Kulturë

Ish-drejtori i “Shotës” aludon në shkelje ligjore, do rivlerësim

Së paku shkelje të tri ligjeve, ka numëruar Shefqet Gjocaj në ankesën të cilën ia ka adresuar Ministrisë së Kulturës. Ndër të tjera, në garën për një mandat të tretë si drejtor i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” pretendon se është diskriminuar. Sipas ankesës, gjatë procesit rekrutues ka pasur shkelje të Ligjit për zyrtarët publikë, atij për ansamblin “Shota”, Ligjit të punës dhe akteve nënligjore të zbatueshme të këtyre ligjeve. Kërkesa e tij është rivlerësimi

Ish-drejtori i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, Shefqet Gjocaj, pretendon se janë bërë një sërë shkeljesh ligjore në konkursin nëpërmjet të cilit ai nuk e ka marrë mandatin e tretë në krye të institucionit. Aludimet e tij janë përfshirë në një ankesë të gjatë që ia ka dërguar Ministrisë së Kulturës.

Sipas ankesës, gjatë procesit rekrutues ka pasur shkelje të Ligjit për zyrtarët publikë, atij për ansamblin “Shota”, Ligjit të punës dhe akteve nënligjore të zbatueshme të këtyre ligjeve.

“Kjo procedurë, nga Këshilli Drejtues, është administruar me shkelje të qarta më lart të dokumentuara dhe në cenim të të drejtave të mia nga marrëdhënia e punës”, shkruhet në ankesën për të cilën ende nuk ka marrë përgjigje nga Komisioni i ankesave në Ministrin e Kulturës.

Në janar Mehmed Xhemajli është zgjedhur drejtor i përgjithshëm i “Shotës”, pasi është përsëritur konkursi dhe është ndërruar pjesa më e madhe e përbërjes së Këshillit Drejtues.

Sipas ankesës së Gjocajt, Këshilli Drejtues i “Shotës” është organ që ka në kompetencën e tij zgjedhjen dhe shkarkimin e drejtorit të institucionit.

Aty shkruhet se Ligji përcakton se në këtë organ duhet të jetë një përfaqësues i Ministrisë së Kulturës.

“Nëse e shihni përbërjen aktuale të këtij këshilli, aty shihet se janë dy përfaqësues nga MKRS, respektivisht znj. Dafina Bacaliu dhe z. Feim Leka. Ky i fundit është i punësuar në kuadër të Trupës Artistike të AKKV ‘Shota’, ndërsa në përputhje me gjendjen faktike, juridike dhe administrative të marrëdhënies së tij të punës, organ punësimi për të lartcekurin është MKRS/AKKV ‘Shota’”, shkruhet në ankesë. Sipas këtij dokumenti, nisur edhe nga implikimet e tjera ligjore të raporteve juridike të këtij personi me pozitën e drejtorit të AKKV “Shota”, gjegjësisht, raporti i parregullt i tij si një nga vartësit e drejtorit, në njërën anë dhe anëtar i organit kolegjial epror të pozitës së drejtorit nga ana tjetër, e bën të paligjshme pjesëmarrjen e tij në këtë procedurë. Gjocaj aludon se ligjërisht Lekajt nuk i ka takuar të jetë pjesë e Këshillit Drejtues edhe për arsyen se si anëtar i ansamblit i jep përgjegjësi drejtorit e në anën tjetër si anëtar i Këshillit Drejtues e vlerëson drejtorin.

Sipas ankesës, në vijim të shkeljeve procedurale me të cilat është përcjellë procedura e konkursit për përzgjedhjen e drejtorit të “Shotës”, është edhe numri prej 12 pyetjeve nga gjithsej 28 të tilla sa kishte i gjithë testi. Sipas Gjocajt, nuk ishte përcaktuar paraprakisht çelës i përgjigjeve të sakta dhe rrjedhimisht është bërë vlerësimi krejtësisht subjektiv dhe i pabazuar.

“Me këtë rast, Këshilli Drejtues me këtë veprim, përkatësisht mosveprim, ka krijuar hapësirë të vlerësimit të pasaktë, të pabazuar, subjektiv dhe të nxitur nga përcaktime personale që shpërfillin standardet ligjore për meritokracinë, paanësinë, objektivitetin dhe transparencën e procedurave të rekrutimit dhe mbi të gjitha në shkelje të detyrimit e betimit të secilit zyrtar publik...”, shkruhet në ankesë. “Nga anëtari i Këshillit Drejtues, z.Feim Leka, jam pyetur për çështjet e tij personale, përkatësisht për arsyet e realizimit ose jo të kërkesave të tij individuale në kohën kur unë kam qenë drejtor i AKKV ‘Shota’, gjë e cila flet se i njëjti përveç pranisë së tij në këtë mekanizëm në kundërshtim me ligjin siç u arsyetua më lart, në rastin konkret, ka manifestuar konflikt interesash...”.

Në këtë rast ka cituar Ligjit për zyrtarët publike. Ka kërkuar që të dëgjohet regjistrimi në audio i intervistës si provë.

Gjocaj ka shkruar se ai vetë platformën me shkrim si mjet i vlerësimit për kandidatët e ka dorëzuar në Njësinë e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore në MKRS, e kundërkandidati te anëtarët e Këshillit Drejtues “në kundërshtim me çdo kriter e rregull procedurale kur dihet se administrimi i dokumentacionit të dosjeve të aplikantëve bëhet vetëm përmes DBNJ/MKRS...”, shkruhet në ankesë.

