Kulturë

Jazz-dinastia Zadeh në magjinë e harmonisë midis Lindjes e Perëndimit

aziza mustafa zadeh

Magjia e Aziza Mustafa Zadeh në piano është e nivelit që rrallë kalon në këto anë. E lindur më 1969 në Baku të Azerbajxhanit, Mustafa Zadeh deh me jazzin e saj me motive të lindjes. Azerbajxhani, si ish-pjesë e Bashkimit Sovjetik, është njëfarë përzierjeje midis Lindjes, ndikimit rus e deri diku atij evropian

Stili i saj konsiderohet i pakrahasueshëm që bashkon Lindjen me Perëndimin. E, pianistja Aziza Mustafa Zadeh nga Azerbajxhani s’është vetëm emër i një ikone. Ajo lidh gjeneratat e familja dhe bota e saj janë një dinasti e muzikës dhe e jazzit. Në Prishtinë ka luajtur tok me të birin, Ramiz Khan, e në repertor ka pasur edhe vepra të babait të saj, Vaqif Mustafa Zadeh. “Nuk duhet të dëgjosh një mjeshtër për të luajtur sikurse ai. Por, duhet mësuar nga dikush e mandej të jesh vetvetja”, ka thënë Zadeh, që ka ardhur në Prishtinë me “Mitrovica International Jazz Days”. Këtu kishte qenë edhe më 1998

Interesimi i lartë për të qenë në sallën ku do të mbahet koncerti, e sidomos kur bëhet fjalë për muzikën jazz, tregon se pritet artiste ose artist i nivelit të lartë. Të mërkurën mbrëma qenë të dy: një jazz-pianiste me alamet përvoje e loje dhe një yll në ngritje. Aziza Mustafa Zadeh e manifeston qetësinë e një artisteje të jazzit. Aso që ka dëshirë të dëgjohet dhe të dëgjojë. Me qetësinë që e ka shoqëruar gjatë gjithë mbrëmjes, ajo është ulur përballë pianos. 

Para ka lënë një listë veprash, të cilat i luan. Ka kohë që e praktikon që varësisht nga ndjesia që merr gjatë koncertit, të përpilojë edhe programin aty për aty. Kësisoj ka vepruar edhe në Prishtinë në kuadër të “Mitrovica International Jazz Days”.  

Krejt në fillim ka treguar se ishte në këtë qytet më 1998. 

“Gjithnjë kënaqësi”,  ka thënë ajo, derisa ka bërë të ditur se do të interpretojë një kompozim të të atit, Vaqif Mustafa Zadeh. Magjia e saj në piano është e nivelit që rrallë kalon në këto anë. E lindur më 1969 në Baku të Azerbajxhanit, Mustafa Zadeh deh me jazzin e saj me motive të lindjes. Azerbajxhani, si ish-pjesë e Bashkimit Sovjetik, është njëfarë përzierjeje midis Lindjes, ndikimit rus e deri diku atij evropian. Aziza Mustafa Zadeh ka bërë një provë akustike pak para koncertit. S’ka pasur nevojë për më shumë. Ndjesia e saj në piano e bën që çdo notë të jetë një rrëfim. Me teknikë mahnitëse, një prej jazz muzikanteve më të mirë të gjeneratës së saj, përballet me jo pak telashe teknike në kuptimin organizativ. Drita ia ka ndarë tastet në dysh. Kërkon që të rregullohet kjo dhe me humor thotë se do të vazhdojë symbyllur pasi ashtu është më e sigurt. 

Vajza e një prej muzikantëve më të njohur të Azerbajxhanit, Vaqif Mustafa Zadeh, i cili njihet edhe si njëri prej pionierëve të jazzit në Baku, duket sikur është në mision. E në këtë koncert i është bashkuar edhe i biri, Ramiz Khan

Vazhdon veç me lojë në piano duke imponuar qetësi absolute në sallë, pos punonjësve të angazhuar për koncert që ia krisin muhabetit. Me kamerat që i futen në turinj kohë pas kohe, ajo vazhdon të shkëlqejë. Se në punë e sipër përpjekja për t’i rregulluar dritat e bën skenën si vend ku testohet ndriçimi, nuk e pengon fare. Ajo imponon përqendrim të publikut. Pak para se të nisë veprën e tretë, e manifeston njëfarë nervoze shkaku i dritave, por loja ia kthen shpirtin muzikor. Vajza e një prej muzikantëve më të njohur të Azerbajxhanit, Vaqif Mustafa Zadeh, i cili njihet edhe si njëri prej pionierëve të jazzit në Baku, duket sikur është në mision. E në këtë koncert i është bashkuar edhe i biri, Ramiz Khan. Jo më shumë se 12 vjeç, ai duket të jetë një yll në ngritje. Ngjyrat që nxjerr nga tingujt bashkë me teknikën që posedon e bëjnë të shkëlqejë dhe në sallë të ngjallë ndjesi të veçanta.

Ka një energji që e merr publikun me vete në udhëtim muzikor. Edhe ai prek pak nga repertori i gjyshit. E kur ia lëshon vendin të ëmës, ajo tregon  se nuk është e lehtë për një fëmijë 11 a 12 vjeç të luhen këto vepra. Fëmijët i ka fort për zemër dhe e tillë qe kur i vdiq i ati në moshën 39-vjeçare më 1979. 

