Kulturë

Kori i Filharmonisë në “Verën e Ohrit” që mbledh emrat botërorë

Lista e emrave me nam që kanë interpretuar në “Verën e Ohrit” është e gjatë. Plácido Domingo e Ennio Morricone janë vetëm dy prej tyre. Por në edicionin e sivjetmë aty do të interpretojë edhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, dhe kjo është dëshmi për nivelin artistik të këtij formacioni. Në ngjarjen që sivjet shënon edicionin e 61-të do të shpalosë traditën korale shqiptare

Kur flitet për Ohrin si destinacion turistik, midis të tjerash, shpesh përmendet edhe fakti se ai konsiderohet si kryeqytet shpirtëror i Maqedonisë së Veriut. Për këtë epitet, pos trashëgimisë arkitekturore e natyrore, peshë të madhe ka edhe festivali “Vera e Ohrit”. E në edicionin e sivjetmë, Kosova do të çojë atje një pjesë të trashëgimisë së vet muzikore.

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të paraqitet me koncert njëorësh në edicionin e 61-të të “Verës së Ohrit”.

Në katër skenat e Festivalit, që sivjet nisi prej 12 e korrikut e do të zgjasë më 20 gusht, ndër vite kanë interpretuar emrat ndër më të mëdhenj në botë sa i përket muzikës klasike, prej Plácido Domingos, Ennio Morricones e shumë të tjerëve.

Kisha mesjetare e Shën Sofisë do t’u bëjë nikoqirllëk anëtarëve të Korit nën dirigjim të Hajrullah Sylës. Ndërtesa e stilit bizantin, që daton prej vitit 1035, njihet për akustikë të veçantë. Me kapacitet prej 200 ulësesh, pjesa e brendshme e Kishës gjatë Festivalit është e dedikuar vetëm për interpretime vokale. Pas Korit, në ditën e 8-të të gushtit aty do të interpretojë edhe sopranoja shqiptare me nam botëror, Inva Mula, e shoqëruar në piano nga Genc Tukiqi.

E Kori i Filharmonisë së Kosovës të enjten mbrëma atje do të paraqitet me vepra vendore e edhe ndërkombëtare. Një pjesë e historisë muzikore së kësaj ane do të shpaloset për të nxjerrë në pah jo vetëm zotësinë e këtij formacioni të Filharmonisë së Kosovës, por edhe traditën e autorëve.

E përpunuar nga Rafet Rudi, “Te Deum” e Niketë Dardanit – kompozitor i Dardanisë Antike, i cili jetoi midis shekujve 4 dhe 5 – do të hapë mbrëmjen koncertale të Korit. “Oeia” e Mendi Mengjiqit, humoreska e Rafet Rudit, “Sharaveli – Sharavata”, “Shkoj e vij fluturim si zogu” e Fahri Beqirit e “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e Baki Jasharit, janë veprat vendore që do të interpretohen nga Kori. Krejt bashkë shfaqin një dimension të historisë së Kosovës të përshkruar nga krijuesit muzikorë. Por interpretuesit nuk do ta lënë me kaq. “Humoreska maqedonase” e Todor Skalovskit, “Introitus / Kyrie” e Steve Dobrogosz, “Curse upon iron” me autor Veljo Tormis dhe “We can mend of the sky” e Jake Runestad janë po ashtu pjesë e “menysë” artistike, që do të shpaloset afër tri skenave të tjera të Festivalit, që janë tarraca në perëndim të Kishës së Shën Sofisë, Amfiteatri i Madh dhe “Dolni Saraj”.

Për Korin e Filharmonisë, koncertimi në Festivalin e themeluar më 1961 llogaritet të jetë privilegj, por edhe sfidë më vete. Do të debutojë atje. Më shumë se katër dekada më parë, në fund të viteve ’80 atje ishte prezantuar Kori i Radiotelevizionit të Prishtinës nën dirigjimin e Rafet Rudit.

Dirigjenti Hajrullah Syla ka thënë se ka kohë që kanë nisur përgatitjet për koncertin që do të mbahet në qytetin jugperëndimor të Maqedonisë së Veriut. Ka përmendur se kanë zgjedhur që të paraqiten me vepra të hershme si ajo e Niketë Dardanit e pastaj edhe të kompozitorëve që prekin periudha të ndryshme historike të Kosovës.

