Lëvizjet bashkëkohore që ndërlidhen me ekologjinë, konceptimi i së ardhmes përtej realitetit teknologjik e praktikat e arkivimit që do të ndihmojnë institucionet e artit, ndërtojnë një pjesë të asaj që organizatorët e klasave hezitojnë ta quajnë “shkollë” të mësimit joformal. Por “Klasat e majit” organizuar nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” e ndërton të tillë mendimin për të. Figura të skenës artistike, dhe jo vetëm, do të eksplorojnë programin intensiv me qëllim rritjen e reputacionit tek fushat që pjesëmarrësit ndjekin
Pikat që bashkojnë dhe ndajnë mentalitetin, si fakti që qendrat tregtare janë atraksion para muzeve dhe galerive, shërbejnë si shembull praktik i asaj çfarë eksplorojnë “Klasat e majit”.
Lëvizjet bashkëkohore që ndërlidhen me ekologjinë, konceptimi i së ardhmes përtej realitetit teknologjik e praktikat e arkivimit që do të ndihmonin institucionet e artit, ndërtojnë një pjesë të asaj që organizatorët e klasave hezitojnë ta quajnë “shkollë” të mësimit joformal. Por “Klasat e majit”, organizuar nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” e ndërtojnë të tillë mendimin për të. Figura të skenës artistike, dhe jo vetëm, do të eksplorojnë programin intensiv me qëllim rritjen e reputacionit tek fushat që pjesëmarrësit ndjekin.
Programi shënjestron avancimin në rolin e skenës së pavarur. Shton pikëpamje të arsimit joformal, duke e konsideruar si nevojë për zhvillim. “Klasat..” do të ofrojnë program të larmishëm me leksione, trajnime dhe shembuj nga ligjërues, teoricienë e artistë të ndryshëm. Ata do të angazhohen për të ndihmuar të interesuarit që ndjekin klasat për zgjerimin e potencialeve në drejtimet e tyre profesionale duke ndarë me ta njohuritë dhe përvojat e tyre.
Janë katër tema të ndërlidhura midis klasave që do të trajtohen. “Archiving practices: Archival art collections” me ligjëruese artisten multidisiplinare polake Iga Maria Szczepanska është njëra prej klasave që konsiderohet e rëndësishme për skenën lokale. Nëpërmjet saj synohet të përcillen njohuritë që praktikohen në “Secondary Archived” – platformën e arkivimit – një pjesë e veprimtarisë të së cilës ishte shpalosur në Galerinë Kombëtare në kryeqytet në kuadër të edicionit të vjetëm të bienales “Manifesta”. Szczepanska do të flasë për mënyrën si mblidhen dhe drejtohen arkivat, me theks në koleksionet e veçanta.
Drejtoresha artistike e fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, Fitore Isufi, i ka konsideruar të rëndësishme ligjëratat që do të mbahen me këtë temë pasi, sipas saj, njohuritë do të mund të praktikohen në krijimin e institucioneve të reja në vend.
“Kjo praktikë tek ne është tepër e veçantë, sidomos për institucionet që i kemi dhe për ato që po pretendojmë t’i hapim, siç është fjala për Muzeun e Artit Bashkëkohor. Konsiderojmë se një klasë e tillë do t’ua shtonte kompetencat njerëzve që kanë interes të thellohen në këtë fushë të veprimit”, është shprehur Isufi.
Lëvizjet bashkëkohore që ndërlidhen me natyrën dhe mjedisin do të jenë kryefjalë në ligjëratën që ka për temë “Queering ecology” nga filozofja dhe ish-jazz vokalistja polake, Margret Grebowicz. Duke përfshirë edhe poetiken dhe estetiken, me praktikën e saj do të synojë të thellojë njohuritë dhe perspektivën e barazisë mjedisore. Ligjëruesja e kuratorja Fitore Isufi ka konsideruar se “është një temë krejtësisht e paprekur dhe shumë me interes për ta parë ndryshe në një spektër tjetër natyrën dhe mjedisin ku jetojmë”.
