Kulturë

Kori kulmon në lojë zhanresh me vepra bashkëkohore

Prishtinë, 12 mars – Ka dalë të jetë i qëlluar vendimi i Korit të Filarmonisë së Kosovës që në koncertin e parë të këtij viti të koncentrohet te veprat bashkëkohore. Kompozitorë modernë ishin cak i dirigjentit Hajrullah Syla. Atraktiv e interesant u cilësua programi nga muzikantët që ishin pjesë e koncertit, të martën mbrëma.

Të njëjtit kanë thënë së Kori i institucionit më të lartë të muzikës në vend duhet të shohë mundësitë që para publikut të vijnë më shpesh me programe të tilla. Krejt 13 veprat e interpretuara qenë premiera kosovare e tri prej tyre ato të kompozitorëve shqiptarë ishin premiera botërore. Të tria veprat janë kompozuar enkas për koncertin që u mbajt në kishën “Shën Ndou” në Prishtinë.

Premiera botërore e veprës “Ave Maria” e kompozitorit shqiptar Endrit Rexhepi e nisi mbrëmjen. E më pas erdhi vepra e kompozuar para një dekade Eriks Esenvalds, “Only in sleep”, ku akordet janë pjesa delikate e vargjeve që shfaqin fëmijërinë e ripërjetuar përmes ëndrrave. Soliste ishte sopranoja Ilvije Dragusha. Mbrëmja vazhdoi me veprën “Ave Generosa” të kompozitorit norvegjez Ola Gjeilo. Nga krijimtaria e tij erdhi edhe vepra “Northen Lights”. Por kompozimet e Gjeilos kanë shërbyer si bazë edhe për kompozitorin shqiptar Hajrullah Syla që dirigjoi koncertin. Vepra e tij “Metamorphosis” është inspiruar nga vepra “Dark Night of the Soul” e kompozitorit 41-vjeçar. Sopranoja Arta Jashari ishte soliste e kësaj vepre që u dha premierë botërore. Ajo ka thënë se Filarmonia duhet që të mbajë më shpesh koncerte të cilat kanë në program vepra atraktive.

“Ishte një program shumë atraktiv dhe i larmishëm dhe ishte shumë kënaqësi që të punoj në të sidomos me veprën e kompozitorit Hajrullah Syla, ku isha soliste. Ne duhet që më shpesh të bëjmë koncerte të tilla të cilat janë më shumë atraktive”, ka thënë ajo.

(gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)