Kulturë

“Jehona e vetmisë...” me pikturat që shpërfaqin vetëzbulimin

Janë piktura që në qendër kanë njeriun. Personazhet e përditshmërisë së tij, Arbnor Karaliti i “përkthen” në tablo të punuar me vaj në pëlhurë. Por nuk i interesojnë veç si pamje ose imazhe estetike. Kjo në plan të dytë. I bën përshtypje vetmia e tyre. Personazhet e tij janë të vetmuar. Ulur në ndonjë skutë duke u përballur me botën. Duken të thelluara në mendime. Veprat e tij këtë qetësi e imponojnë edhe te vizitorët. Janë njëfarë thirrjeje për reflektim, kur njeriu ulet pas një dite të gjatë dhe i bën hesapet me veten.

Me pesë prej këtyre veprave, Karaliti ka hapur ekspozitën “Echoes of Solitude: Between Self and Society” (Jehona e vetmisë: Midis vetvetes dhe shoqërisë). Prej të dielës në “Tillt Radio & Community Bar” në Prishtinë në ekspozitën e kuruar nga Adrian Berisha, vizitorët për një muaj mund të hyjnë brenda botës së artistit të ri nga Ferizaj.

Historia e tij krijuese ka prapaskena jo fort tipike. Karaliti nga fshati Zllatar i Ferizajt ka studiuar për pikturë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Shkaku i trendit, për një kohë është dhënë pas instilacioneve. “Por aty nuk e gjeja veten”, ka treguar ai. Pikturën e kishte lënë si diçka më periferike, edhe pse vazhdimisht punonte.

Por pas një kohe kishte reflektuar bash sikurse personazhet e tij, për tu dhënë pas pikturës duke e vendosur atë në rend të parë.

“Janë njerëz realë, shoqëri e imja apo rreth imi dhe njerëz që më duken pak si më të veçantë. Mundohem që karakteret e tyre t’i vendos në pikturë. Varësisht si më përshtaten e rregulloj edhe ambientin e kompozicionin që të mos duken si fotografi, por më piktoreske”, ka treguar ai pas hapjes së ekspozitës.

Ka thënë se më së shumti i intereson karakteri i vërtetët i këtyre njerëzve. E, sipas tij, ky karakter del në pah pas fundit të ditës kur njerëzit ulen në shtëpi.

“Aty bëhet njëfarë reflektimi. Dhe ajo më intereson më së shumti. Njerëzit mendojmë se më e rëndësishme është përditshmëria sesa kur janë në shtëpi vetëm. Por te pikturat e mia është ndryshe. Momenti kur je vetëm është i rëndësishëm që të reflektosh për veten”, ka shpjeguar ai. Pavarësisht se ndan shumë kohë me personazhet e tij që në përditshmëri janë reale, ka thënë se është krejt ndryshe kur ato i sheh si karaktere të vetmuara.

“Si temë ka lindur shumë natyrshëm. Duke u pjekur edhe artistikisht e kam parë se sa të rëndësishme janë pikturat për mua”, ka thënë ai.

Kuratori i ekspozitës, Adrian Berisha, ka shkruar se Karaliti si artist e përdor artin e tij për të eksploruar dhe për të përballur përvojat e tij të vetmisë dhe tabutë shoqërore që mund t'i shoqërojnë ato. Nëpërmjet pikturave dhe instalacioneve të tij, sipas Berishës, Karaliti i fton shikuesit t'i bashkohen atij në një udhëtim të vetëzbulimit, duke përdorur artin si një urë për t'u lidhur me të tjerët dhe botën përreth nesh.

“Qasja e tij e orientuar drejt procesit dhe përdorimi i mediumeve të ndryshme pasqyrojnë natyrën e vazhdueshme të të mësuarit për veten përmes artit. Në qendër të ekspozitës qëndron ideja se arti mund të jetë një mjet i fuqishëm për lidhje dhe komunikim, duke ofruar një hapësirë për dialog dhe reflektim mbi sfidat e lundrimit të identiteteve personale dhe sociale”, ka shkruar Berisha. Sipas tij, ekspozita ofron një eksplorim prekës dhe empatik të përvojës njerëzore, duke prekur tema që janë thellësisht të rëndësishme për të gjithë.

Me një pikturë të të njëjtit stil sikurse ato në ekspozitë, Karaliti kishte marrë pjesë edhe në bienalen nomade “Manifesta”, që vitin e kaluar është mbajtur në Prishtinë. Është duke u bërë gati që në nëntor të prezantohet me një ekspozitë në Hamburg të Gjermanisë. Edhe atje do t’i dërgojë pikturat që prekin vetminë e nevojën për reflektim.

Vetë ka reflektuar duke lënë anash instalacionet për t’u marrë me pikturë. E tash në njëfarë mënyre po do edhe të tjerët që të jenë të sinqertë me veten kur i bëjnë hesapet në fund të ditës.

Image