Me 20 filma që ka bërë bashkë në programin “Country in Focus: Kosovo”, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër në Vintertur bëhet i pari që shfaq një numër kaq të madh të filmave me regjisorë shqiptarë. Programi është i ndarë në katër shtylla dhe sipas përshkrimit “eksploron shpirtin e një republike të re, ku njerëzit eksperimentojnë me identitetin dhe nisin të realizojnë ëndrrat e tyre të kamotshme për të ardhmen”
Kosova ka talente. Kaq i thjeshtë dhe i qartë është mesazhi që ka Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër në Vintertur të Zvicrës. Si dëshmi e pohimit të tij, festivali ka vendosur që në edicionin e 25-të në fokus të ketë Kosovën dhe filmbërësit shqiptarë. Me 20 filma që ka bërë bashkë në programin “Country in Focus: Kosovo”, festivali bëhet i pari që shfaq një numër kaq të madh të filmash shqip. Është konsideruar si një shpalosje e lidhjes kulturore, por edhe humane midis dy vendeve. Programi është i ndarë në katër shtylla dhe sipas përshkrimit të festivalit “eksploron shpirtin e një republike të re, ku njerëzit eksperimentojnë me identitetin dhe nisin të realizojnë ëndrrat e tyre të kamotshme për të ardhmen”. Edicioni i sivjetmë nisi të martën dhe përfundon më 14 nëntor.
Përzgjedhja e filmave është bërë në bashkëpunim me festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.
Samir Karahoda, nga festivali me nam në Kosovë e që njihet edhe ndërkombëtarisht, ka thënë se ky program ka ardhur si pjesë e bashkëpunimit të gjatë që festivalet kanë mes vete, duke theksuar edhe bashkëprodhimin e parë për këtë vit, filmin “Four Pills at Night” të Leart Ramës, që pati premierën në gusht në Festivalin e Filmit në Locarno.
“Ky është prezantim që ka në fokus shtetin e Kosovës, mendoj se është prezantimi më i madh i kinematografisë kosovare që ka ndodhur ndonjëherë, ku do të prezantojmë 20 filma të autorëve shqiptarë. Programi është i ndarë në katër pjesë, me prezencë edhe të shumicës së autorëve të filmave, pasi që në bashkëpunim me Ambasadën kemi arritur që t’ua mundësojmë filmbërësve që të jenë atje”, ka thënë Karahoda. Dy filmat e tij të shkurtër “Në Mes” dhe “Pa vend” janë pjesë e njëzetëshes.
“Ne kemi propozuar filma aq sa kemi pasur mundësi, e sa kemi mundur dhe fjalën e fundit e kanë dhënë ata. Pra ka qenë një punë ekipore, ku nga këtu kemi punuar unë dhe Veton Nurkollari, ndërsa atje ka qenë i përfshirë i gjithë ekipi i festivalit që i ka shikuar filmat dhe pothuajse çdo javë kemi pasur kontakte. Është një punë që e kemi filluar para 4-5 muajve”, ka thënë ai. Ka shtuar se Kosova të prezantohet me të gjitha tregimet e mundshme: për identitetin, të drejtat e njeriut, por edhe për traditën e kulturën në përgjithësi.
“Normal që sukseset e fundit të kinematografisë së Kosovës kanë ndikuar në imazhin e vendit. Vërehet një ndryshim, sidomos në programet e festivaleve dhe udhëheqësit, pasi që janë më shumë të interesuar për t’i parë filmat e rinj që po dalin nga Kosova”, ka theksuar Karahoda. Ka treguar se janë në bisedime për t’i organizuar edhe dy programe të tilla: një në Poloni vitin e ardhshëm dhe një në Gjermani.
“Kjo është dëshmi se sukseset e kinematografisë gjithsesi kanë efekt jo vetëm në Evropë, por në të gjithë botën dhe mendoj se këtë ritëm duhet mbajtur dhe duhet punuar sa më shumë që të mos biem prej ritmit të sukseseve që kemi për momentin”, ka thënë ai.
“Rindërtimi i identitetit” është një nga shtyllat. “Një vend ka nevojë për një flamur - një copë pëlhure shumë simbolike që me krenari nxjerr në pah identitetin e kombit, dhe idealisht ndihmon edhe në ndërtimin e tij. Por është gjithashtu një copë pëlhure e ndërlikuar, sepse lëviz kah fryn era. Konturat e Kosovës në një sfond blu ndonjëherë janë të sakta, ndonjëherë jo, varësisht nga mënyra se si fryn era. Kjo nuk është një bazë ideale për një identitet kolektiv, por ndoshta është të paktën një zë”, është përshkrimi që i bën festivali kësaj shtylle të programit gjersa shton se ajo bën bashkë një sërë zërash individualë – që me pak fat, ata bashkohen dhe përcjellin një ndjenjë të identitetit.
