Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekoruar kompozitoren Lejla Agolli me titullin “Mjeshtër i Madh”. I pari i Republikës e ka vlerësuar lart kompozitoren Agolli.
“Me mirënjohje për vlerat e saj të mëdha në fushën muzikore shqiptare, të dhëna përmes krijimtarisë së vyer, me vepra të të gjitha gjinive. Në vlerësim të promovimit të vlerave të muzikës shqiptare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për kontributin e veçantë në edukimin dhe formimin e brezave të rinj të artistëve”, shkruhet në motivacionin me të cilin i është dhënë titulli “Mjeshtër i Madh” Agollit.
Në ceremoninë e ndarjes së titullit, presidenti Ilir Meta ka thënë se është kënaqësi që janë mbledhur për të vlerësuar kontributin e çmuar të një artisteje, me dimension të gjerë në fushën e muzikës.
“Aktiviteti i Agollit është karakterizuar nga një krijimtari e pasur muzikore, me vepra të mëdha instrumentale e simfonike, me koncerte për piano e rapsodi, të interpretuara nga orkestrat simfonike dhe solistët më të mirë të vendit”, ka thënë presidenti Meta.
Agolli ka studiuar kompozim dhe orkestrim me kompozitorin Tish Daija dhe ka qenë e vetmja grua krijuese që ka shkruar muzikë instrumentale e simfonike për vite me radhë.
Sipas raportimit të mediave shqiptare, karakteri shumëdimensional i krijimtarisë muzikore të Agollit është pasuruar duke shkruar muzikë në të gjitha gjinitë, duke filluar nga muzika e dhomës, kuintete, kuartete, albume pianistike, violinë, koncerte për piano, rapsodi, vepra simfonike, muzikë filmi, këngë e të tjera.
Edhe
Muzeu “Dritëro Agolli”, kujtim për kolosin dhe traditat
Në vitin 2000, Agolli u përzgjodh të luante në Vatikan, në prani të Papës. Për 7 vjet, nga viti 2003 deri në vitin 2010, Agolli ishte drejtuese artistike e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Përveç krijimtarisë, Lejla Agolli ka një kontribut të veçantë në edukimin dhe formimin e brezave të rinj të artistëve.
Puna kërkimore në Institutin e Kulturës Popullore gjatë gjithë karrierës ka qenë baza e krijimtarisë muzikore me motive të traditës së hershme shqiptare të Agollit.
“Me pasion, dedikim e punë të palodhur, Agolli ka treguar se muzika është një urë lidhëse mes njerëzve, një gjuhë që tejkalon kufijtë dhe që afron popujt dhe kulturat e ndryshme, sepse arti, në vetvete, është pasqyrim i shpirtit të një kombi. Me punën e saj, kompozitorja Lejla Agolli ka kontribuar në pasurimin e trashëgimisë sonë muzikore”, ka thënë presidenti Ilir Meta.