të duhej të jetë në gjendje ta definojë qartë pozitën e vet e të mos ngashë­njehet me propozime që mund ta kthejnë mbrapa e ta përkeqësojnë situa­tën në Ballkan, në afat të gjatë“.

Dobësitë e BE-së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Duhet theksuar po kështu se aleatët e Kosovës, e në veçanti BE-ja mani­festuan një varg dobësish në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, vite­ve të fundit. Në radhë të parë u bë e dukshme, tani e sa vjet, se asaj i mun­gonte zëri për të reaguar ndaj një politike gjithnjë e më agresive të presidentit të Serbisë Vuçiç ndaj Kosovës. Ai nuk nguronte që në fjalimet e tij, drejtuar masave serbe, të bëjë elozhet e Milosheviqit (tek Ujmani, fjala vjen, si zonë kufitare me Kosovën). E njëherësh të kërcënojë për shkak të “rrezikimit permanent të serbëve të Kosovës nga shqiptarët”. Në fjalimet e tij ai përdorte skemat dhe “argumentet” e fjalimeve të Milosheviqit për gatishmërinë e tij që të ndërhyjë “për t’i mbrojtur” pakicat serbe në Kroaci, Bosnjë dhe në Kosovë. Në të njëjtën kohë ai kishte organizuar që më parë struktura paramilitare serbe, të cilat ishin të teledirigjuara nga Beogradi: agresionet ushtarake mbi ato vende do të shoqërohen me krime masive kundër civilëve joserbë, të cilat e tronditën botën.

Është e habitshme që zyrtarët e lartë të BE-së sot “harrojnë” zoti­met që i morën paraardhësit e tyre ndaj Kosovës në vitin 1999, zotime që mbështeten në vlerat dhe parimet e saj. Të rikujtojmë se ishte presidenti i Francës Jacques Chirac, ai që shprehu fuqishëm arsyet e ndërhyrjes kundër regjimit serb: “Kemi marrë vendim t’i japim fund praktikave bar­bare të regjimit serb, spastrimeve etnike, masakrave dhe dëbimeve masi­ve të shqiptarëve nga Kosova. Ai thekson se vendet perëndimore kanë ven­do­sur t’i kundërvihen “vullnetit metodik” të regjimit serb “për ta zhdu­kur tërë një popull”. Këto praktika saktëson Chiracu “rikujtojnë orët më të errëta të barbarisë. Sikur t’i pranonim këto praktika dëshmitarë të të cilave jemi, kjo do të thoshte të humbasim shpirtin tonë, të lejojmë që gangrena e të pathënshmes (“l'innommable”) të vendoset sërish në kontinentin tonë”.

Zyrtarët e sotëm të BE-së e kanë për obligim t’i kujtojnë anga­zhimet dhe qëndrimet që kanë marrë karshi Kosovës si shtet i pavarur dhe karshi perspektivës evropiane të Ballkanit. Nuk është mirë që dalin të prirë të fshihen mbrapa një roli thjesht “lehtësues” të dialogut. Përballë kër­kesave dhe synimeve të hapura të presidentit të Serbisë për ndry­shimin e Kushtetutës së Kosovës dhe ndryshimin e kufijve, zyrtarët e BE-së duhet ta artikulojnë një qëndrim të përgjegjshëm, i mbështetur në vle­rat dhe parimet e saj të afirmuara. Aq më tepër pse BE-ja mblodhi guxi­min t’i kundërvihet këtë vit agresionit të Rusisë kundër Ukrainës; aq më tepër pse e dinë se rreth veriut të Kosovës është i pranishëm ndikimi i Rusisë në forma të ndryshme me qëllim të destabilizimit të Kosovës dhe Ballkanit.

Zvarritjet për arritjen e marrëveshjes i konvenojnë vetëm Serbisë

Njëri nga konstatimet e shpeshta të vrojtuesve të raporteve Kosovë-Serbi sidomos në dy vjetët e fundit, ishte se Serbia sistematikisht kërkon situata që do ta prolongojnë së paku mundësinë e arritjes së marrë­ve­shjes gjithëpërfshirëse; pikërisht pse kjo marrëveshje do të implikonte anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në organizata të tjera, pas njohjes që do të vinin nga pesë vendete e BE-së që nuk e kanë njohur ende Koso­vën. Deputetja e Parlamentit Evropian e cila merret me Kosovën, zonja Von Cramon, ia tërhoqi vërejtjen qeverisë Kurti se duhet nxituar arritja e marrëveshjes me Serbinë, ngase brenda BE-së ka lëvizje e ndryshime politike, si rezultat i zgjedhjeve, dhe se këto mund të sjellin rrethana të pavolitshme për Kosovën. Të rikujtojmë se kryeministrja e sotme e Italisë i takon një lëvizjeje postfashiste dhe se para disa vjetësh ajo kishte dek­laruar se “Kosovën ia kishin vjedhur Serbisë disa vende perën­dimore”. Është e qartë se Beogradi shpreson ndryshime të tilla politike në Evropë, nga të cilat do të dobësohej dukshëm mbështetja e vendeve perën­dimore për Kosovën si shtet i pavarur dhe integrimin e saj në orga­ni­zatat e tjera ndërkombëtare.

