Kombinimi i artit dhe inteligjencës artificiale ka mundësuar që në muzeun e Amsterdamit, “Rijksmuseum” piktura “Roja e natës” të vijë e plotë, pasi i mungonin pjesët e shqyera, 70 vjet pasi Rembrandi e realizoi atë. Shiritat e realizuar me ndihmën e teknologjisë tash varen në skajet e veprës së vitit 1642.
Muzeu gjithherë e ka ditur se piktura origjinale është e paplotë dhe dukshëm më e madhe sesa kopja e njohur e realizuar në të njëjtën kohë nga Gerrit Lundens (1622 – 1686). Hulumtuesit dhe restauruesit të cilët gati dy vjet mundimshëm kanë punuar me skanerë të teknologjisë së lartë me rreze rëntgen e me fotografi digjitale, kanë kombinuar mijëra të dhëna që kanë gjeneruar prej kopjes së Lundensit që të krijojnë e shtypin shiritat për pjesët që mungojnë.
”Kemi bërë një fotografi digjitale tejet në detaje të ‘Rojës së natës’, e nëpërmjet inteligjencës artificiale apo të asaj që ata e quajnë rrjet neuronesh, e kemi mësuar kompjuterin se cilën ngjyrë e ka përdorur Rembrandti në ‘Rojën e natës’ dhe si ishin lëvizjet e brushës së tij”, ka thënë drejtori i “Rijksmuseum”, Taco Dibbist.
Arsyeja se përse u prenë skajet e portretit grupor të policisë civile të Amsterdamit është e “thjeshtë” – vepra u zhvendos prej stacionit policor në shtëpinë e qytetit, dhe nuk e zinte në murin midis dy dyerve ku duhej të ekspozohej. Pasoi prerja me gërshërë, duke e sjellë në dimensionet që i ka tash e disa shekuj, por fati i pjesëve të prera mbetet mister.
Realizimi digjital që do të ekspozohet në muajt e ardhshëm vjen në kuadër të projektit hulumtues e restaurues të quajtur “Operacioni Roja e natës” që nisi para rreth dy vjetësh.
Pas lehtësimit të masave për shkak të pandemisë COVID-19, prej fundjavës së kaluar, muzeu mund të pranojë më shumë vizitorë, por sërish vetëm rreth gjysmën e kapacitetit që ka.
Gjatë projektit restaurues piktura ishte e vendosur në një dhomë xhami e dizajnuar enkas për këtë punë, dhe është studiuar në detaje prej pëlhurës deri te shtresa përfundimtare e ngjyrës. Me këtë sasi të dhënash, hulumtuesit kanë realizuar fotografinë më të detajuar të pikturës, nëpërmjet 528 pozave digjitale. Vepra e vitit 1642 për herë të fundit i ishte nënshtruar restaurimit thelbësor para 40 vjetësh, pasi një vizitor e shqeu atë me thikë. Drejtori i “Rijksmuseum” ka thënë se shtesat e reja të printuara nuk kanë për qëllim ta mashtrojnë vizitorin për të menduar se vepra është më e madhe, por që t’u jepet një pasqyrë e qartë se si do të duhej të dukej ajo në origjinal.