Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Karnavali – magjia e ngjyrave në Korçë

Korça e sivjetme edhe më shumë i ka dhënë kuptim cilësimit të saj si qytet i kulturës, serenatave e festivaleve. Përmes frymës gazmore të karnavaleve, qyteti juglindor shqiptar ka hapur zyrtarisht sezonin turistik, i cili gjatë muajve të verës do të begatohet edhe me festivalet e njohura të birrës, kulinarisë dhe artit.

Me pjesëmarrjen e 26 grupeve të ndryshme, Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve, i hapur në fundjavë, në bulevardin e qytetit ka sjellë një parakalim ngjyrash, stilesh e maskash.

Si ngjarje që ka tërhequr edhe turistë nga Evropa e dashamirë karnavalesh, grupet korçare si dhe ato nga qytete të tjera kanë parakaluar duke shoqëruar performancat edhe me një fabul.

Image

Edicioni i sivjetmë – ndryshe nga ai i vjetshmi që ishte cunguar për shkak të pandemisë – për të katërmbëdhjetin vit i ka falur Korçës bukurinë festive të butaforisë e maskave të karnavalit.

Me një video dyminutëshe, edhe kryeministri shqiptar Edi Rama ka zgjedhur ta afirmojë këtë ngjarje.

Edhe Karnavalet si mëkat dhe tallje me të fuqishmit Kulturë Karnavalet si mëkat dhe tallje me të fuqishmit

“Me festën e rilindur të karnavaleve në Korçën turistike, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama të mërkurën në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Me origjinë nga latinishtja, “Carneval” është emri që përshkon kremtime lokale e rajonale kryesisht në vendet me gjuhë neo-romane. Sipas traditës kristiane, ngjarjet kryesore mbaheshin në fund të shkurtit ose në fillim të marsit, me kremte publike, parada, ahengje në rrugë, dëfrime e ndërthurje të elementeve të cirkut.

Edhe pse me zanafillë pagane, “karnavalet” në Korçë kanë nisur të festohen në Korçë në fund të viteve ‘30, veçmas me krijimin e shoqërive kulturore si “Rinia Korçare”.

Ishte koha kur këto organizime shoqëroheshin me mandolina, kitara e këngë humoristike. Në vitet ‘60, në kohën e sistemit komunist, kjo festë do të ndërpritej për t’u rilindur vetëm pas viteve ‘90.

Edhe Bregoviqi “ndez” Korçën me muzikë rome, gazi lotsjellës mbetet periferik Kulturë Bregoviqi “ndez” Korçën me muzikë rome, gazi lotsjellës mbetet periferik

Kështu, Korça u bë një nga qytetet e para shqiptare që rizgjoi traditën e ndërprerë të karnavaleve: më 1992, aty u krijua Shoqata e Karnavalit si pjesë e Shoqatës Kombëtare të Karnavalit Shqiptar. Më 10 prill 1994, në Korçë u mbajt edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Karnavalit në Shqipëri. E grupe korçare të karnavalit janë përfaqësuar në një varg festivalesh ndërkombëtare në Evropë.

Përgatiti: Salih Mehmeti

Image