Duartrokitjet e gjata pas koncertit në kishën gotike të Hamburgut dhe kritikat pozitive që kanë pasuar, kanë qenë rikonfirmim për Korin e Filharmonisë së Kosovës se mund të flasë qartë dhe fuqishëm edhe në skenat më të njohura të Evropës. Programi i koncertit është përbërë nga një mozaik veprash që lidhin krijimtarinë vendore me atë ndërkombëtare. I njëjti program është shpalosur të martën mbrëma edhe në Düsseldorf
Nën harkun gotik të Kishës së Shën Pjetrit, e njohur në gjermanisht si “Hauptkirche St. Petri”, në zemër të qytetit të Hamburgut, të hënën mbrëma është dëgjuar për herë të parë zëri i Korit të Filharmonisë së Kosovës në Gjermani.
Tingujt që kanë bërë bashkë traditën shqiptare me repertorin evropian janë përhapur në një hapësirë që për shekuj ka mikpritur muzikën e shenjtë dhe artin koral gjerman. Publiku vendës, i përbërë kryesisht nga gjermanë të pasionuar pas muzikës klasike, e ka pritur me duartrokitje të gjata interpretimin e ansamblit kosovar, duke e bërë këtë debutim një ngjarje të veçantë për skenën muzikore të Kosovës.
Pas kësaj nate në Hamburg, të martën mbrëma kori ka udhëtuar drejt perëndimit të Gjermanisë, në Düsseldorf, për ta përsëritur emocionin e një programi që dëshmon se arti i Kosovës mund të flasë qartë dhe fuqishëm edhe në skenat më të njohura të Evropës.
Programi i koncertit është përbërë nga një mozaik veprash që lidhin krijimtarinë vendore me atë ndërkombëtare. Muzika e kompozitorëve kosovarë, nga Halit Kasapolli e deri te Rafet Rudi, Mendi Mengjiqi e Baki Jashari, ka sjellë para publikut gjerman një pasqyrë të zhvillimit të shkollës së kompozimit në Kosovë, duke dëshmuar se tingujt shqiptarë bartin një individualitet estetik dhe emocional që flet përtej kufijve. Këtyre u janë bashkuar veprat e autorëve, si Johannes Brahms, Ēriks Ešenvalds, Jan Sandström, Michael Ostzryga e Jake Runestad, të cilat kanë ofruar një dialog kulturash, në formën e një takimi mes rrënjëve të traditës evropiane dhe qasjes bashkëkohore.

Ky kombinim e ka bërë repertorin jo vetëm atraktiv, por edhe dëshmi të qartë se Kori i Filharmonisë së Kosovës është i gatshëm të qëndrojë krah për krah me ansamble të nivelit më të lartë ndërkombëtar. Interpretimi i këtij repertori është pritur me duartrokitje të gjata dhe reagime pozitive nga audienca gjermane.
Për dirigjentin Hajrullah Syla, kjo paraqitje shënon një nga momentet më të rëndësishme në rrugëtimin e Korit.
“Ka qenë një koncert mjaft i rëndësishëm dhe është pritur shumë mirë prej publikut dhe niveli ynë ka qenë tepër nivel i lartë. Publiku, në bazë të duartrokitjeve, e ka pritur mjaft mirë koncertin dhe në fund të tij, kritikat kanë qenë mjaft të mira. Duke u nisur prej faktit që në publik ka pasur një numër të madh të gjermanëve, ata e kanë vlerësuar shumë lart koncertin dhe paraqitjen tonë, nga publiku është thënë se programi ka qenë mjaft atraktiv”, e ka përshkruar ai reagimin që dëshmon se muzika korale e Kosovës, e përbërë nga elemente të traditës, ka arritur t’i flasë një audience që e njeh dhe e vlerëson artin koral.
Në veçanti, veprat e kompozitorëve kosovarë kanë zgjuar kureshtje të madhe dhe janë pritur me interes nga publiku. Syla ka theksuar se kjo ishte një risi për audiencën gjermane, e cila nuk e ka pasur shpesh rastin të dëgjojë krijime të këtij niveli nga Kosova.
