Kulturë

Karnavali gjerman satirizon skajshmërisht me Trumpin, Merzin e Macronin

karnevali

Donald Trump, Friederich Merz dhe Emmanuel Macron janë ndër figurat që janë vënë në shënjestër të satirës në Paradën Tradicionale të së Hënës së Trëndafilave. Vladimir Putini është kursyer dhe për këtë ka një arsye

Parada e Karnavaleve të së Hënës së Trëndafilave në Koln, e planifikuar të mbahet më 16 shkurt, premton të jetë më skandaloze se zakonisht. Ngjarja përbëhet prej 120 karvanëve prej tyre edhe aso tallëse e satirike, që janë pjesa qendrore e kësaj ngjarjeje.

Si zakonisht, disa nga politikanët më me ndikim në botë do të “piqen” aty. Krijuesit e shfrytëzojnë këtë rast për të krijuar vepra arti të lëvizshme, që janë njëkohësisht humoreske, por edhe me kritika të mprehta shoqërore e politike

Drejtori i paradës, Marc Michelske, prezantoi disa nga temat e  Komitetit të Festave të Kolnit në prag të karnavaleve të këtij viti.

Paraprakisht publikut i janë prezantuar skicat e katër karvanëve. Njëra prej tyre paraqet Donald Trumpin duke u shikuar në pasqyrë, duke qeshur me të madhe derisa të pasmet e tij janë të zhveshura e të mbuluara me shenja puthjesh.

“Ne pyetëm veten se pse kaq shumë njerëz i nënshtrohen Donald Trumpit derisa vetë Trump ka thënë: ‘Ata po më puthin të pasmet’. Deklarata dhe sjellje të tilla janë lehtësisht të transformuara në imazhe”, ka shpjeguar Michelske.

Shenjat e puthjeve mbajnë emrat e figurave të shquara dhe organizatave të njohura, përfshirë Bashkimin Evropian, FIFA-n, Kombet e Bashkuara, kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron.

 “Trump gjithmonë godet nën brez, siç bën në çdo çështje. Kjo është shumë e ulët, sidomos nga një president i Shteteve të Bashkuara, dhe kjo ishte mënyra më e mirë për ta paraqitur këtë”, ka thënë Michelske.

Si drejtor i paradës, ai është përgjegjës për planifikimin e karvanëve tallëse së bashku me ekipin kreativ, për udhëheqjen e ndërtimit të tyre me ndihmën e shumë asistentëve si dhe për hartimin e planeve të sigurisë së bashku me zëvendësin e tij.

Komiteti i Festivaleve të Kolnit është një nga organizatat e pakta të karnavaleve që i prezanton karvanët para paradës së të Hënës së Trëndafilave. Ndryshe nga kjo, veprat e karnavaleve në Dyseldorf mbahen sekret deri ditën e ngjarjes së madhe.

“Kjo do të thotë se çfarëdo gjëje të pakëndshme që ne e planifikojmë, ajo do të parakalohet patjetër dhe askush nuk mund të bëjë asgjë për ta ndaluar” ka thënë ndërtuesi i karvanëve Jacques Tilly në një intervistë.

Herë pas here, institucione dhe individë janë përpjekur të pengojnë pjesëmarrjen e këtyre veprave të Tillyt në paradën e së Hënës së Trëndafilave në Duseldorf.

Në anën tjetër, Michelske beson se është e rëndësishme që karvanët të prezantohen paraprakisht për publikun.

“Nuk është sekret dhe gjërat duhet t’i paraqiten dhe shpjegohen publikut. Kjo është pjesë e procesit. Na ndihmon të flasim për atë që shprehim në një karvan sepse të Hënën e Trëndafilave zakonisht kjo nuk është më e mundur për ne”, ka thënë ai.

Derisa karvani me Donald Trumpin është vetëshpjegues , ajo që paraqet një kobër të madhe blu kërkon pak shpjegim. Është një denoncim për partinë e ekstremit të djathtë gjerman, Alternativa për Gjermaninë (AfD), dhe është veçanërisht e rëndësishme për Michelsken.