Milan Nic, ekspert i Evropës Juglindore në Këshillin Gjerman për Politikë të Jashtme me qendër në Berlin, në një intervistë për DW, vuri në pah situatën pozitive, të krijuar së voni me Procesin e Berlinit, në të cilin u arritën marrëveshjet e para midis Kosovës dhe Serbisë; njohja e letër­njoftimeve ishte më pas pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare të Tregut të Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit, dhe pasi ajo të ratifikohet do të bëhet e detyrueshme, pa u bojkotuar nga Serbia. “Tani, saktësoi Nic, është hapur një dritare për të gjithë rajonin, por veçanërisht për Kosovën, për t’u bërë pjesë e tij në nivel të barabartë me Serbinë përmes Procesit të Berlinit, përmes BE-së”.

Mirëpo, brenda kësaj situate z. Kurti krijoi krizën e targave të ve­tu­rave, duke refuzuar kërkesën e përsëritur të vendeve aleate që zbatimin e masave për targat ta shtyjë për disa muaj; qëllimi i shtyrjes ishte që të krijohet hapësirë për bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për planin franko-gjerman të një marrëveshjeje të përgjithshme midis Kosovës dhe Serbisë. Qeveria arsyetohej se vendimi i tij për targat ishte i ligjshëm. Dip­lo­matët e vendeve perëndimore nuk e mohonin legjitimitetin e kër­kesës për targa të Kosovës; por theksonin se në aspektin politik ky ven­dim do të shkaktojë një përshkallëzim të situatës, duke e marrë parasysh kontekstin konkret. Vuçiqi u përgjigj me tërheqjen e të gjithë serbëve nga institucionet e Kosovës e njëherësh edhe me vënien e ushtrisë serbe në gjendje gatishmërie. Nici vlerësoi, sikurse edhe disa diplomatë e zyrtarë të vendeve aleate se ky veprim i Beogradit ka për qëllim tani “ta shfry­të­zojë çdo çështje që i mundëson atij të blejë kohë për të evituar një marrë­veshje të përgjithshme me Kosovën” (nënvizimi ynë). Në anën tjetër, Beogradi synonte që krizën e targave ta përdorë si shenjë alarmi, në sajë të mbështetjes së disa aleatëve të tjerë, që çështjen e serbëve të veriut të Kosovës ta rihapë në Këshillin e Sigurimit dhe ta krijojë mundësinë që OKB-ja ta marrë Veriun në juridiksionin e vet. Përballë këtij rreziku ishin diplomatët, ata që reaguan në intervalin prej 48 orësh duke e penguar skenarin e Beogradit. Kosova ka nevojë për çdo marrëveshje diplomatike që avancon, shkon përpara, saktëson eksperti gjerman. Ndërsa Ser­bia, shton ai, dëshiron të fitojë kohë dhe sipas kësaj formule, Kurti po ia of­ron asaj krizën e re në “një tabaka të argjendtë”.

Së këndejmi, për interesat kyç të Kosovës është që të mos zva­rritet nënshkrimi i marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë, në mënyrë që të tejkalohet situata e pasigurisë në Ballkan, dhe që kjo zonë të orien­tohet në integrimin brenda BE-së. Kjo nënkupton që Qeveria e Kosovës të mos ndërmarrë hapa politikë që mund t’i konvenojnë planit të Serbisë për izolimin e Kosovës. Aq më tepër pse edhe BE-ja në politikën e saj ndaj dialogut u shqua, gjatë disa vjetëve, me neglizhencë e zvarritje në për­fun­dimin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi; mu për këtë arsye përgjegjësia e Qeverisë së Kosovës është edhe më e madhe karshi situatës kur tani është sajuar një tekst i rëndësishëm i marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Mirëpo, lëvizja e fundit e kryeministrit Kurti me emërimin e z. Nenad Rashiq si ministër për Kthim në Qeverinë e Kosovës doli të jetë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Në fakt, pas vendimit të Kurtit, Vuçiqi e anuloi pjesëmarrjen e vet në konferencën e Procesit të Berlinit në Tiranë. Kësisoj, ky dëshmoi sërish se i konvenon ta zvarritë, sa më shumë që është e mundur, arritjen e marrëveshjes me Kosovën. Bashkimi Evropian vlerësoi më 2 dhjetor se emërimi i Nenad Rashiqit – ministër për Kthim dhe Komunitete, një ditë më parë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ndonëse z. Rashiq është personalitet politik i cili ka kredidibilitet nê Kosovë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për medie tha se është e rëndësishme që emërimet e ministrave të jenë në përputhje me aktin më të lartë juridik të Kosovës. Stano shtoi se vendet e BE-së vazhdojnë t’u bëjnë thirrje Kosovës e Serbisë “që të evitojnë veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të situatës në Kosovë”.

Në anën tjetër, u takon zyrtarëve të lartë të BE-së dhe SHBA-së që të bëjnë presion më të theksuar ndaj Serbisë dhe të frenojnë agresivitetin e saj ndaj Kosovës: siguria dhe paqja në Ballkan varen nga kjo.

(Ky tekst është fragment i artikullit “Agresioni i Rusisë mbi Ukrainën dhe ndryshimet gjeopolitike” i botuar në revistën “Studime shoqërore”, nr. 9 ASHAK. Botohet me lejen e autorit).