Kulturë

Koleksione veprash të njohura të muzeve ruse mbesin në Francë

Picasso, Gauguin, Renoir, janë veç disa prej autorëve të veprave të “Koleksionit Morozov” ku përfshihen rreth 200 vepra të disa prej piktorëve më të famshëm evropianë, si dhe vepra të rëndësishme të artistëve rusë.

Për herë të parë ky koleksion i jashtëzakonshëm u shfaq jashtë Rusisë, në një ekspozitë të mbajtur në Francë.

Në fillim të shkurtit, më shumë se 1 milion njerëz kishin vizituar ekspozitën “Koleksionin Morozov: Ikonat e Artit Modern”, në muzeun e fondacionit “Louis Vuitton” në periferi të Parisit.

Ekspozita zgjati deri më 3 prill, por me përfundimin e saj kuratorët francezë dhe ata rusë po përballen me probleme diplomatike dhe logjistike: si do t'i kthejnë veprat e artit në tri muzetë ruse prej nga kanë ardhur “Hermitage” në Shën Petersburg, në muzeun “Pushkin” dhe në Muzeun Shtetëror të Arteve të Bukura dhe në galerinë “Tretyakov” në Moskë?

Pasi trupat ruse pushtuan Ukrainën, shumica e vendeve evropiane ndaluan linjat ajrore ruse të hynin në hapësirën e tyre ajrore dhe Rusia vendosi ndalim-fluturimi në Perëndim.

Kthimi i tyre me kamion do të ishte gjithashtu i komplikuar, sipas fondacionit “Louis Vuitton”.

Në bashkëpunim me institucionet përkatëse ruse, ata po shqyrtojnë se çfarë duhet të bëjnë nëse ka “një problem” me kalimin e kufirit, ka treguar Jean-Paul Claverie, këshilltar special i Bernard Arnault, kryetar i fondacionit “Louis Vuitton”.

Një “hartë rrugore” është dizajnuar për kthimin e veprave, ka treguar ministrja ruse e Kulturës, Olga Lyubimova, në një konferencë për media. Por ajo nuk ka dhënë detaje.

Të dyja palët kanë thënë se punimet fillimisht mund të mbeten në ambientet e fondacionit “Louis Vuitton”. Siguria e pikturave është prioriteti kryesor, sipas tyre.

Pikturat janë pjesë e një koleksioni historik privat. Në fund të shekullit të kaluar, vëllezërit Mikhail (1870-1903) dhe Ivan Morozov (1871-1921) blenë vepra nga artistë të rëndësishëm evropianë, duke përfshirë Gauguin dhe Cezanne. Kur regjimi carist i Rusisë u shemb në vitin 1918, koleksioni u shtetëzua.

Fillimisht ai do të bëhej pjesë e Muzeut të Artit Modern Perëndimor, por Stalini, i cili përçmonte artin evropian, e mbylli atë në vitin 1948. Punimet u shpërndanë midis muzeut “Pushkin” të Moskës dhe “Hermitage” në Shën Petersburg.

Për arsye ekonomike, shteti sovjetik shiti gjithashtu disa vepra, duke përfshirë “Café de Nuit” të Van Goghut, që shkoi në Universitetin e Yales dhe një tjetër të Cezanne, që tani i përket Muzeut Metropolitan në New York.

Ekspozita e Parisit, e cila u hap në shtator 2021, u festua si një ngjarje e madhe diplomatike. Të pranishëm ishin edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe ministrja ruse e Kulturës, Lyubimova.

“Koleksioni Morozov” nuk është ekspozita e vetme që organizatorët pyesin se si dhe kur mund të kthehen veprat në Rusi. Një ekspozitë e Carl Faberge në muzeun “Victoria and Albert” në Londër që zgjat deri më 8 maj përfshin 13 ekspozita nga muzetë ruse – përfshi dhuratat që Vladimir Putini ia dhuroi muzeut “Hermitage” në Shën Petersburg, si dhe vepra në pronësi të Fondacionit “Link of Times” , themeluesi i së cilës Viktor Vekselberg është në listën e të sanksionuarve në Britaninë e Madhe. Muzetë ruse po përballen me probleme të ngjashme.

Ekspozita “Diversity United” në galerinë “Tretyakov” të Moskës, një bashkëpunim Gjermani-Francë-Rusi, u ndërpre.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier tërhoqi së fundmi patronazhin e tij për ekspozitën e organizuar nga Fondacioni për Art dhe Kulturë me qendër në Bonn, i kryesuar nga Walter Smerling. “Në këtë rast, plani ynë për të ndërtuar ura me ndihmën e artit dhe përtej vështirësive politike nuk funksionoi”, ka thënë Smerling duke shtuar se ai ka frikë se “për një të ardhme të parashikueshme, ekspozitat e artit bashkëkohor nuk kanë asnjë shans të zhvillohen në Rusi në kushtet e mungesës së lirisë dhe veprimit luftarak”.

Duke pasur parasysh tragjedinë që po shpaloset aktualisht në Ukrainë, problemet në botën e artit mund të duken pak të rëndësishme. Por deri në luftë, projektet e bashkëpunimit midis muzeve ruse dhe atyre evropiane shiheshin si një shtyllë e rëndësishme diplomatike.