Kulturë

“Java e Frankofonisë” me atmosferë që sfidon pandeminë

Edicioni i 21-të i “Javës së Frankofonisë” në Kosovë paralajmëroi një javë me program të pasur me koncerte, filma, ekspozita, punëtori e gastronomi. Nën temën “Atmosfera...”, edhe këtë vit organizimi ka për qëllim promovimin e gjuhës frënge, vlerave demokratike e po ashtu mbështetjen e diversitetit gjuhësor dhe kulturor. Edicioni i sivjetmë, për shkak të pandemisë ka gërshetuar formatin online brenda vetes. Efekt tjetër i pandemisë është edhe shkurtimi i programit. Nga një muaj, siç organizohej rëndom, këtë vit ngjarjet do të shtrihen vetëm në një javë

Tingujt e instrumenteve të tunxhit, të dielën kanë bërë hapjen e “Javës së Frankofonisë”. Ansambli “Prishtina Brass” solli një udhëtim nëpër periudha të ndryshme muzikore. E edicioni i 21-të i “Javës së Frankofonisë” në Kosovë paralajmëroi një javë me program të pasur me koncerte, filma, ekspozita, punëtori e gastronomi. Nën temën “Atmosfera...”, edhe këtë vit organizimi ka për qëllim promovimin e gjuhës frënge, vlerave demokratike e po ashtu mbështetjen e diversitetit gjuhësor dhe kulturor. Edicioni i sivjetmë, për shkak të pandemisë, ka gërshetuar formatin online brenda vetes. Efekt tjetër i pandemisë është edhe shkurtimi i programit. Nga një muaj, siç organizohej rëndom, këtë vit ngjarjet do të shtrihen vetëm në një javë. Kjo javë e frankofonisë do të mbahet nga 21 deri më 26 mars 2021. Disa prej aktiviteteve do të mbahen në “Kino Armatë”, e të tjerat do të shfaqen në ekranin e vendosur pranë kinemasë.

“Prishtina Brass” përbëhet nga instrumentistë profesionistë të cilët janë gjenerata e parë e tunxhit në Kosovë. Për ta muzika ka fuqi që të ndihmojë njerëzit në çdo situatë. Një mundësi për të tejkaluar më lehtë zymtësinë që ka krijuar pandemia. Kjo është arsyeja e parë përse pesë anëtarët janë bërë pjesë e këtij edicioni. Arsyeja e dytë është se “Prishtina Brass” beson se muzika është një gjuhë universale që bashkon njerëzit pavarësisht dallimeve të tyre.

Stili muzikor i “Prishtina Brass” është një kombinim i periudhave të ndryshme muzikore, duke mos përjashtuar edhe veprat dhe këngët e ndryshme të ditëve të sotme. Kështu ndodhi edhe në koncertin e së dielës. Ansambli nisi koncertin me veprën “Walts no. 2” të kompozitorit të lindur në Moskë, Dmitri Shostakovich. Për të vazhduar me një ndër veprat me të njohura të Wolfgang Amadeus Mozart, “Eine Kleine Nachtmusik”, për t’u ndalur te kompozitorit francez Georges Bizet për veprën “Habanera and Toreador Song” nga suita “Carmen” dhe vepra shqiptare “N’mes dashurive” e kompozitorit shkodran Çesk Zadeja.

Trumbetisti Avni Krasniqi, pjesë e Ansamblit, ka thënë se janë munduar që të përçojnë vlerat e këtij organizimi nëpërmjet programit të përzgjedhur.

“Për ne artistët sidomos për instrumentistët është e vështirë që të mos kemi aktivitete. Por sot, përkundër pandemisë, sigurisht duke iu përmbajtur masave jemi rikthyer te publiku duke sjellë një program të pasur”, ka thënë ai.

Ansambli - në përbërje të Avni Krasniqit (trumbetë), Ardit Pirës (trumbetë), Bledar Bujupit (korno), Betim Krasniqit (trombon), Meriton Ferati (tubë) - që nga themeli, në vitin 2012, ka realizuar koncerte të shumta në disa qytete të Kosovës, si dhe në Shqipëri dhe Maqedoni.

Valon Ibraj, atashe kulturor në Ambasadën e Francës në Prishtinë, ka thënë se edicioni i 21-të i “Javës...” në Kosovë do të sjellë një program të pasur me koncerte, filma, ekspozita, punëtori e gastronomi.