Pjesë e saj janë: “She Asked Me Where I Was From” me regji të Aulona Fetahaj, “I kujt është flamuri” i Baris Karamuços, “Nusja jonë” nën regji të Yll Çitakut dhe Nita Dedës, “I Have Never Been on a Airplane” nën regjit të Redon Kikës dhe “Sans le Kosovo” e Dea Gjinovcit.
“Botët që përplasen” është tjetra shtyllë, sipas përshkrimit të së cilës kur botët përplasen, shpesh mes tyre shtypen njerëzit.
“Kur ëndrrat ndeshen me realitetin, dashuria përballet me mjedise armiqësore dhe qytetet shkatërrohen nga lufta, protagonistët e këtij programi përgjigjen me luftë. Edhe ata insistojnë të gjejnë dhe të ndjekin rrugën e tyre, pavarësisht të gjithave”, është shkruar në ueb-faqe të festivalit, ku tregohet se pjesë e këtij programi janë: “Zgjedh një emër” e Dritëro Mehmetajt, “Kush mytet kapet për shkume” e Urtina Hoxhës, “Pa vend” e Karahodës, “Shukria” e Visar Jusufit dhe “Four Pills at Night” i Leart Hoxhës.
Në anën tjetër, për programin “Më i hollë se gjaku” është shkruar se ndonjëherë gjërat që i lidhin familjet janë edhe ato që i ndajnë. “Disa njerëz jetojnë afër familjeve të tyre, të tjerët janë larguar por afërsia ndihet. Në disa raste dashuria dhe tradita i mbajnë të bashkuar, në disa raste të tjera ato janë një barrë apo dhimbje”, vazhdon përshkrimi, i cili potencon se familjet gjithmonë kanë inspiruar filmbërësit dhe ky program ofron një copëz të familjeve kosovare. Sipas së njëjtës, këta filma – të gjithë të ndryshëm në terme të zhanreve dhe estetikës – adresojnë rëndësinë e lidhjeve familjare, në çfarëdo forme që merr ajo.
“Qoftë përmes xhirimeve dokumentuese apo atyre fiktive, ‘Më hollë se gjaku’ na merr në një udhëtim emocionues”, përfundon përshkrimi. “Kthimi” i Blerta Zeqirit, “117” i Besim Sahatçiut, “Në Mes” i Karahodës, “Gardhi” i Lendita Zeqirajt dhe “Një muaj” i Zgjim Terziqit janë pjesë e kësaj shtylle.
Terziqi, i cili bashkë me Karahodën janë në mesin e regjisorëve që tashmë janë në Zvicër, ka thënë se është mirë që Kosova ka kaq shumë filma të mirë sa të bëhet një program i tërë nga një festival prestigjioz për filmin e shkurtër, siç është Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër në Vintertur.
“Është nder që filmi ynë vazhdon të shfaqet edhe katër vjet pas premierës, posaçërisht në një qytet si Vintertur, ku kam dëgjuar që komuniteti shqiptar ka një kujdes të veçantë ndaj kinematografisë së vendit. Është gjithmonë kënaqësi që ta ndajmë filmin me publikun e Kosovës. Rëndësinë pjesëmarrjes në këtë festival ia shton fakti se do të jemi së bashku me filbërës të tjerë të jashtëzakonshëm nga Kosova, siç janë Samir Karahoda, Blerta Zeqiri, Lendita Zeqiraj e të tjerë”, ka thënë ai.
E në shtyllën e fundit, “Zërat e ri” bashkë janë bërë: “Anesthesia” e Noar Sahitit, “Stacioni” i Leart Ramës, “Lost Exile” i Fisnik Maxhunit, “Ajo” i More Raçës dhe “Kiss Me, Now” i Norika Sefës. Sipas përshkrimit të festivalit këta regjisorë ofrojnë një pamje të brendshme të diversitetit bashkëkohor të skenës filmike.
“Ata adresojnë probleme të vazhdueshme, si varfëria, pozita jo e barabartë e gruas, dhe efekti i vazhdueshëm i luftës së fundit në Kosovë, por pa humbur asnjëherë optimizmin e tyre rinor”.
Në anën tjetër, vetëm filmi “Pa vend” i Karahodës është edhe në garën zyrtare në kategorinë ndërkombëtare të titulluar “Dua më shumë”. Sipas festivalit, programi garues shfaq filmat e fundit të shkurtër nga i gjithë globi, kurse filmat më premtues do të shpërblehen në ceremoninë që do të mbahet të dielën mbrëma.