Kulturë

Ish-“Kino Rinia” e harruar prej vitesh digjet në pritje të ringjalljes

Zjarri i së premtes e ka rikonfrimuar gjendjen e mjerueshme të objektit të ish-“Kino Rinisë”

Zjarri i së premtes e ka rikonfrimuar gjendjen e mjerueshme të objektit të ish-“Kino Rinisë”

Pa u bërë njëzetekatër orë prej ditës kur “Kino Rinia” do të shënonte 73-vjetorin e ndezjes së projektorit, objekti i mbrojtur si monument me letra e i braktisur kaherë, është përfshirë nga zjarri. Ende nuk ka shkaktar të zjarrit që shpërtheu pasditen e së premtes, hetimet vazhdojnë e ata që ia dinë peshën këtij monumenti, theksojnë se për të dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës, kjo është goditja e radhës

Kronikës së monumenteve të trashëgimisë kulturore në flakë i shtohet edhe objekti i kinemasë ikonike në Prishtinë. Pasditen e së premtes, është përfshirë nga zjarri. E, kjo ngjau një ditë pasi “Kino Rinia” do të shënonte 73-vjetorin e inaugurimit. Ka qenë 6 shkurti i vitit 1952, kur aty për herë të parë u ndez projektori.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i zjarrfikësve dhe i Policisë, por në muzg, flakët që sipas organeve policore, shpërthyen rreth orës 15:40,  kanë qenë në kulm. Ende nuk ka as shkak të zjarrit e përllogaritje të dëmit në objektin kaherë të braktisur, i cili ka më shumë se tre vjet që me letra mbrohet si aset. Prej vitesh, s’ka shenjë kinemaje në ndërtesën të cilën qeveritë lokale e qendrore disa herë kanë premtuar se do ta restaurojnë e rigjenerojnë. Madje duke dhënë edhe afate.

Zjarri i fundit e ka rikonfrimuar gjendjen e mjerueshme. Në vitin 2022, Komuna e Prishtinës e mori nën menaxhim.

Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, derisa zjarrfikësit ende kishin punë, ka thënë se hetimet në lidhje me rastin nisin sapo të lokalizohet zjarri.

“Për momentin jemi duke intervenuar të lokalizojmë zjarrin për shkaqe që shumë herë flitet se ka pasur shumë mbeturina. Është objekt që është nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe nën mbrojtje të Institutit (të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve v.j.). Jemi duke i bërë të gjitha që sa më shpejt ta sanojmë zjarrin, ndërsa sa u përket hetimeve dhe asaj se çfarë ka ndodhur, ekipet e hetuesve, edhe të Policisë, edhe të zjarrfikësve janë në vendngjarje që ta lokalizojmë zjarrin dhe të fillojmë me hetim”, ka thënë Fushtica nga vendi i ngjarjes. Ai ka bërë të ditur se ndërtesat përreth nuk janë rrezikuar.

“Për momentin nuk rrezikohet asnjë ndërtesë, jemi duke monitoruar dhe i kemi njoftuar banorët nëse ka nevojë për evakuim, por për momentin nuk ka nevojë”, ka thënë Fushtica.

Ekipi i KOHËS, është rikthyer në vendngjarje edhe në orën 23:00. Nuk ka pasur intervenime e aty kanë qenë një ekip i zjarrfikësve dhe i Policisë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i zjarrfikësve dhe i Policisë, por në muzg, flakët që sipas organeve policore, shpërthyen rreth orës 15:40, kanë qenë në kulm

Lulzim Fushica ka thënë se është gjendja e objektit e ka vështirësuar intervenimin e zjarrfikësve. Në kohën e intervenimit ata janë parë duke hequr tjegulla dhe materialeve të tjera të dëmtuara të kulmit. Dëmet në kulm, veçmas në anën veriore, duken të mëdha.

“Për shkak të kompleksitetit të hapësirës, pasi ka qenë e pamirëmbajtur edhe zjarrfikësit rrezikohen gjatë intervenimit, për këtë arsye duhet të shkohet me kujdes”, ka thënë Fushtica.

Ka qenë tymi masiv që e ka paralajmëruar zjarrin, e i cili ka depërtuar nga kulmi i objektit. Nga njëri kënd i objektit zjarri ka qenë dukshëm më i madh. Në atë pjesë, gjatë djegies është shkaktuar shpërndarja e materialit si rrjedhojë e shpërthimeve të herëpashershme.

