Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Koleksioni francez dëshmon fuqinë e artit për solidaritet

Prishtinë, 27 mars – Është një udhëtim nëpër mjeshtërinë e artit francez. Ka pak mundësi që veprat që sjell “Koleksioni Francez nga Muzeu i Artit Bashkëkohor” të kenë temë të përbashkët, por ajo që i bashkon është solidariteti. Janë 49 piktura, vizatime, grafika e skulptura, që përbëjnë ekspozitën e hapur të hënën mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Përzgjedhja është bërë prej 283 sosh sa përmban koleksioni që iu dhurua institucionit muzeor maqedonas, fill pas tërmetit shkatërrues të 1963-s. Mbi 150 artistë, shumica francezë u bënë tok për t’u solidarizuar, teksa ajo që dhuruan ishte arti i tyre. Ekspozita në Prishtinë, në kuadër të “Javëve Franceze”, vjen si shpalosje e magjisë artistike, por me vete sjell edhe historinë se si ky thesar zuri vend në shtetin fqinj. Me peshën që kishte kur iu dhurua, fill pasi një viti, më 1964 u themelua Muzeu i Artit Bashkëkohor i Shkupit. Në mesin e artistëve që iu bashkuan nismës janë emra që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit, si: Victor Vasarely, Wilfredo Lam, Andre Masson, Piotr Kowalski apo Yves Alix.

Arta Bunjaku-Agani, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës, ka thënë se ekspozita mysafire përfshin vepra të disiplinave të ndryshme si grafika, skulptura, piktura e vizatime.

Disa nga rrymat e përdorura artistike janë postsurealizmi, postkubizmi, abstraksioni lirik e gjeometrik dhe i ashtuquajturi realizmi i ri.

Ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert, ka thënë si me shaka se qe i vetëdijshëm se të martën ka pasur ndeshje futbolli, por edhe ekspozita që u prezantua është një ndeshje e përbashkët kolektive. Sipas tij, është hera e parë që një ekspozitë e nivelit të tillë me vepra franceze shfaqet në Prishtinë.

Edhe Kosova kumbon në Paris me atë që s’është vetëm një ekspozitë Kulturë Kosova kumbon në Paris me atë që s’është vetëm një ekspozitë

“Mund të themi po ashtu se është një moment prekës se në kohën që po e festojmë 20-vjetorin e intervenimeve të NATO-s në Kosovë, kësaj here është një intervenim i një natyre tjetër pacifiste, prezantimi i veprave franceze në Kosovë. Siç bën arti zakonisht, është momenti i shkëmbimit dhe i krijimit të urave”, ka theksuar Chabert në fjalimin e tij.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")