Që në fillim thyhet rregulli. Pastaj merr flakë indiferenca ndaj së keqes. “Bidermani dhe zjarrvënësit” me tekst të Max Frischit nën regji të Agon Myftarit, i flet kohës, një bote të përçarë e në flakë, të polarizuar po se po dhe një bote tjetër që i mbyll sytë përballë asaj që mund t’i kanoset orë e çast. Në esencë drama trajton temën e konformizmit, frikës e bashkëfajësisë. Myftari synon ta përkthejë në kohën e tashme. “Në mënyrë që e keqja të marrë hap dhe të mos ndalet, mjafton që njerëzit e qytetarët e thjeshtë të mos bëjnë asgjë dhe e keqja do të triumfojë”, ka thënë ai
Ka drama të hershme që trajtojnë problematikat që vazhdojnë edhe sot. “Bidermani dhe zjarrvënësit” e zviceranit Max Frisch është e tillë. Komedia e zezë trajton rrezikun e indiferencës ndaj së keqes. Regjisori Agon Myftari e ka freskuar veprën klasike duke i folur drejtpërdrejt realitetit bashkëkohor. Produksioni i radhës i Teatrit Kombëtar të Kosovës është dhënë premierë të premten mbrëma duke e kremtuar Ditën Botërore të Teatrit me një tregim të ri për publikun. Frisch njihet për ironinë e analizën e mprehtë të shoqërisë. Kësisoj, shfaqja trajton temën e konformizmit, frikës e bashkëfajësisë.
Muzika me ritme jazzi në bateri, kitarë, piano e perkusione e ka pritur publikun në sallë. Muzikantët, që në fakt janë aktorë, mbajnë uniforma zjarrfikësish. Pasi shikuesit rehatohen, nisjes së shfaqjes i paraprin mirëseardhja dhe paralajmërimi se ndalohet ndezja e shkrepëseve e duhanit si një lloj simbolike që prezantohet që në fillim. Dritat fiken, ndalet muzika. Errësira e penjtë e qetësisë priten kur kryepersonazhi Biderman thyen rregullin duke bërë po atë që u paraqit si strikt.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBiderman, që luhet nga Kushtrim Qerimi, përballet me pasqyrën shqetësuese të njeriut që nga komoditeti ose frika, zgjedh të mbyllë sytë përballë rrezikut që i kanoset.
Vepra e shkruar si dramë më 1958 flet për një qytet që sulmohet rregullisht nga zjarrvënësit. Por Bidermani është krejtësisht indiferent ndaj lajmeve ditore që publikohen në gazeta. Biznesmeni bindet se nuk mund të mashtrohet kurrë. Por brenda pak minutash i vjen Schmitz, një i pastrehë i cili duke bërë presion, ia del të qëndrojë në shtëpinë e Bidermanit për një natë. Këtë rol e luan aktori Shkëlzen Veseli.
Duke qenë i padëshiruar në shtëpi, bashkë me insistimin e gruas së tij, Babette, që luhet nga Semira Latifi, mysafiri i paftuar sjell edhe mikun e tij në shtëpi, zjarrvënësin e dytë Eisenring që luhet nga aktorja Arta Selimi. Para se Bidermani ta kuptojë e ndalojë, shtëpia e tij është e mbushur me fuçi të mbushura me benzinë.
Shfaqja nxjerr në pah ironinë kur protagonisti madje ndihmon zjarrvënësit të matin fitilin shpërthyes dhe u jep shkrepëse duke refuzuar të mendojë përtej. Atë se çfarë mundë të ndodhë. Bëhet bashkëpunëtor i së keqes që i vjen vetë atij. Së paku në premierë, shfaqja ka pasur një tis ngurtësie, me gjatësi shkel edhe në monotoni. Nëse ka qenë synimi, ia ka arritur.
Aktori Qerimi që e luan këtë rol, ka thënë se ka shumë ngërçe te personazhi në veprën të cilën e konsideron prej atyre që janë politike.
“Ta ngërthej, ta fus brenda një Biderman, rol të cilin e interpretoj unë, nuk është e lehtë me e pa ndoshta me e zgjidhë, po bashkërisht me Agonin pasi që ai e ka një tekst, një vepër të njohur prej shumë kohësh dhe ka analizuar shumë në të ka qenë ndoshta më e lehtë të vihet te zbërthimi, mirëpo është e vështirë me zhdërvjellu për ta nxjerrë në pah atë çfarë duam të themi ne. Sepse atë çfarë ka dashur ta thotë autori shpeshherë e gjejmë, por jo edhe atë çfarë duam ta themi ne”, është shprehur ai.