e ligjëruesja në fushat e artit, kulturës dhe teknologjisë, Fernanda Parente nga Gjermania, do të provojë të vërë në diskutim dhe të trajtojë pikat e përbashkëta të jetës fizike dhe asaj digjitale. Tjetër çështje, pos e rëndësishme edhe atraktive do të jetë ngritja e pyetjeve se a mund të imagjinohet dhe projektohet një e ardhme përtej realitetit, duke marrë parasysh dinamikën e teknologjisë. Ligjëratën do ta mbajë në formë praktike me anë të punëtorisë, por edhe me sfond teorik.
Të gjithë ligjëruesit janë të njoftuar në një formë a tjetër për skenën kulturore të Kosovës. E njohin kontekstin e saj pasi që kanë bashkëpunuar me fondacionin “Shtatëmbëdhjetë” gjatë ligjëratave virtuale që kanë mbajtur. E kuratorja dhe shkrimtarja nga Berlini, Catherine Nichols, që ishte zgjedhur ndërmjetësuese kreative e edicionit të bienales nomade “Manifesta 14” në Prishtinë, kishte pasur mundësi të njihej edhe më afër me atë se si qëndrojnë institucionet kulturore në vend. Gjithashtu edhe për tentimin që shteti të ketë Muzeun e Artit Bashkëkohor. Ka vendosur të mbajë një punëtori duke ndarë me pjesëmarrësit produktet e hulumtimeve gjatë qëndrimit në Kosovë. Këtë do ta bëjë duke krahasuar përvojat e saj që ndërlidhen me aktivitetet edhe në vendet e tjera.
Nichols do të shpalosë të përbashkëtat dhe pikat ndarëse nga perspektiva e saj. Si shembull konkret është bërë e ditur se do të merret fakti që qendrat tregtare joshin më shumë vizitorë sesa institucionet e artit. Në këtë rast do të shikohet mundësia se si institucionet mund të marrin leksione prej tyre.
“Ajo natyrisht mundohet të flasë për pikat që bashkojnë dhe ndajnë përvojat me vendet e tjera. Thjesht, për të kuptuar se pse sondazhet tregojnë se më shumë njerëzit i frekuentojnë qendrat tregtare sesa muzetë dhe galeritë. Kjo pastaj na bën të mendojmë dhe të rishohim se çfarë mund të ofrojnë institucionet”, ka shpjeguar Isufi.
“Klasat e majit” është program i veçantë i Fondacionit dhe si një lloj shkolle e mësimit joformal. Për katër ditë radhazi, nga 16 deri më 19 maj, do të mbahen intensivisht paradite dhe pasdite. Kjo është hera e parë që po organizohen dhe synojnë të bëhen tradicionale. Në to do të punohet me grupe të vogla që përfshijnë 6 deri 10 pjesëmarrës, pasi që synohet të jetë klasë e mirëfilltë dhe me rezultate. Isufi ka thënë se që në fillim është menduar që nëpërmjet klasave të ofrohet program që në një formë shton kompetencat e artistëve që veprojnë në institucione të pavarura dhe që u intereson arti dhe kultura.
“Është menduar të marrin edukim joformal. Por në këtë rast shumë intensiv, pasi që vetëm si i tillë do të quhej klasë. Është katërditore dhe në atë formë të ftuarat, ligjërueset e këtij programi, secila e ka ndërtuar programin e tyre që janë modele e praktika bashkëkohore të cilat provojnë t’i zbatojnë në edukim përmes këtyre klasave”, është shprehur ajo.
Këto klasa do të mbahen paralelisht në lokacione të ndryshme. Deri më tani është konfirmuar klasa për praktika të arkivimit që do të mbahet në Galerinë Kombëtare të Kosovës, derisa me potencial është parë të shfrytëzohet edhe ajo që tashmë funksionon si Qendër për Praktika Rrëfyese. Rreth 40 pjesëmarrës do t’i ndjekin këto ligjërata.