“Kësaj radhe e kemi programin atmosfera brenda dhe atmosfera jashtë. Atmosfera brenda do ta ketë fokusin në konferenca të veçanta. Çdo dy orë do të ketë konferenca të cilat do ta kenë për temë kulturën, edukimin, mjedisin dhe inovacioni. E jashtë ‘Kino Armatës’ do të kemi një ekran në të cilin do të ketë program 10 orë në ditë, ku do të shfaqen filma të gjatë, të shkurtër e dokumentarë”, ka thënë ai. Ekrani do të jetë i ndezur nga ora 9:30 deri në orën 21:00. Ibraj ka thënë se realizimi i këtij edicioni gjatë pandemisë nuk ishte aspak i lehtë.

“Por edhe në këto kushte të vështira të pandemisë gjithmonë duke iu përshtatur rregullave për parandalimin e pandemisë, kemi dashur që të jemi sadopak afër qytetarëve që ‘Java e Frankofonisë’ të krijojë një atmosferë pak më ndryshe”, ka thënë ai.

Për Donato Giulianin, këshilltar për bashkëpunim dhe veprimtari kulturore në Ambasadën e Francës në Kosovë, ky është edicioni i parë që e gjen në Kosovë.

“Tema është atmosferë, pasi që në kohën që po jetojmë gjithmonë flasim për atmosferën brenda dhe jashtë. Pandemia na ka bërë që të rrethohemi me atmosfera të ndryshme për çdo ditë. Gjatë një jave edhe ne do të sjellim shumë atmosfera, franceze, zvicerane, belge e kosovare. Pra, është një mënyrë për t’i thënë shoqërisë kosovare mirë se erdhe në ‘Javën e Frankofonisë Kosovare’”, ka thënë Giuliani, i cili propozoi edhe temën e këtij edicioni.

Mbrëmja e së dielës u përmbyll me filmin “Le Chant du loup”, nën regji të Antonin Baudryt, produksion i vitit 2019. Filmi ka në qendër një nën-detar të ri i cili ka aftësi unike për të deshifruar tingujt. Kur nëndetësja ku gjendet edhe ai sulmohet, fati i shumë njerëzve varet nga aftësia e tij. Një gabim nga ana e tij vë në rrezik jetën e të gjithë ekuipazhit të nëndetëses. Për një moment e gjithë bota është në rrezik nga një apokalipsi bërthamore. Kështu, ekipi luftarak i Francës duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të parandaluar një luftë botërore. Filmi nis me thënien e Aristotelit: Janë tre lloj njerëzish në botë: të gjallët, të vdekurit dhe ata që lundrojnë në det. Antonin Baudry ka realizuar edhe skenarin e filmit 115-minutësh. Baudry, i cili ishte diplomat francez, njihet edhe me pseudonimin Abel Kanzac.

Kastriot Sadiku, mësimdhënës i gjuhës frënge në shkollën fillore “Fazli Grajqevci” në Obliq dhe ligjëruesi i frëngjishtes në Aleancën Franceze në Prishtinë, ka thënë se aktivitetet e tilla shërbejnë për të krijuar lidhje në mes të frankofolësve, por jo vetëm.

“Gjatë kësaj jave do të ketë organizime të ndryshme dhe është një rast shumë i mirë për personat të cilët e duan dhe duan ta njohin më shumë gjuhën, kulturën dhe botën frankofone, por edhe për shoqërinë tonë. Për ne që jemi një popull i vogël, por që kemi shumë vlera, kjo është një mundësi e shtuar që ta duam dhe të mishërohemi me diversitetin kulturor dhe gjuhësor.

Nesër në orën 10:30 do të mbahet punëtoria “HOW and WHEN EURIMAGES and MEDIA suports for KOSOVO cinema and Video Producers & Film Makers?”. Panelistë do të jenë Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Veton Nurkollari, drejtor i “DokuFestit”, Vullnet Sanaja, drejtori i “Anibarit”, Pascal Brunet, drejtor i “Le Realais Culture Europe”.

Ndërsa nga ora 14:30 do të mbahet punëtoria “BALKAN PAVILLON IN AVIGNON” me panelistë Florent Mehmeti nga teatri “Oda”, Pascal Kaiser, drejtor i “La Manufacture-Avignon”, Catherine Faudry, atashe kulturor i Ambasadës së Francës në Serbi, që është përgjegjës për programin “Teatroskop”.

Kosova është bërë pjesë e hapësirës frankofone prej vitit 2018, kur fitoi statusin e anëtares së asociuar në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.