Kulturë

Kosova çon në “Berlinale” potencialin filmik dhe shenjat e luftës

“It all starts here!” është motoja e Tregut Evropian të Filmit, që është hapur bashkë me edicionin e 74-t të festivalit të filmit në Berlin, “Berlinale”, dhe aty Kosova pret të lidhë bashkëpunime. Qendra Kinematografike e Kosovës bashkë me atë të Shqipërisë të enjten kanë hapur shtandin. Por, një moment me peshë në festivalin e madh është edhe filmi “Afterwar” me skenar dhe regji të danezes Birgitte Stærmose, që do ta ketë premierën të hënën

Emri i Kosovës nuk është i panjohur në festivalin prestigjioz të filmit “Berlinale” që sivjet shënon edicionin e 74-t. Disa herë është prezantuar me filma në programet e festivalit. Madje edhe duke qenë pjesë e garës. Sivjet prezantohet “Afterwar” i danezes Birgitte Stærmose, që garon në programin “Panorama”. Filmi në të cilin Kosova është bashkëprodhuese jepet premierë të hënën. Përshkruhet si film me frakturë dokumentare për pasojat e luftës dhe jo vetëm. Luajnë Luan Jaha, Molikë Maxhuni, Besnik Hyseni, Gëzim Kelmendi e të tjerë. Merr pjesë edhe në Tregun Evropian të Filmit – një prej tregjeve më të mëdha të filmit në botë.

Qendrat Kinematografike të Kosovës dhe Shqipërisë edhe sivjet janë në shtandin e përbashkët që është hapur të enjten në mëngjes. Mban numrin 138. Prej aty publiku i festivalit do të eksplorojë një pjesë të botës filmike të të dyja vendeve.

Nga vetë ngjarja është bërë e ditur se sivjet në Tregun e Filmit do të marrin pjesë më shumë se 100 udhëheqës të industrive filmike.

Drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, ka thënë se gjithçka është gati për të eksploruar kinematografinë e vendit, përfshirë katalogun e ri me filma.

“Ne jemi të gjithë të gatshëm duke i pritur të vijnë njerëzit, të vijnë të na takojnë ata që punojnë me filmin. E kemi sjellë katalogun e ri, të cilin me shumë krenari po e shpërndajmë dhe kjo është veç dita e parë. Njëherë përnjëherë gjithçka po duket bukur. Me entuziazëm po i presim ditët e ardhshme në të cilat do të kemi më shumë aktivitete. Dita e parë zakonisht, sidomos paraditja e ditës së hapjes, është pak më e qetë. Por, nga nesër do të fillojë puna e madhe”, ka thënë Zeqiri për emisionin “Express” në KTV.

Në një lidhje telefonike nga Berlini ka thënë se edhe sivjet do të prezantojnë punët dhe sukseset e vendit në film. Ka veçuar filmin e të regjisores daneze Brigitte Staermose, që flet për pasojat e luftës së fundit në Kosovë.

“Në ‘Berlinale’ gjithmonë i prezantojmë punët dhe sukseset tona në film. Por, këtë vit kemi diçka më interesante, sepse sivjet kemi edhe një film të cilin e kemi subvencionuar, një film dokumentar i punuar nga regjisorja daneze Brigitte Staermose. Filmi është në garën 'Panorama' dhe gjithashtu është përzgjedhur në garë për ta fituar ‘Ariun e Artë’. Do ta ketë premierën më datë 19 dhe jemi të gjithë në ethe duke pritur se si do ta presë publiku dhe kritika”, tha Zeqiri.

Ka thënë se takimet u shërbejnë për të krijuar rrjete më të gjera në fushën e kinematografisë e për t’u ndërlidhur me qendra të tjera të kësaj industrie. Ka bërë të ditur se deri më 21 shkurt, kur Tregu mbyllet, do të kenë takime e aktivitete të tjera.

“Kemi takime të përgjithshme me Akademinë Evropiane, me Akademinë Evropiane të Promovimit, punëtori të ndryshme rreth teknologjisë së Inteligjencës Artificiale e të tjera. Por kryesorja është që ky është një vend ndërlidhës ku të gjithë kineastët kanë mundësi të vijnë dhe ta shfrytëzojnë këtë hapësirë për takimet e tyre. Presim që shumë filma do t’i kenë fillet këtu. Do t’i takojnë producentët e tyre që u duhen ose ne do t’i lidhim në forma të tjera me Kosovën”, ka thënë drejtoresha Zeqiri.

Sipas saj, në këtë mënyrë promovohet puna e QKK-së dhe krijohen lidhje me produksionet e qendrat filmike. Ajo është shprehur se presin numër të madh të vizitorëve në shtandin e tyre.

