Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kosova e Shqipëria ende larg hapësirës së përbashkët kulturore

Prishtinë, 22 gusht – Thyerja e barrierave politike që ka kulmuar me dy shtete shqiptare në Ballkan nuk është tejkaluar ende në aspektin kulturor. Heqja e kufijve politikë nuk del të këtë ndikuar në krijimin e një hapësire të përbashkët kulturore.

Për këtë studiuesi shqiptar, Mark Marku, ka ardhur në një përfundim se problemi është te mentaliteti që nuk ka arritur t’i përshtatet një situate të re. Të martën, në edicionin e sivjetmë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, me ligjëratën “A janë kapërcyer barrierat kulturore pas rënies së barrierave politike?”, Marku, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ka shpalosur mendimet e tij për raportin kulturor ndër shqiptarë.

Është nisur nga shembuj konkretë. Ka thënë se nëse një libër universitar që botohet në Prishtinë nuk ka pse të botohet prapë në Tiranë ose anasjelltas. Sipas tij, nëse synohet një hapësirë e përbashkët kulturore duhet të krijohet një rrjet apo sistem i përbashkët. Por para këtij hapi del të jetë një prag goxha i lartë. Ai i mentalitetit.

“Unë mendoj që barriera kryesore në këtë rast është barriera mentale. Ne e kemi akoma të vështirë që të ndërtojmë një mentalitet tjetër, atë mbi një realitet të ri. Ka ndodhur kjo edhe në vendet e tjera”, ka thënë ai në ditën e dytë të edicionit të 37-të të Seminarit. Ka thënë se në këtë rast Kosovës dhe Shqipërisë i duket sikur ky realitet i ndryshimeve gjeopolitike ka ndodhur aksidentalisht dhe janë ndodhur papritur në një utopi të kombit imagjinar.

Gjatë diskutimeve mbi këtë temë studiuesi i gjuhës, Rrahman Paçarizi, e ka pyetur Markun nëse shqiptarët e Shqipërisë e shohin Kosovën si më periferike e pastaj nëse Kosova i sheh shqiptarët e Maqedonisë si më periferikë.

Marku ka thënë se lufta e qendrës me periferinë është një luftë e periferive. Sipas tij, varet se ku llogaritet qendra. Ka thënë se ekziston një tendencë, sidomos nga Shqipëria, për t’u imponuar. Për të kjo ka një shpjegim historik pasi Shqipëria ishte e vetmja njësi politike që përfaqësonte shqiptarët (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Artikuj të ngjashëm