Kulturë

Kosova i bashkohet thirrjes për revolucion në Panairin e Frankfurtit

Prishtinë, 17 tetor – Me moton “Create your Revolution” (Krijoni revolucionin tuaj), 7 mijë e 450 pjesëmarrës nga 104 shtete janë mbledhur në Frankfurt të Gjermanisë për t’i ekspozuar botimet. Midis tyre, për të 20-n herë, merr pjesë edhe Shoqata e Botuesve të Kosovës për t’i prezantuar botimet e reja të shtëpive botuese të shtetit më të ri në Evropë. Të mërkurën, kur edhe është hapur edicioni i 71-të i ngjarjes më të madhe në botë sa i përket librit, organizatorët kanë bërë thirrje për revolucion letrar.

“Liria e fjalës është baza e demokracisë sonë dhe nuk është e negociueshme”, ka thënë Heinrich Riethmülle, kryetar i Asociacionit Gjerman të Botuesve dhe Librashitësve. Sikurse është duke ndodhur kohëve të fundit, në këtë ngjarje kulturore një vend të veçantë zënë shkrimtarët e persekutuar e të burgosur.

Shoqata e Botuesve të Kosovës në sallën 5.0 të Panairit e ka të rezervuar një shtand me hapësirë prej 24 metrash katrorë.

“Buzuku”, “Botimet KOHA”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Dija”, “Damo”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Lugjet e Verdha”, janë midis shtëpive botuese që prezantohen në këtë ngjarje. E si institucione botimet e tyre kanë dërguar Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina”.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, në këtë ngjarje ata shënojnë 20-vjetorin e Çlirimit të Prishtinës dhe Kosovës, 100-vjetorin e Konferencës së Paqes, 400-vjetorin e vdekjes së Lekë Matrëngës, 90-vjetorin e lindjes së Rexhep Hoxhës, 90-vjetorin e lindjes së Kosovë Rexhë Balës, 80-vjetorin e lindjes së Adelina Mamaqit, 80-vjetorin e lindjes së Rrahman Dedajt, 70-vjetorin e vdekjes së Mit’hat Frashërit e Vinçenc Prenushit e 40-vjetorin i vdekjes së Jakov Xoxës.

“Janë mbi 25 shtëpi botuese nga Kosova që prezantojnë titujt e rinj e që në total janë mbi 500 tituj që prezantohen”, ka thënë të enjten Zeneli.

“Botimet KOHA” tashmë tradicionalisht dërgon titujt e rinj në Panairin e Frankfurtit. Romani “Fshehtësia e zbulimit të Hanës” i Veton Surroit, “Tregoji botës” nga Eliott Behar, “Kosova: Një histori dokumentare” redaktuar nga Robert Elsie dhe Bejtullah Destani, e “Politika serbomadhe nga Garashanini deri te Akademia” redaktuar nga Flaka Surroi që ishin prej veprave më të kërkuara në Panairit e sivjetmë të librit në Prishtinë, gjenden edhe në Frankfurt bashkë me titujt e tjerë të rinj të “Botimeve KOHA”.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")