Gjocaj pretendon se është bërë vlerësim diskriminues. Ka shkruar se në pyetjen e parë, e cila sipas testit me shkrim vlerësohej me më së shumti 10 pikë, është poentuar vetëm me 3.4 pikë. “Në pyetjen se ‘çfarë ju ka motivuar që të konkurroni në pozitën përkatëse’, përgjigjja ime ishte: ‘Motivi kryesor, pas 8 vjetësh në drejtim të Ansamblit, ka qenë hartimi i ligjit të ri për institucionet e kulturës i cili mëton të krijojë më shumë pavarësi për institucionet dhe rrjedhimisht më tepër mundësi për të avancuar pozitën dhe zhvillimin e Ansamblit. Gjithashtu motiv shtesë është edhe një lloj detyrimi për të realizuar disa projekte të mbetura vetëm si planifikim, për shkak të kufizimeve, të cilat kanë vlerë fondamentale për Ansamblin”, ka cituar ai. Sipas tij, kjo përgjigje ka tri motive me qëllim të ligjshëm publik si parim themelor i përcaktuar me ligjet që rregullojnë organizimin, funksionimin, pozitën, të drejtat dhe detyrimet e të punësuarve në administratën shtetërore.

“E megjithëkëtë, anëtarët e Këshillit nuk kanë vlerësuar as 50 për qind të pikëve maksimale të përgjigjes. Kjo flet se ky vlerësim është jomeritor dhe nuk përkon me saktësinë dhe besueshmërinë e përgjigjes kundrejt pyetjes”, ka shkruar ai.

Ai ka përmendur disa pyetje e edhe përgjigjet, ku aludon se nuk është vlerësuar drejt.

“Në pyetjen e radhës, pra pyetja shtatë, shihet edhe më qartë vlerësimi subjektiv. Në pyetjen ‘Drejtori i AKKV ‘Shota’ punon duke u bazuar në: a) Urdhra të mbikëqyrësit; b) Ligj; c) Përvojë personale; d) Planin e punës të aprovuar nga Këshilli Drejtues i AKKV “Shota”; e) Standardet profesionale; f) Akte të tjera nënligjore’, unë jam përgjigjur me alternativën b). Vlerësimi nga 3 pikë të mundshme, është me 1.5 pikë”, ka shkruar Gjocaj. Sipas tij, nëse analizohet saktësia e përgjigjes, në këtë rast do të duhej të vlerësohej me pikë maksimale, sepse alternativat tjera janë obligim ligjor nga ku buron mandati dhe përcaktohet përmbajtja e ushtrimit të detyrës së drejtorit.

Ai ka kërkuar që t’i aprovohet ankesa, të anulohet shpallja e kandidatit të suksesshëm, fazat e vlerësimit dhe të bëhet rivlerësim.

Historia e konkursit të “Shotës” kishte nisur më 3 qershor të vitit të kaluar, kur Ministria e Kulturës hapi konkursin publik për drejtor të përgjithshëm. Qenë katër kandidatë. Por Naser Shatrolli dhe Ylber Asllanaj pas testit me shkrim nuk ishin kualifikuar për më tej.

Shefqet Gjocaj kishte kandiduar për mandat të tretë. Kurse kandidati i dytë qe Mehmed Xhemajli, i cili drejton shoqërinë kulturo-artistike “Kosova”. I pari, dramaturg me përvojë tetëvjeçare në drejtim të institucionit, kurse i dyti me një master për koreografi në Shqipëri e i angazhuar në stafin akademik të një kolegji privat. Dyshja kishte hyrë në test me shkrim dhe Shefqet Gjocaj printe me 83.88 poenë, kurse Xhemajli ishte i dyti me 70.58 poenë.

Ish-përbërja e Këshilli Drejtues kishte mbajtur edhe intervistat. Bazuar në vlerësimin e testit me shkrim dhe po ashtu edhe nga pikët e fituara në intervistë, rezultati final ishte 86.85 poenë për Shefqet Gjocajn dhe 65.39 poenë për Mehmed Xhemajlin. Siç edhe ndodh rëndom, Ministria e Kulturës kishte njoftuar publikisht se kandidati i suksesshëm ishte Shefqet Gjocaj.

Por Mehmed Xhemajli kishte vërejtur një “vjegëz” nëpërmjet së cilës mund të ankohej. Gjatë vlerësimit të testit të tij ishte ndërhyrë disa herë duke poentuar e duke fshirë shifrat për të vendosur poenë të tjerë.

Ankesa e tij ishte shqyrtuar në Ministrinë e Kulturës dhe e njëjta ishte aprovuar. Në këtë situatë të re duhej që anëtarët e Këshillit Drejtues të mblidheshin prapë në mënyrë që të bëhej rivlerësimi. Por shkarkimi i përbërjes së Këshillit ku ishin Fahredin Spahija, Riza Bytyçi, Xhevdet Gashi, Visar Munishi dhe Taibe Selmani, kishte përmbysur krejt situatën. Ishte anuluar edhe konkursi. Më pas ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte emëruar anëtarë të Këshillit Drejtues Feim Lekën, Arbnora Dushin, Sanije Matoshin e Dafina Bacaliun. Ky organ drejtohet nga Visar Munishi i cili, sipas ankesës, vitin e kaluar e kishte vlerësuar Gjocajn me 90 pikë, kurse në konkursin e dytë me 50 pikë.