Fushtica ka thënë se kjo ka ardhur si rrjedhojë e materialit të azbestit që gjendet në pjesën e kulmin të objektit. Kësisoj, perimetri i sigurisë ka qenë i gjerë, ndërsa është mbyllur përkohësisht për qarkullim rruga “Migjeni”.

“Është azbesti, pjesa e kulmit, por ka edhe shumë mbeturina të shumta që kanë qenë në këtë hapësirë. Duhet pasur kujdes, për ata e kemi rritur perimetrin e sigurisë, pasi materialet që janë aty mund të shpërthejnë dhe të lëndojnë ndonjë kalimtar rasti”, ka thënë ai derisa objekti ishte ende në flakë.

Në vendngjarje ka dalë edhe Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. “Kërkuam që të fillohen hetimet. Po ashtu ishte edhe prokurori në vendngjarje. Me raport do të dalim të martën, pasi siç e dini nuk na neve nuk na lejohet që të futemi brenda për ta parë nga afër gjendjen e ndërtesës”, ka thënë Xheladin Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të këtij organi të Ministrisë së Kulturës.

Ata që ia dinë peshën këtij monumenti theksojnë se për të dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës, kjo është goditja e radhës.  

Ndërtesat historike – viktimë projektesh ndërtimore

Sali Shoshi, udhëheqës i organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Kosova), ka thënë se flakët e së premtes në “Kino Rini”, kanë një “histori” prapa.

“Nëpër zonat urbane ku ka kërkesa për ndërtim, shohim se këto ndërtesat historike që kanë mbetur pa funksion, janë viktimë. Këto mbetje pa funksion shpesh duken të qëllimshme që ato të degradojnë deri në një masë në mënyrë që ato vizuelisht të mos i duhen askujt dhe mandej përfundojnë me një djegie e mandej eventualisht hapen rrugët për ndonjë projekt tjetër”, ka thënë Shoshi të premten vonë.

Sipas tij, djegia e monumenteve është shndërruar në një dukuri dhe nuk është asgjë e jashtëzakonshme. Sepse ka mjaftueshëm shembuj.

“Madje kjo nuk është më as lajm kjo çështje sepse kemi parë që edhe në Prizren, edhe në Prishtinë, edhe në Gjakovë, kjo luftë mes ndërtuesve për të gjetur hapësira, potencialisht brenda zonave urbane, e që vlera e tyre është shumë e lartë por që aty ndodhet ndonjë monument, ka rezultuar me këto ndodhish”, ka thënë ai.

Shoshi ka shtuar se “kjo është tendenca –  që këto hapësira të lirohen për ndërtuesit, për projekte të reja sepse janë brenda zonave urbane dhe vlera e tyre ekonomike është shumë e lartë”.

“Por e lartë është edhe vlera e tyre kulturore, sidomos e ‘Kino Rinisë’”, ka thënë Shoshi.

Objekti në lagjen “Qafa” në kryeqytet u fut në Listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme në tetor të vitit 2021. Një vit më pas, në korrik të vitit 2022, kur Komuna e Prishtinës e mori nën menaxhim një gjë të tillë e konsideroi si fitore të një beteje të gjatë ligjore.

Po në ditën që e bëri të ditur këtë lajm, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte paralajmëruar se do të niste plani i rivitalizimit të objektit.

“Javën tjetër menjëherë do të nisim me planin e rigjenerimit të një prej ikonave të kryeqytetit”, kishte shkruar ai në rrjete sociale.  

Organizata “Shtatëmbëdhjetë” viteve të fundit kishte bërë thirrje për mbrojtjen e këtij objekti, ia kishte dokumentuar historikun e peshën e tij, teksa ia kishte arritur qëllimit kur “Kino Rinia” u shpall monument.

“Lajmi për djegien e ‘Kino Rinisë’ sot na shokoi. Ai objekt tashmë është në mbrojtje dhe i takon një pjese të mirë të historisë së qytetit, jo vetëm për faktin se ishte kinema, por edhe për rolin që ka luajtur për vite të tëra prej se është hapur me 6 shkurt të vitit 1952. Fatkeqësisht, djegia e objekteve të trashëgimisë kulturore nuk është diçka e re te ne dhe ende nuk kemi arritur të krijojmë mekanizma që i sigurojnë dhe mbrojnë ato”, ka thënë të premten Sihana Klisurica, menaxhere e komunikimit në “Shtatëmbëdhjetë”. Ka thënë se shkatërrimi i trashëgimisë kulturore pa dyshim se kontribuon në fshirjen e të së kaluarës dhe historisë së vendit.