Për Bidermanin që duket të jetë goxha naiv, aktori Kushtrim Qerimi që e sjell figurën kryesore të veprës së Frisch, e ka konsideruar neglizhent në raport me atë çfarë mund të ndodhë përreth.
“Populli ynë jo rastësisht shpeshherë thotë: çka të sheh në kojshi, prite në shtëpi. Ne shpesh i mbyllim sytë siç ka ndodhur, kjo është më shumë një mesazh për atë se çka ndodh në botë, ose edhe te ne. Pra kur ne faktikisht e neglizhojmë me qëllim. Këtu s’ka të bëjë me naivitetin, po ka të bëjë me neglizhencën e njerëzve dhe mospërfilljen se çka ndodh përreth, duke e shfrytëzuar dhe duke mos dashur ta prishë komoditetin individual”, ka thënë ai duke konsideruar se injoranca e asaj çfarë mund të ndodhë, mund të të gjejë.
“Kështu i ndodh edhe Bidermanit, domethënë atë që injoron në plan të dytë jashtë mureve të shtëpisë së vet, jo rastësisht e thotë, të paktën jo në shtëpinë tonë, pritet që të vijë edhe në shtëpinë tonë, gjithmonë do të na vijë. Kështu që, ne kemi për obligim ta dërgojmë një porosi te njerëzit që mos t’i neglizhojmë gjërat të cilat ndodhin në shoqërinë tonë. Dukuritë negative, çfarëdo qofshin ato, qofshin aspektin më të madh ku janë armiqtë ose një dukuri e përditshme e jona, e cila mund të konsiderohet një armik i brendshëm”, ka thënë Qerimi.

Fuqitë sillen përreth shtëpisë duke u përdorur edhe si tavolinë mbi të cilën shtrohet darka si kremte mirëseardhjeje për dy zjarrvënësit. Kurthet zhvillohet para syve të tyre. Bidermanit i mbyllen sytë me një shami fillimisht, Babette lidhet ndërsa shërbëtorja e tyre, që luhet nga Albina Krasniqi, përdhunohet nga Schmitz.
Aktori Shkëlzen Veseli i cili e luan këtë rol, ka thënë se ky personazh luan me kartën e viktimizimit.
“Këtë e ka si armën më të fortë për të prekur aty ku njerëzit zakonisht janë më të dobët, që i prekin te sentimentalizmi dhe pjesa e ndjeshme, ku mandej ky e ka terrenin e gatshëm për të vepruar për qëllimet e veta”, ka thënë ai.
Ka theksuar se drama kryesore zhvillohet në fund të shfaqjes.
“Ideja e balancave dhe fundit, zakonisht edhe fillimi deri te fundi i shfaqjes, ndoshta në parim duken si dy shfaqje të ndryshme dhe këtu mendojmë se është edhe bukuria e shfaqjes, po edhe ajo që ne kemi dashur ta japim si mesazh. Ta relaksojmë publikun te pjesa e parë dhe ta japim mesazhin përfundimtar në pjesën e dytë, ose siç ne e quajmë, pjesën tragjike e dramatike”, ka thënë aktori Veseli.
Pjesa tjetër e kastit përbëhet nga Edlir Gashi, Ylber Bardhi, Lum Veseli, Donika Rushiti, Lis Maliqi dhe Erdonis Gashi. Ata i japin jetë një universi dramatik ku tensioni ndërtohet gradualisht dhe që mban publikun gjatë për të parë fundin.
Atmosfera në shfaqje bëhet çdoherë e më surreale që kulmon me skenën përfundimtare. Zjarrvënësit flasin hapur për komplotin e tyre. Këtë e bëjnë dhe atmosfera me zhurmë, alarm, tym e flakë është mbyllja e skenës gjersa Bidermani dhe Babbete shikojnë gjithë skenën.
Regjisori Agon Myftari e ka konsideruar shfaqjen si fabul të thjeshtë.
“Dy mysafirë të paftuar vijnë në shtëpinë e një biznesmeni të shtresës së lartë ose të mesme, një borgjezi i cili pa dëshirën e tij, në forma të ndryshme shantazhi, e herë me buzëqeshje, e herë me kërcënime të mbështjella me mirësjellje e forma të ndryshme, i futen në shtëpi. Thjesht për ta kaluar një natë dhe pastaj del ngadalë i bëhet zot në shtëpinë e vet, deri në pikën ku i zoti i shtëpisë detyrohet të bëhet bashkëpunëtor ose bashkëfajtor në tragjedinë që ndodh. Nuk ka se si t’i largojë këta dy jashtë”, ka thënë ai duke shtuar edhe sikurse fabula, i thjeshtë është edhe mesazhi i shfaqjes.