Në atë që mund të përshkruhet si pjesa e dytë e koncertit, Aziza Mustafa Zadeh pos që luan në piano nis edhe të këndojë. Kësaj radhe një këngë autore e së cilës është e ëma e saj, Eliza Mustafa Zadeh, solistja që ka nisur karrierën në Filharmoninë e Gjeorgjisë dhe është e para këngëtare e muzikës jazz në stilin mugham, një variant i jazzit të Azerbajxhanit. Me improvizimin e saj, Mustafa Zadeh e ka bërë Ditën Ndërkombëtare të Jazzit festë të veçantë në Prishtinë, me “Mitrovica Internacional Jazz Days” e edicioni i tretë i të cilit nisi në Mitrovicë të martën mbrëma me Elina Dunin dhe Rob Luft, ku u rikthye edhe të enjten mbrëma me “Nils Kugelmann Trio” nga Gjermania. 

Nën organizimin e Rona Nishliut, koncerti ka kthyer ndjesinë e festivalit të dikurshëm që organizohej nga Ilir Bajri.

MIJD-së nuk i janë dashur më shumë se dy edicione që të zgjerohet e të zërë vend edhe në hartën globale të jazzit e t’u bashkohet edhe kauzave të mëdha. Sivjet, pos programit të pasur, festivali i është bashkuar festës për “Muajin e Jazzit” si dhe erdhi me një risi – anëtarësimin në rrjetin ndërkombëtar “Green Touring Network”. Që në edicionin e parë, në qytetin e Mitrovicës kishin zbarkuar emra të mëdhenj të muzikës që shkojnë deri tek ata të vlerësuar me “Grammy”. Bas-kitaristi e këngëtari me prejardhje afrikane, Richard Bona, kishte ngjitur skenën e festivalit, duke e bërë edhe hapjen e atij edicioni. Laureatët e pesëfishtë të “Grammyt” që performuan në “Mitrovica International Jazz Days” ishin edhe britaniku Bill Laurance e amerikani Michael League, të dy kompozitorë, producentë dhe poliinstrumentistë.  Edicioni i dytë vitin e kaluar, që qe zhvilluar prej 22 deri më 24 gusht, pati sjellë performancën e mahnitshme me shkathtësitë e jashtëzakonshme të jazz kantautores suedeze, Gunhild Carling, këngëtaren e kompozitoren boshnjako-sllovene Mirna Bogdanoviq, Kinga Glyk nga Polonia, “Francesca Tandoi Trio” e “Western Balkans Band”. 

E, në pjesën e fundit të koncertit të saj në Prishtinë, Zadeh ka testuar audiencën me disa improvizime duke zbërthyer mjeshtërinë e vet në kënde të ndryshme. 

Ka thënë të jetë ndier shumë mirë, sikurse në shtëpi. 

“Isha rehat dhe e mirëseardhur”, ka thënë Mustafa Zadeh. Në koncertet e saj, ashtu siç e do edhe jazzi, qetësia duhet të jetë maksimale. Megjithëse këtë nuk e ka përjetuar në Prishtinë, ka thënë se audienca ishte e mrekullueshme.  

“Për rreth dy orë në hotel kam menduar se çfarë të luaj. Por në fund të ditës kam ndryshuar disa vepra. Kjo më ndodh gjithnjë gjatë koncerteve. Çfarë të luash e ku ta luash është gjë jo e vogël.  Zakonisht vendos në momentet e fundit se çfarë të luaj”, ka thënë artisja që shkathtësitë e saj i ka demonstruar në vende të ndryshme të botës. 

Ndjesia e saj në piano e bën që çdo notë të jetë një rrëfim. Me teknikë mahnitëse, një prej jazz muzikanteve më të mirë të gjeneratës së saj

E ka përmendur ndjeshmërinë që ka për fëmijët dhe ka thënë se posa prindërit shohin diçka te fëmijët e tyre duhet të gjejnë dike që mund të punojë me ta. 

“Më e mira është që fëmijët të vendosin çfarë të bëjnë. Secili fëmijë është unik dhe ne në shumicën e rasteve nuk i dëgjojmë. Mendojmë se dimë më mirë, por kjo nuk është e drejtë. Duhet t’i mbështesim, t’i mbrojmë, por jo të bëjmë ashtu një supermbrojtje. Kur prindërit vendosin për fëmijët, nuk funksionon. Duhet pasur konsideratë për ata dhe t’i mbështesim”, ka thënë ajo. 

Jazzin që e interpreton me motive të lindjes nuk e ka veçuar nga ai i vendeve të tjera, por ka thënë se thjesht i pëlqen shumë. 

“Unë bëj atë që më pëlqen. Për mua ka rëndësi të shpalos shembujt e mirë për t’i dëgjuar. Nuk duhet të dëgjosh një mjeshtër për të luajtur sikurse ai. Por duhet mësuar nga dikush e mandej të jesh vetvetja”, ka thënë ajo. 

Pianistja Lejla Pula ka thënë se gjithmonë ka qenë e hapur ndaj çdo zhanri dhe me kënaqësi shumë të madhe e ka shijuar koncertin e jazz-artistes së nivelit shumë të lartë. 

“Si pianiste e si organizatore ngjarjesh jam shumë e lumtur që vërtet kemi mbërritur në nivel të tillë që artistë të mëdhenj botërorë vijnë pa asnjë hezitim. Audienca ishte e mrekullueshme. Arti që e solli e ajo vërtet në këto kushtet tonë nuk është e lehtë, por jemi mësuar të mirëkuptojmë”, ka thënë Pula. 

Aziza Mustafa Zadeh është pritur të jetë e tillë edhe në Prishtinë, virtuoze. Sopranoja Zana Abazi-Ramadani ka thënë se vazhdimisht Mustafa Zade ka pasur ndikim tek ajo. 

“Duke e dëgjuar këtë në jazz më ka bërë që ta kuptoj edhe më shumë muzikën klasike”, ka thënë midis të tjerash ajo. Aziza Mustafa Zadeh gjatë karrierës së saj intensive duhet të ketë frymëzuar shumëkënd. E audienca e saj në përformanca prek tjetër nivel të interpretimit. Aso mjeshtërie të shpirtit.