Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kosova merr përvojën e Italisë për mbrojtjen e të drejtave të autorit

Përvoja e Italisë për mbrojtjen e të drejtave të autorit është marrë si shembull nga Kosova në kuadër të forumit me temën “Identifikimi i sfidave në zbatimin e vendimit për tarifat e përgjithshme, lidhur me mbrojtjen kolektive të të drejtave të autorit”, të organizuar nga Zyra e kryeministrit.

Sipas një njoftimi nga kjo zyrë, në forumin e fundit janë trajtuar temat: Sistemi i menaxhimit kolektiv të materialeve të mbrojtura me të drejta të autorit në Itali; Konceptet themelore të kësaj fushe; Sfidat për zbatimin e kësaj politike në Kosovë; Ndryshimet ligjore të parapara me projektligjin e ri që është në proces të miratimit në Kosovë; Vendimi për Tarifat e Përgjithshme për Shfrytëzimin e Lëndës së Mbrojtur me rastin e Ritransmetimit; dhe Pozicionet e Shoqatave për Menaxhim Kolektiv dhe Operatorëve kabllor lidhur me tarifat.

Njoftimi thekson se në takim kanë dhenë kontribut dy ekspertë, njëri ndërkombëtar e tjetri vendor.

Në forum kanë qenë të pranishëm edhe anëtarët e Task-forcës kundër Piratërisë, përfaqësues nga Komisioni i Pavarur i Mediave, përfaqësuesit e Shoqatave për Menaxhim Kolektiv (VAPIK), përfaqësuesit e operatorëve kabllor dhe përfaqësues të mediave si përdorues të veprave të mbrojtura, bëhet e ditur në njoftimin e Qeverisë.

“Ky projekt mbështetet financiarisht nga Qeveria e Luksemburgut dhe implementohet nga Zyra e Kryeministrit e cila në bashkëpunim me Zyrën për të Drejtën e Autorit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është në mbështetje të përpjekjeve të Kosovës për përmbushjen e kërkesave të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit”, përfundon komunikata.