Gjarpri famëkeq Kaa nga “The Jungle Book” i Rudyard Kiplingut paraqitet në ngjyrë të kaltër të çelët — ngjyra zyrtare e AfD-së — duke u mbështjellë rreth një të riu. “Kaa përpiqej ta mbështillte djalin Mogli dhe ta hipnotizonte, dhe ne po e shohim këtë të ndodhë edhe tash”, ka theksuar Michelske.

Sipas tij, shumë njerëz verbohen nga premtimet e AfD-së.

“Por me këta njerëz duhet folur, jo vetëm t’u vihet damka. As Mogli nuk ia doli i vetëm. Duhet t’i ndihmojmë njerëzit të dalin nga kjo hipnozë; vetëm atëherë mund ta trajtojmë vërtet problemin. Kjo është thelbi i demokracisë”, ka nënvizuar Michelske.

Temat e që shpalosen këtë vit janë shumë të larmishme. Njëra paraqet një djalë me celular, që mban një helmetë ushtarake tepër të madhe — një aludim për propozimin për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Gjermani: të rinjtë mund të thirren sërish në ushtri pa e ditur realisht çfarë i pret.

Një tjetër paraqet një gijotinë të mbuluar me gjak, me mbishkrimin “tarifat amerikane”, ndërsa tehu është flamuri i SHBA-së.

Një tjetër vepër shfaq një lepur me etiketën “BE”, që mban pesha të rënda nën vështrimin e SHBA-së të përfaqësuara si shqiponjë, Rusisë si ari dhe Kinës si panda. Mesazhi shoqërues thotë se BE-ja do t’ia dalë edhe pa të fuqishmit.

Këtë vit në paradën e Këlnit nuk është planifikuar një karvan me presidentin rus Vladimir Putin. Por jo sepse organizatorët kanë frikë nga ndonjë pasojë, siç i ndodhi ndërtuesit të karvanëve në Dyseldorf, Jacques Tilly, i cili u padit nga shteti rus për një vepër satirike me Putinin.

“Ne qëndrojmë patjetër në solidaritet me të; budallenjtë duhet të jenë të lirë”, ka thënë Michelske, duke iu referuar traditës së karnavaleve, ku pjesëmarrësit quhen me dashamirësi “budallenj”. Ai është i bindur se Tilly do të gjejë përgjigjen e duhur ndaj këtyre sulmeve kundër lirisë së shprehjes me një karvan të ri këtë vit.

“Ne do ta mbështesim përgjigjen e tij thjesht duke thënë se ai ka krijuar veprën më të mirë për këtë temë, dhe kështu do të jetë”, ka shtuar ai duke theksuar se Këlni do t’ia lërë Dyseldorfit një vepër të lidhur me Putinin.

Edhe festuesit në qytetin Mainz, një tjetër qendër e rëndësishme e karnavaleve në Gjermani, kanë shprehur solidaritet me Tilly-n përballë autoriteteve ruse. “Nuk do të frikësohemi dhe nuk do të na privojnë nga humori ynë. Kritika ‘budallaqe’ nuk njeh kufij dhe nuk mund të ndalohet”, thuhet në një deklaratë të shoqatave të karnavaleve të Mainz-it.

Motoja e paradës e së Hënës së Trëndafilave në Koln këtë vit është “Mer dun et för Kölle”, që përkthehet afërsisht si “Po e bëjmë për Kolnin”. Ajo i kushtohet vullnetarëve të qytetit, veçanërisht atyre të angazhuar në karnavale. E simbolizon një grup prej 250 këngëtarësh vullnetarë nga mbi 30 kore të Këlnit, të të gjithë brezave, si dhe një orkestër prej 50 muzikantësh vullnetarë që do të udhëheqin paradën e së Hënës së Trëndafilave. Pak muzikë për ta shoqëruar satirën.

(Marrë nga DW)