“Veprat e autorëve tanë janë pritur shumë mirë dhe ka qenë diçka interesant për publikun gjerman, sepse nuk është që kanë pasur rastin të dëgjojnë ose ta shohin një nivel të tillë të kompozitorëve tanë, kështu që është pritur shumë mirë”, ka thënë ai.
Pas suksesit në Hamburg, kori është nisur drejt Düsseldorfit. Në program nuk ka pasur ndonjë ndryshim.
Ky turne në Gjermani vjen në prag të një momenti historik për institucionin: shënimin e 25-vjetorit të themelimit të Filharmonisë së Kosovës. Dy koncertet e fundit të shtatorit, në Prishtinë dhe Shkup, do të mbajnë vulën e këtij përvjetori, duke u bërë ngjarje qendrore të sezonit të ri. Përveç faktit se këto paraqitje do të jenë një rikthim në skenën vendore pas suksesit në Gjermani, ato do të shërbejnë edhe si një përmbledhje e rrugëtimit të Filharmonisë: nga një ansambël i ri që ka nisur aktivitetin në vitin 2000, në një institucion të konsoliduar, i cili sot përfaqëson kulturën muzikore të Kosovës në skena ndërkombëtare.

Sipas dirigjentit Hajrullah Syla, menjëherë pas përfundimit të koncerteve në Gjermani, Kori do të nisë përgatitjet për dy paraqitjet e rëndësishme të fundshtatorit.
“Sapo të kthehemi, realisht do të fillojmë të përgatitemi për dy koncertet e radhës që i kemi më 26 dhe 27 shtator. Më 26 do të jetë në Prishtinë dhe më 27 në Shkup, ku njëkohësisht me këto dy koncerte shënohet edhe 25-vjetori i Filarmonisë së Kosovës, kështu që nuk kemi shumë kohë për pushim, por jemi gati edhe për ato dy koncerte”, ka shtuar ai.
Më tej, në fund të këtij viti, një tjetër moment i madh do të jetë paraqitja në Vatikan, ku kori do të sjellë muzikën kosovare në një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës dhe religjionit në botë.
Për vitin 2026, Filharmonia planifikon një kalendar më të gjerë ndërkombëtar, me paraqitje të tjera në skena evropiane, duke synuar që të rrisë edhe më tej shtrirjen dhe ndikimin e vet kulturor.
Ky vit ka qenë mjaft i ngjeshur për Filharmoninë e Kosovës. Në mbyllje të sezonit të kaluar, institucioni pati sjellë një nga ngjarjet më të mëdha të kulturës në Kosovë, kantatën skenike “Carmina Burana” të Carl Orffit, të interpretuar në bashkëpunim me Operën dhe Baletin Kombëtar të Kosovës. Ky projekt madhështor qe drejtuar nga dirigjenti japonez Toshio Yanagisawa dhe qe shoqëruar me koreografi të Toni Candeloros, duke krijuar një përvojë të papërsëritshme për publikun. Po ashtu, gjatë këtij viti, Filharmonia ka sjellë edhe vepra të komisionuara dhe ka përfshirë solistë e artistë ndërkombëtarë në skenën e Kosovës, duke treguar se rrugëtimi i saj nuk është vetëm interpretim i repertorit botëror, por edhe krijim i vlerave të reja muzikore.
Pjesëmarrja e Korit të Filharmonisë së Kosovës në Hamburg e Düsseldorf lë shenja më të mëdha sesa thjesht një turne artistik, është një dëshmi se muzika korale e Kosovës ka arritur “pjekurinë” e nevojshme për t’u ballafaquar me skenat më prestigjioze evropiane. Gjermania, një shtet ku tradita e muzikës klasike ka themeluar standarde botërore, e bën paraqitjen e ansamblit kosovar ta fitojë një domethënie të veçantë, si afirmuese e identitetit kulturor të Kosovës në mozaikun evropian.