Teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren ka realizuar premierën e katërt për këtë vit, duke vënë në skenë shfaqjen “Jerusalem” të autorit Jez Butterworth, në regji të Butrint Pashës. Për mbi dy orë, loja energjike e aktorëve të këtij teatri ka dhuruar festë për shikuesit e pranishëm dhe ka lënë një mesazh: më shumë dashuri për natyrën. Por, në fund, ai që fiton është shteti.
Teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren ka realizuar premierën e fundit për këtë vit, duke vënë në skenë komedinë “Jerusalem” të autorit Jez Butterworth, nën regji të Butrint Pashës. Ky i fundit ka vlerësuar se kjo shfaqje para publikut ka prezantuar porosinë për më shumë dashuri ndaj mjedisit me kundërshtimin e ndërtimeve të egra, bashkë me dëshirën për një shoqëri të shëndoshë. Ngjarja është e vendosur në Anglinë rurale, ku gjatë rrjedhës së shfaqjes, kryepersonazhi Gjon “Gjel” Bajroni (interpretuar nga aktori Ernest Malazogu) tregon përralla, dehet, drogohet, u shmanget autoriteteve, ndërkohë që magjeps dhe zemëron ata që i takon.
Shfaqja hapet në mëngjesin e panairit lokal të qarkut dhe zbulohet se Gjoni është njeriu më i popullarizuar dhe më irritues në qytet. Autoritetet lokale duan ta dëbojnë, djali i tij dëshiron të kalojë ditën me të, banditi i qytetit dëshiron t'i japë atij një mësim dhe grupi i tij i rremë i miqve do të festojë me të. Pavarësisht të metave, ai shpreh qëndrimin kundër hipokrizisë së jetës moderne, me ç’rast shfaqja si tërësi tregon urinë e njerëzve për ndërtime të reja, por jo edhe për ndërtimin e shoqërisë së shëndoshë.
Regjisori Butrint Pasha, ka uruar që audienca ta ketë kuptuar porosinë e kësaj shfaqjeje të adresuar përmes satirës së mprehtë.
"Shpresoj që u kuptua, mesazhi është anti ndërtimeve të egra, më shumë dashuri për natyrën. Ky është mesazhi i shfaqjes, po ashtu tërthorazi shfaqja flet edhe për dukuritë negative që është një instancë siç janë droga, alkooli, dhe kemi dashtë përmes satirës dhe dramës me përçu këtë mesazh te publiku dhe shpresoj që ia kemi arritur”, ka thënë ai. “Nëse jo, mund të vijnë t’i shohin reprizat e tjera”, ka shtuar duke Pasha duke qeshur.
Ai ka pohuar se tekstin dhe konceptin për këtë shfaqje e ka pasur gati prej dy vjetësh dhe se ka konsideruar që bashkë me Teatrin e Prizrenit mund ta jetësonte këtë ëndërr. Kjo, ngase ky teatër me ekipin e tij ka ofruar kushtet më optimale për realizimin e kësaj drame. Sipas tij, kjo premierë ka qenë një prezantim dinjitoz i ansamblit të teatrit “Bekim Fehmiu”, marrë parasysh kohën e shkurtër për realizimin e shfaqjes.
“Prej sfidave kryesore, ka qenë edhe koha për shkak se ka qenë e përcaktuar me qenë pjesë e projekteve të këtij viti, e fundvitit, me u përmbyllë para se të fillojë 2022, edhe ka qenë goxha sfiduese për shkak se është dashur të punohet shpejt, intensivisht dhe ngjeshur”, ka deklaruar Pasha.
Shfaqja hapet në mëngjesin e panairit lokal të qarkut dhe merret vesh se Gjoni (Ernest Malazogu) është njeriu më i popullarizuar dhe më irritues në qytet. Autoritetet lokale duan ta dëbojnë, djali i tij dëshiron të kalojë ditën me të, banditi i qytetit dëshiron t'i japë atij një mësim dhe grupi i tij i rremë i miqve do të festojë me të
Edhe aktori Ernest Malazogu, ka pranuar se koha ka qenë e shkurtër për realizimin e shfaqjes, por se përkundër të gjitha sfidave, projekti është realizuar në mënyrën e duhur.
“Besoj që një muaj e një javë apo një muaj e 12-13 ditë është krejt ky proces që është realizuar deri sot dhe unë mendoj se kemi arritur, me një trupë shumë të mirë sikur që është ajo Prizrenit, 12 aktorë, një tekst shumë i rëndë, edhe është problem shumë anglez, atë problem anglez me marrë me kthy në problem shqiptar, pasi po luajmë në teatër, te ne ishte problem. Por, besoj se kemi arritur, e energji na ka marrë sa të duash, por secili është më energjik se tjetri dhe mendoj se kemi mbërri jo aty ku duhet se gjithmonë lypim më shumë, por mendoj se kemi mbërritur deri diku dhe e kemi realizuar projektin si duhet”, ka thënë Malazogu.
Në të njëjtën kohë ka shprehur bindjen se ekipi është munduar në maksimum që ta përcjellë porosinë e shfaqjes tek audienca.
“U pa që kryepersonazhi luftonte për me mbrojtë këtë vend, për me e mbrojtë natyrën, me e mbrojtë pyllin, me i mbrojtë të drejtat, por prapë se prapë është shteti ai që fiton...”, është shprehur ai.
Malazogu gjithashtu ka vlerësuar se viti 2021 po përmbyllet me sukses nga teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren, pasi që gjatë këtij viti janë realizuar disa premiera të shfaqjeve të mira, që i mundësojnë teatrit të ketë një program të pasur.
Në këtë shfaqje kanë luajtur: Ernest Malazogu, Tristan Halilaj, Liridona Shehu, Alban Morina, Hajat Toçilla, Xhevdet Doda, Edona Sopaj, Alban Çela, Valmira Hoti, Alban Krasniqi, Zanë Duraku. Drejtuesit e teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren kanë bërë të ditur se kjo është premiera e katërt e realizuar gjatë këtij viti.