Qytetarë të shumtë e liderë politikë kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Prekaz në nderim të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Çitaku bën homazhe në Prekaz: Na mungojnë shumë liderët tanë të luftës

3 min. më parë / 28 nën 2025 11:08
Vlora Çitaku

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Vlora Çitaku, pasi që ka bërë homazhe në kompleksin memorial në Prekaz, ka uruar që kjo festë të jetë e fundit që shënohet pa ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që po mbahen në paraburgim në Hagë. 

“Sigurisht që sot na mungojnë shumë liderët tanë të luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniq e Rexhep Selimi. Qoftë ky Nëntori i fundit që e shënojmë pa ta”, tha ajo.
Çitaku tha se nga Prekazi fillon gjithçka. 

“Ngado që të nisemi si komb, nga këtu fillojmë. Nga Prekazi legjendar, Prekazi i sakrificës, nga Prekazi i heroizmit, nga Prekazi i heroizmit nga Prekazi që është një kujtim dhe mësim i përhershëm që atdheu, liria duhet të duhen pa kushte. Atdheut, liria janë parakusht për krijimin e çdo vlerë tjetër”, ka theksuar Çitaku. 

Basha në Prekaz: Dita e Flamurit, ditë e shenjtë për shqiptarët

17 min. më parë / 28 nën 2025 10:54
Dimal Basha

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, me rastin e 28 Nëntorit ka bërë homazhe të kompleksi memorial në Prekaz. 

Ai ka thënë se Dita e Flamurit është një ditë feste dhe ditë e shenjtë për shqiptarët. 

“Sot festojmë Ditën e Flamurit, një ditë jashtëzakonisht të shenjtë që i bashkon shqiptarët gjithandej, përtej çdo kufiri, përtej çdo oqeani. Sot në Prekazin e lavdishëm festojmë ditën e shenjtë kur kryetrimi ynë Gjergj Kastrioti, Skenderbeu, ngriti flamurin në Lezhë, në vitin 1443. Sot festojmë Ditën e Pavarësisë dhe ngritjen e dykrenares në Vlorë, sot festojmë daljen publike të UÇK-së, nga heroi ynë Mujë Krasniqi, gjenralet Daut Haradinaj e Rexhep Selimi dhe gjithashtu edhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari”, është shprehur Basha në një deklarim për media. 

 

Veteranët bëjnë homazhe në Prekaz: Festat e Nëntorit të mangëta pa drejtuesit e UÇK-së

33 min. më parë / 28 nën 2025 10:38
Hysni Gucati

Hysni Gucati

Veteranë dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se këto festa të nëntorit janë të mangëta pa krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai pas homazheve tha para mediave se pret që vitin e ardhshëm të festojnë bashkërisht me ta.

“Ju urojmë festat e nëntorit, katër festat të cilat janë në këtë muaj. Festa e vitit 1944 ngritja e flamurit në Krujë nga Skënderbeu, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari më 1955 dhe dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne edhe një herë ju urojmë të gjithë qytetarëve të Kosovës, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve këto festa të nëntorit. Këto festa janë të mangëta për arsye se ne i kemi krerët e UÇK-së, padrejtësisht duke u mbajtur atje nga një gjykatë, por ja që na ndodhi kjo dhe ne shpresojmë dhe besojmë se vitin e ardhshëm do t’i presim këto festa bashkërisht me ta”, deklaroi Gucati.

VIDEO:

Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, pushojnë trupat e Jasharëve, të vrarë me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998.

28 nëntori shënon daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësinë e Shqipërisë dhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari./KSP