“E tek ne kjo ndodh shpeshherë për përfitime individuale”, ka thënë ajo.

Ka qenë “Shtatëmbëdhjetë” organizata e cila për një ditë, në fund të prillit të vitit 2023, ia dha funksionin kulturor “Kino Rinisë” me promovimin e librit “Kino Rinia – Zërat paralel” dhe premierës së dokumentarit “Parallel Voices”. Në 12 minuta sa zgjaste dokumentari me autor Gazmend Bajrin, “ekrani” i ish-“Kino Rinisë” dokumentonte gjendjen e mëparshme të vetë institucionit të dikurshëm. Libri nga grup autorësh është dokumentim i rrënjësishëm i kësaj kinemaje ikonë.

“Ne si ‘Shtatëmbëdhjetë’ kemi punuar për tri vjet, bashkë me organizata të tjera që ta shpëtojmë nga shkatërrimi i mëtutjeshëm dhe kemi arritur që ta fusim në Listën për mbrojtje të përkohshme të monumenteve. Është bërë një punë e madhe për t’ia kthyer qytetit këtë objekt. Po ashtu me edicionin e 4-të të projektit tonë ‘Metamorphosis’ i kemi hapur dyert e kinemasë për publikun e gjerë pas gati 20 vjetësh. Potenciali që ka ai objekt është shumë i madh dhe me funksionalizimin e tij do të përfitonin të gjithë”, ka thënë Klisurica.

E këtë e përmbys imazhi i monumentit në flakë. “Fatkeqësisht sot në vend se të flasim për këtë, gjendemi para një situate të tillë të dhimbshme”, ka thënë ajo.

Gjendja e objektit e ka vështirësuar intervenimin e zjarrfikësve. Në kohën e intervenimit ata janë parë duke hequr tjegulla dhe materialeve të tjera të dëmtuara të kulmit

“Beteja” e kinemasë deri te statusi i monumentit

Zjarri i së premtes s’është i pari për këtë objekt. Gjatë viteve ’60, ishte djegur e rregulluar sërish.  Komuna e Prishtinës e kishte shpronësuar atë hapësirë me qëllim që ta bëjë kinemanë. Kinemaja dikur me 850 ulëse, do të funksiononte si kinema edhe gjatë viteve ’90, e menaxhuar nga serbët.

“Jam bashkëkohës kur ajo ka qenë aktive në vitet ’80 e ’90. Ajo ka një memorie kolektive, ka një vlerë dhe ka qenë e mundshme që të shndërrohet në një hapësirë publike kulturore të shërbimit të një pjese të madhe të kryeqytetit pasi është në qendër të tij”, ka thënë Shoshi.

Pas luftës, të kota qenë tentativat për ta rikthyer si kinema nën emrin “Kinema ABC 2” menaxhuar prej kompanisë për shfaqjen dhe distribuimin e filmit “Genci”, e cila në majin e vitit 2000 riktheu edhe kinemanë e dikurshme “Vllaznimi” me emrin “Kinemaja ABC”, në rrugën “Rexhep Luci”.

Prej vitit 2005, objekti i ish-“Kino Rinisë” nisi të jepej me qira. Për një kohë qe Gjykatë, më pas diskotekë e vend i lojërave të fatit. Më 2020 në ish-objektin e “Kino Rinisë” qe tentuar të bëhet rinovim i hapësirave. Bëhej fjalë për një ndërmarrës që posedon një rrjet marketesh. Por puna i ishte ndalur përderisa edhe shenjat që kujtonin kinemanë e dikurshme nuk janë më. Një pjesë e hapësirës së objektit ishte në proces rinovimi për nevojat e qiramarrësit paraprak, por që këto punime qenë ndaluar pas mosmarrëveshjeve në mes të qiramarrësit dhe qiradhënësit, që kishte rezultuar me ndërprerjen e kontratës së qirasë.

Në qershorin e vitit 2020, Agjencia Kosovare e Privatizimit – që menaxhon me ndërmarrjen “Genci”, asetet e së cilës ishin në likuidim që prej vitit 2014 – atë që e kishte quajtur “hapësira afariste e tenderuar me sipërfaqe të përgjithshme prej 1722m2”, kishte synuar ta jepte me qira.

Asokohe, AKP-ja do të sqaronte se ky objekt pas luftës së fundit nuk ka mundur të funksionalizohet si kinema, sepse ka qenë e pamundur dhe hapësirat e brendshme të objektit kanë nevojë për investime të theksuara në veçanti nëse planifikohet të shfrytëzohet si kinema. Po ashtu, kishte sqaruar se një pjesë e oborrit që shfrytëzohej si parking, nuk kishte më atë destinim me kërkesë të Komunës së Prishtinës.