“Fabula është po aq e thjeshtë sa vetë mesazhi dhe ideja e kësaj drame, që është: në mënyrë që e keqja të marrë hap dhe të mos ndalet, mjafton që njerëzit e qytetarët e thjeshtë të mos bëjnë asgjë dhe e keqja do të triumfojë”, ka vazhduar ai.

Sipas tij, teksti i shkon për shtati secilës kohë dhe se mbetet aktual për aq sa do të ekzistojë vetë teatri.
“Ky tekst është shkruar pas Luftës së Dytë Botërore, si njëfarë lloj kritike për mënyrën se si morën hov nazizmi edhe Holokausti në Evropë, por mendoj që fuqia e këtij teksti ekziston pikërisht te universaliteti që e ka sepse mund t’i flasë cilësdo kohë e cilitdo vend. Sot mendoj që ka mjaft arsye që të punohet një tekst i tillë. Bota po polarizohet, përçahet, konfliktet po shtohen si në rrafshin global ashtu dhe në rrafshin regjional ose lokal, ekziston një lloj radikalizimi, ekstremizimi i palëve ose poleve të kundërta dhe një rritje e hendekut mes palëve dhe të gjithë po e përjetojmë një lloj kërcënimi nga kjo që e dimë që po ndodh”, është shprehur Myftari.
Ka bërë me dije se qëllimi ka qenë që tema serioze të mbështillet me shumë ngjyra dhe shumë komedi.
Në fund, muzika e Memli Kelmendi krijon një atmosferë të ngarkuar emocionale. Shpërthen tensioni. Por gjatë gjithë shfaqjes, ajo ilustron dhe u jep ngjyrë tensionit, harmonisë, frikës, dinakërisë e çka jo tjetër.
Kompozitori Kelmendi ka qenë tejet i angazhuar me punën me muzikë teatri periudhën e fundit. Deri më tash ka punuar muzikën e dyzet shfaqjeve. Por “Bidermani dhe zjarrvënësit” nën regji të Agon Myftarit, për të ka qenë prej shfaqjeve më sfiduese e mbase edhe më e bukura që ka bërë deri më tash.
“Ka qenë sfiduese jo vetëm për mua si kompozitor i kësaj shfaqjeje, mirëpo për gjithë ekipin sepse kërkesa edhe procesi kanë qenë të jashtëzakonshme, ka qenë shumë i vështirë, por mbi të gjitha, shumë i bukur”, ka thënë ai duke theksuar punën e aktorëve që kanë luajtur në instrumente.
“Gjithçka vjen prej instrumenteve të gjalla edhe aq më tepër muzika vjen prej aktorëve. Pra, sonte aktorët kanë qenë ata të cilët kanë luajtur instrumente. Andaj është një proces dhe një shfaqje që do të mbetet jashtëzakonisht shumë gjatë në mendje, për faktin se edhe si proces, edhe si progres, ka qenë e jashtëzakonshme”, ka thënë Kelmendi.
Paralelisht me përgatitjet e shfaqjes është ndërtuar edhe koncepti muzikor dhe përherë me miratimin e regjisorit Myftari. Ka thënë se muzika sjell mesazhe paqeje.
“Pjesa e fundit ka qenë ndërlidhja e kulturave të ndryshme, ku janë paraqitur edhe katër këngë të ndryshme. Kemi dashur që të jepen edhe mesazhe të cilat unë i konsideroj personalisht si mesazhe paqeje”, ka thënë kompozitori Memli Kelmendi.
Dramaturgjinë e ka punuar Zoga Çeta-Çitaku, skenografinë Nicola Minssen ndërsa kostumografinë Samka Ferri. Kësisoj është ndërtuar një hapësirë vizuale e menduar me kujdes. Asistente e regjisë ka qenë Diellza Dedushi, inspiciente Nazmije Krasniqi ndërsa ndriçimi dhe toni janë realizuar nga Bujar Bekteshi dhe Arben Aliu.
“Bidermani dhe zjarrvënësit” është thirrje për reflektim. Ajo sfidon publikun që ta pyesë veten mbi kufirin mes indiferencës dhe përgjegjësisë.