Kulturë

“Koleksionet veneciane” hap kapituj edhe për Shqipërinë midis viteve 1400 e 1800

Koleksionet veneciane

“Koleksionet veneciane” ndahet në disa seksione, dedikuar historisë së Venedikut dhe Rilindjes Evropiane në shekujt XVI – XVIII, një seksion dedikuar Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe Orientit

Janë 600 libra dhe harta origjinale të shtypura në Venecia midis viteve 1400-1800. Është një thesar jo fort i njohur e prej së martës është shpalosur në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë me ekspozitën “Koleksionet veneciane” të kuruar nga drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Firences, Elisabetta Sciarra. Ndahet në disa seksione, dedikuar historisë së Venedikut dhe Rilindjes Evropiane në shekujt XVI – XVIII, një seksion dedikuar Shqipërisë dhe Greqisë si dhe Orientit.

“Gjatë kësaj procedure të censusit, që ishte mjaft e vyer për realizimin e kësaj ekspozite, patëm rastin fatlum të gjenim disa publikime mjaft të rralla, njëri prej të cilëve ka të bëjë me botimin e biografisë së shkruar nga Marin Barleti për historinë e Skënderbeut“, citohet të ketë thënë Sciarra. 

Alessandro Ruggera, drejtor i Institutit Italian të Kulturës, ka thënë se Shqipëria ka vuajtur në kohën e diktaturës kur ka qenë e izoluar nga bota. 

“Por nëse shohim që nga fillesa, Shqipëria ka qenë një urë lidhëse mes vendeve ballkanike, me marrëdhënie të shumta dhe kjo gjë duhet të bëhet me dije, siç po bëjmë sot“, ka thënë Ruggera. 

Për drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Pirro Misha, hapja e këtij thesari të Venecias ka peshë për disa arsye. 

“Jo rastësisht e nisëm me Venecian, mjafton të përmendim librat që lidhen me historinë tonë dhe gjuhën tonë, të botuara në Venecia që nga Bogdani, Buzuku dhe një mori librash për Skënderbeun. Ka dhe një arsye tjetër, nga librat e ekspozuara kupton që Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë një ishull, as në periudhat e historisë kur dukej sikur e ndante një mur i pakapërcyeshëm me pjesën tjetër të Evropës, ka pasur individë që kanë mbajtur dhe ruajtur komunikimet“, ka thënë Misha.

Për ekspozitën ka shkruar edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka thënë se “në çdo libër dhe në çdo hartë qëndron një kapitull i pazbuluar i rrugëtimit tonë të përbashkët me Mesdheun. Jo vetëm fakte, por shpirti i një historie që bashkon brigjet, duke na kujtuar se deti ka qenë gjithnjë urë, jo ndarje”. 

Ekspozita, që do të qëndrojë e hapur deri më 4 nëntor, konsiderohet si ndër më të mëdhatë e më të rëndësishmet të organizuara nga BKSH-ja. Pjesa më e madhe e librave dhe hartave ekspozohen për herë të parë në publik.