“Toka evidencohet në emër të Komunës së Prishtinës. Lidhur me këtë pronë, ju informojmë se ekziston kontest pronësor në mes të Ndërmarrjes Shoqërore (AKP) dhe Komunës së Prishtinës. Po ashtu, ju informojmë se AKP-ja është në konsultim të vazhdueshëm me Ministrinë e Kulturës mbi kërkesën e kësaj ministrie që ky subjekt bashkë me asetet e saj të marrë një status tjetër përmes Ligjit për kinematografinë e Kosovës. Prandaj, AKP-ja nuk e ka planifikuar për shitje/privatizim deri në sqarimin përfundimtar qoftë të kontestit civil, qoftë të statusit të subjektit në koordinim me Ministrinë e Kulturës”, ishte sqarimi që kishte dhënë AKP-ja, në korrikun e vitit 2020. Pak ditë më vonë, Ministria e Kulturës do të kërkonte rikthimin e ish-“Kino Rinisë” tashmë të tjetërsuar. Do të reagonte pas njoftimit për lëshimin me qira të objektit, teksa i kërkonte Agjencisë Kosovare të Privatizimit që objekti të “ribëhet” kinema. AKP-ja kishte përzgjedhur ofertuesin me çmimin më të lartë për dhënien me qira të objektit afër qendrës së kryeqytetit.

Ekipi i KOHËS është rikthyer në vendngjarje edhe në orën 23:00. Nuk ka pasur intervenime, e aty ka qenë një ekip i zjarrfikësve dhe i Policisë

“Siç jeni në njohuri edhe ju, në ‘Kino ABC 1’, kanë filluar të bëhen disa punime, ku si rezultat i këtyre punimeve ‘Kino ABC 1’ është duke iu ndryshuar në tërësi destinimi dhe qëllimi i veprimtarisë së saj”, shkruhej në shkresën e MKRS-së drejtuar AKP-së. Aty cekej edhe Ligji për kinematografi, që përcakton se pa lejen e Qendrës Kinematografike të Kosovës nuk mund t’u ndërrohet destinimi kinemave. Madje, edhe nëse ato shiten.

Përkohësisht funksionin e dikurshëm të “Kino Rinisë” e ngjalli bienalja “Manifesta 14” me edicionin e saj në Prishtinë në verën e vitit 2022 që kishte për koncept rikthimin e hapësirave të braktisura.  Qe një nga 25 lokacionet e Bienales Nomade Evropiane.  “Kino Rinia” e dikurshme u ringjall me veprën “Sometimes It Was Beautiful” të artistit, Christian Nyampeta  me të cilën u realizua rikthimi i përkohshëm i kinemasë. Shfaqje filmi, audio e karrige kishte qenë përbërja e instalacionit të artistit nga Ruanda.  

Ka vite që Komuna e Prishtinës, paralajmëron se do ta restaurojë e rigjenerojë këtë objekt, në historinë e të cilit tash shtohet edhe përfshirja nga zjarri.

“Shteti të mos dorëzohet e ta restaurojë”

Sali Shoshi, njëri prej zërave kryesorë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, ka thënë se shteti nuk duhet të dorëzohet në raste si këto.

“Ajo çfarë duhet të bëhet tash e tutje nga shteti, është që të mos dorëzohet. Në çfarëdo kushtesh që ajo ka mbetur si shkak i djegies, duhet të restaurohet dhe të përdoret si hapësirë publike, sepse në fund të ditës shumë më e rëndësishme është ajo t’i kthehet publikut sesa të shndërrohet në një hapësirë për apetite të ndërtuesve”, ka thënë Shoshi. E ka përsëritur tendencën për t’i zhdukur monumentet si këto, “por shteti duhet të marrë rolin që i takon”. Edhe kryesit të gjenden, të identifikohen para drejtësisë, por në anën tjetër edhe pronën kulturore ta restaurojnë, ta kthejnë në publik dhe ta menaxhojnë në mënyrën më të mirë të duhur. Sikur të kishte qenë e menaxhueshme deri tash, të kishte program aktiv publik kulturor, të kishte mirëmbajtje, nuk do të kishte ndodhur kjo që ka ndodhur”, ka thënë Shoshi derisa “Kino Rinia” ishte ende në tym.