Kulturë

Kampi me të rinjtë, aktiviteti i vetëm në Dresnik për sivjet

Nëse shikohen fotografitë e aktivitetit të së enjtes të Ministrisë së Kulturës në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut, mund të krijohet përshtypja se aty po bëhet alamet pune.

Por realisht, shteti sivjet ka dështuar të merret me lokalitete arkeologjike. Dresniku është një nga mbi dhjetë projektet që këtë vit as që kanë nisur, transmeton KOHA.

E në Dresnik, MKRS-ja, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Komuna e Klinës në partneritet me organizatën “European Heritage Volunteers” po zhvillojnë një aktivitet disaditor për gjurmimin dhe restaurimin e mozaikut shumëngjyrësh.

Mozaiku, që mendohet se i përkiste një vile perandorake të antikitetit, qe zbuluar në vitin 2013. Hapja që i është bërë një pjese të tij për shkak të aktivitetit me të rinjtë nga vende të ndryshme, nuk i ndihmon asgjë lokalitetit. Veç mund ta dëmtojë atë.

Gjatë këtij viti, gazeta disa herë ka raportuar se si sivjet për shkak të mungesës së mjeteve të transportit dhe problemeve për shfrytëzim të buxhetit, Instituti Arkeologjik i Kosovës nuk ka nisur të realizojë asnjë projekt. Pavarësisht kësaj, të enjten në Dresnik të Klinës nuk kanë munguar fjalët e mëdha.

Sipas komunikatës për media të lëshuar nga MKRS-ja, ky institucion ka mbështetur financiarisht akomodimin e studentëve ndërkombëtarë të cilët do të gërmojnë, pastrojnë e konservojnë mozaikun nën mbikëqyrjen e arkeologut Elvis Shala.

Sipas MKRS-së, studentët ndërkombëtarë vijnë nga SHBA-ja, por edhe nga vende që nuk e kanë njohur Kosovën, si Spanja, India e Sllovakia. Sipas komunikatës, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, gjatë vizitës në Dresnik ka thënë se kjo është një dëshmi që trashëgimia kulturore është aq e pasur në Kosovë saqë ka nxitur interesimin e të huajve dhe ekspertëve të trashëgimisë.