“Gjithashtu në program jemi munduar që t’i paraqesim kompozimet origjinale të kompozitorëve, por duke mos e anashkaluar veprën e kompozitorit Fahri Beqiri, një përpunim i muzikës sonë popullore. Duke mos e harruar që para pak kohësh u nda nga ne, por la vepra mjaft të mëdha e që paraqesin mjaft mirë muzikën tonë popullore”, ka thënë Syla. Në programin e Korit, sipas tij, nuk kanë munguar asnjëherë veprat e kompozitorëve botërorë që kanë kërkesa të mëdha interpretative dhe tregojnë një nivel mjaft të lartë të Korit.

“Në këtë koncert nuk do të mungojnë as solistë nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, që do të paraqiten me disa vepra mjaft delikate. Pjesëmarrja në festivalin ndërkombëtar ‘Vera e Ohrit’ është mjaft e rëndësishme, pasi që dihet që në këtë Festival kanë performuar emra të mëdhenj nga skena e muzikës klasike”, ka thënë Syla. Sipas tij, pjesëmarrja e Korit të Filharmonisë së Kosovës tregon që niveli i institucionit është mjaft i lartë.

“Besoj që kjo paraqitje do të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm, duke iu referuar edhe përgatitjeve që i kemi bërë gjatë muajit korrik”, ka thënë ai.

Sivjet në programin e Festivalit zënë vend edhe interpretimet e pianistit Darko Kostovski, violinistit Vladimir Markoviq bashkë me bashkëvendësen e vet nga Serbia, pianisten Juliana Shiloviq, kuinteti harkor i Filharmonisë së Zagrebit, ansambli barok “Teatro alla moda” nga Holanda, tenori italian Alessandro Fantoni i shoqëruar nga pianisti Giorgio Martano, harpisti francez, Héloïse Carlean-Jones e shumë formacione e emra të tjerë botërorë të muzikës.

Bazuar në programin e sivjetshëm, por edhe në krejt historinë e Festivalit që ia ka mësyrë dekadës së shtatë, menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se “Vera e Ohrit” është pa diskutim një nga festivalet më me peshë në të cilat është prezantuar Kori i Filharmonisë së Kosovës. Sipas tij, tradita 60-vjeçare dhe historiku i Festivalit e rrit përgjegjësinë e prezantimit përpara një audience të një organizimi me shumë traditë dhe kërkues në përmbajtjen programore.

“Festivali nuk është ndalur asnjëherë, madje edhe vjet në kohë pandemie ka gjetur forma për të mos e ndalur traditën. Natyrisht shto kësaj edhe interpretimin në një objekt kult të shekullit XI, kishën Shën Sofia, e bën këtë paraqitje edhe më të veçantë. Besoj se Kori për një kohë të gjatë nuk ka pasur mundësi ta ketë në shërbim pozitiv të interpretimit - hapësirën ku performon”, ka thënë ai. Ka treguar se programi është menduar gjatë, në pjesën më të madhe të tij është një pasqyrim i repertorit të Korit dhe është konceptuar asisoj që të jetë në shërbim të shpërfaqjes së kualiteteve që e veçojnë këtë ansambël.

“Pjesa e kompozitorëve shqiptarë zë vend të rëndësishëm dhe përveç një udhëtimi nëpër traditën korale të muzikës shqiptare nga Niketë Dardani e deri te kompozitorët shqiptarë të kohës sonë, por edhe atyre botërorë modernë që kanë lënë gjurmë në literaturën korale”, ka thënë ai.

Qysh prej filleve të veta, festivali njihet për emrat që kanë interpretuar aty, përfshirë tenorin spanjoll, José Carreras, violinistin rus, Leonid Kogan, pianistin ukrainas, Svyatoslav Richter, pianistin rus Grigory Sokolov, çellistin francez, Andre Navarra, sopranon amerikane Jessye Norman, baritonin rus Dmitri Hvorostovsky, violinistin italian, Salvatore Accardo, sopranon spanjolle Victoria de los Ángeles, violinistin ruso-izraelit Maxim Vengerov, klarinetistin francez, Paul Meyer, baritonin italian Leo Nucci, sopranon italiane Barbara Frittoli kompozitorin e dirigjentin italian Ennio Morricone, kompozitorin, pianistin e dirigjentin rus Mikhail Pletnev dhe shumë emra të tjerë.