Transformimi i rrymave muzikore ka kohë që ka prekur interpretuesit. Madje edhe ata të muzikës klasike. Muzika korale, po ashtu, është pjesë e dimensioneve të reja. E Filarmonia e Kosovës me Korin e saj mund të bëjë për vete publik të vendeve të ndryshme për dy arsye: nivelin e koristëve dhe mungesën e formateve të tilla në filarmonitë e shumë shteteve, shkruan sot Koha Ditore.
Të enjten mbrëma, Kori i Filarmonisë së Kosovës ka testuar veten në një mozaik veprash, ku tingujt modernë e postmodernë kanë pasur fjalën vendimtare. Festivali ndërkombëtar i muzikës, “ReMusica”, në edicionin e sivjetmë, nëpërmjet një koncerti të veçantë ka shënuar dy përvjetorë: 110-vjetorin e lindjes së kompozitorit Lorenc Antoni dhe 70-vjetorin e lindjes së kompozitorit e dirigjentit, Rafet Rudi.
Vetë Rudi ishte dirigjent i koncertit. Për dallim prej netëve paraprake të festivalit, publiku qysh kur ka zënë vend në sallë e ka marrë vesh se bëhet fjalë për një interpretim më madhështor. Instrumentet, midis tyre dhe perkusionet para skenës, ishin paralajmërim për muzikë moderne. E Kori i Filarmonisë së Kosovës ka zënë vend për të filluar programin pikërisht me veprën e Lorenc Antonit, “Shkojti çika”. Kompozimi i njërit prej kompozitorëve më të njohur të Kosovës, që angazhon Korin jo gjithmonë në përbërjen e tërësishme, ka qenë introja e një nate të gjatë koncertale.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)