Image
“Afterwar” i danezes Birgitte Stærmose garon në programin “Panorama”

“Kosova viteve të fundit ka marrë vëmendje më të madhe sa i përket kinematografisë”, ka thënë Zeqiri. Është bërë e ditur se shtandi i Kosovës gjendet në “Hotel Marriot”.

Tregu i Filmit Evropian sivjet mbahet nën temën “It all starts here!” dhe mbahet nga 15 deri më 21 shkurt, sa zgjat edhe Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri e ka cilësuar ngjarjen si platformë për inovacion e ndryshim.

“European Film Market është ndër tre marketet kryesore të takimit të industrisë ndërkombëtare të filmit dhe medias. Lidhja e ngushtë me “Berlinalen” si një festival filmi publik dhe pozicionimi i tij në zemër të Berlinit janë karakteristikat përcaktuese të këtij marketi, i cili e ka pozicionuar veten edhe si një platformë për inovacion e ndryshim”, shkruhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë që ndan të njëjtin shtand me QKK-në në “Berlinale”.

Një tjetër moment i rëndësishëm për Kosovën në këtë festival do të jetë edhe premiera e filmit dokumentar “Afterwar” që është bashkëprodhim midis Kosovës, Suedisë, Danimarkës e Finlandës.

Filmi që shihet edhe si testament kinematografik mbi pasojat afatgjata të luftës kishte nisur si film i shkurtër rreth 15 vjet më parë. Ishin imazhet e fëmijëve që shisnin rrugëve për mbijetesë në periudhën e pasluftës. Në një orë e 23 minuta është dokumentim i efektit të luftës nga perspektiva e regjisores daneze. Fragmente të jetës së katër personazheve gjatë 15 vjetëve janë dëshmi për efektet e luftës tek ata.

“Panorama” në kuadër të cilit garon “Afterwar” sjell 31 filma, prej të cilëve 25 janë premiera. Në kuadër të programit ndahet edhe çmimi “Panorama Audience”. Si çmim që vjen si rrjedhojë e vlerësimit nga audienca dhe ndahet prej vitit 1999, konsiderohet si programi me “jurinë” më të madhe të festivalit.

Filmi, sipas Qendrës Kinematografike të Kosovës, konsiderohet mahnitës në rrafshin kinematografik e mbërthyes në atë emocional. Institucioni kinematografik e ka vlerësuar si portret kolektiv të një gjenerate të tërë të të mbijetuarve që tërheq paralele me të gjithë fëmijët e prekur nga lufta.

Pjesëmarrjen e ekipit të filmit në “Berlinale” e subvencionon Instituti Danez i Filmit.

Kosova ka histori në festivalin me nam në skenën ndërkombëtare.

Më 2019, dokumentari “Në mes”, nën regji të Samir Karahodës e kishte çuar Kosovën për herë të parë në konkurrencën zyrtare të festivalit ndërkombëtar të filmit “Berlinale”, ku edhe pati premierën botërore. Në 15 minuta “Në mes” trajton dy tema paralelisht: fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta nga vëllezërit dhe migrimin, gjë që veçmas theksohet nëpër këto familje. Në Berlin filmi dokumentar ishte dhënë shtatë herë në salla me rreth 700 ulëse. Sa u përket filmave dokumentarë, ai i Karahodës del të jetë më i suksesshmi deri tash kur bëhet fjalë për produksione tërësisht vendore.

E emri i Kosovës në këtë festival ishte dëgjuar edhe nëpërmjet filmave të Visar Morinës, “Exil” e “Babai”, përderisa aktorët Ilire Vinca e Çun Lajçi ishin të parët nga Kosova, të cilët në shkurtin e vitit 2011 parakaluan në tepihun e kuq të “Berlinales”. Atje i çoi filmi ku ata luajtën “Falja e gjakut”, nën regji të Joshua Martsonit, i cili shkroi edhe skenarin bashkë me Andamion Muratajn. Produksioni shqiptaro-amerikan u shpërblye me dy çmime në festivalin prestigjioz.

Në edicionin e vitit të kaluar nuk ka pasur filma në konkurrencë, megjithatë Qendra Kinematografike e Kosovës ishte prezantuar në Tregun Evropian të Filmit në Festivalin e Filmit në Berlin – “Berlinale”. Kishte prezantuar produksionet e kishte lidhur marrëveshje, por edhe e kishte promovuar Kosovën si vend atraktiv për shesh xhirimi.

Programi i edicionit të sivjetmë përmbyllet më 25 shkurt me ndarjen e çmimeve.